Sfidat e jetës së një gazetari
Nga Ilirjan Gjika/ Ishin vitet ‘90, kur koha e ndryshimeve të mëdha në Shqipëri shtroi nevojën e informimit në të gjitha fushat dhe premisa të tilla u shfaqën si domosdoshmëri zhvillimi edhe në Fier, një nga qendrat e mëdha dhe të rëndësishme të vendit. Në këto kushte të vështira dhe në një kohë plot reaksion dhe rreziqe, një grup gazetarësh dhe intelektualësh fierakë, guxuan me përpjekjet e tyre dhe arritën mes vështirësive të panumërta që të botonin të parën gazetë të pavarur, dallëndyshen e shtypit demokratik: “Fjala Jonë”. Por, protagonisti kryesor i kësaj ngjarjeje ishte padyshim Thoma Goga, një emër i njohur në Fierin e atëhershëm, kur gazetarët profesionistë numëroheshin me gishta. Dhe pikërisht në vigjilje të 17 majit, 25- vjetorit të krijimit të shtypit të pavarur, po sjellim të plotë profilin e këtij gazetari, pasioni i të cilit për shtypin vijon të vazhdojë njëlloj si më parë. Por cili është gazetari veteran që hapi gazetën e parë dhe që nga shtypi i shkruar nuk ka hequr dorë akoma? Kësaj pyetjeje të natyrshme po i japim përgjigje me këtë jetëshkrim të shkurtër.
Sipas tij, Thoma Goga u lind në 11 qershor 1955 në Roskovec, ku mori edhe arsimin bazë. Në vitet e para të rinisë nisi të merrej me veprimtari letrare, ku botoi kryesisht poezi dhe tregime për fëmijë në revistat “Fatosi” dhe “Pionieri” dhe në organe të tjera letrare të kohës. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Letërsisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Pas një eksperience të shkurtër në arsim, ku në vitet 1981-1983, punoi si mësues në fshatin Kurjan, do ta shihte veten e tij në gazetë. Pasioni i tij kryesor kishte qenë gazetaria, të cilën kishte nisur ta ushtronte që në moshë të rinisë. Kështu në vitin 1973, kur akoma nuk kishte mbushur 18 vjeç dhe gazeta e dashur për brezin “Zëri i Rinisë” hapi konkursin e parë kombëtar për talentet e rinj, ai është fitues i dy çmimeve në këtë konkurs; për hartimet dhe skicat letrare. Edhe pse nxënës në Shkollën e Kulturës Tiranë, (edhe këtë të fituar me konkurs), kërkohej nga kompozitorët që ishin dhe pedagogë në shkollë për të krijuar tekste këngësh. Nga bashkëpunimet mund të përmenden këngë më emrat e nderuar si F. Deda, A. Mula, Ç. Zadeja, V. Nova, V. Kotani, V. Sheme, Gj. Leka, A. Kareco, T. Dori etj. Në këtë periudhë krijon dhe këngë e vjersha për fëmijë që botohen në revistat “Fatosi” dhe “Pionieri”. I njëjti intensitet bashkëpunimi me shtypin vazhdoi edhe gjatë viteve studentore. Në këtë periudhë spikat edhe me studime të shkurtra, por cilësore disa prej të cilave u botuan edhe në shtypin letrar. Kështu ishte formuar tashmë profili i një gazetari të ri. Për këtë qëllim do ta ftonin të punonte në shtypin e shkruar, ku për shtatë vite rresht, nga viti 1983 deri në vitin 1990, Thoma Goga, do të punojë si redaktor në gazetën lokale “Drapër e çekan” në Fier. Aty do të botojë shkrime informative, reportazhe, fejtone, artikuj studimorë për vepra të ndryshme të letërsisë. Në të njëjtën kohë bashkëpunonte me shtypin qendror për kronika informative, apo dhe me tema të rëndësishme shoqërore. Viti 1990 do ta gjejë si kryeredaktor të kësaj gazete. Atë vit gazeta filloi të ndryshonte jo vetëm në formë.
Falë dashamirësisë së tij si drejtues, gazeta hapi rubrika për krijimtarinë e të rinjve, gjimnazistëve të cilët donin një tribunë të tyre. Po kështu punë të dala nga pena e këtij autori janë studimi ‘’Mbi krijimtarinë e shkrimtarit Nasi Lera’’ (dorëshkrim me të cilën mbrojti diplomën), poezi dhe tregime të botuara në shtypin letrar, tekste këngësh për festival dhe anketat muzikore në RTSH. Gjithashtu, ka botuar edhe vëllimin me humor e satirë “Rebelimi i Lek Albanezit”, studimin e shkurtër “Për një ndryshim në rregulloren e futbollit”, botuar në shtypin sportive etj.. Tani po përgatit një vëllim me fejtone si dhe një përmbledhje më vjersha për fëmijë. Për veprimtarinë publicistike dhe letrare do të shtohen trofetë e çmimeve të ndryshme. Ndërsa në vitin 1987, në konkursin kombëtar që hap Lidhja e Gazetarëve të vendit, falë nivelit të lartë të shkrimeve, Thoma Goga, është fitues i Çmimit të Tretë për artikujt publicistikë. Po kështu edhe në vitin 1990, ai është fitues i Çmimit të tretë në konkursin kombëtar me reportazhin artistik “I bukur ky “ballkoni” i Mallakastrës…”. Ndryshimet demokratike dhe rrëzimi i sistemit komunist solli edhe një transformim total të shtypit të shkruar. Në këtë kohë të vështirë, Thoma Goga, i kishte të gjitha mundësitë të gjente “një qoshe të rehatshme”, por guxon dhe merr iniciativën që ta shndërrojë gazetën lokale “Drapër e çekan” në një periodike të pavarur. Me këtë veprim u bë dhe shembull për gazetat e tjera lokale të asaj kohe. Kështu në 17 maj 1991, ai hap gazetën e re të pavarur “Fjala Jonë” e cila “jetoi” deri në mars 1992. Mungesat e bazës materiale e sidomos ato financiare, e jo pak pengesat e pushtetit të ri që përndiqte redaksinë me forma e metoda të ndryshme, detyruan stafin e vogël të “dorëzonte çelësat” e një tribune që duhet të jetonte. Më pas, me mbylljen e gazetës, Thoma Goga, mbetet edhe pa punë. I detyruar të mbajë familjen, u mor me punë të ndryshme, që siç thotë ai vetë “nuk ishin në natyrën time”. Kështu në vitet 1992 – 1993, do të jetë drejtor i Degës së Librit në Fier dhe në vitet 1993 – 1996, zv/drejtor i shkollës së mesme Dërmenas.
Falë emrit që kishte krijuar në shtyp, në vitet 1996-1999, do të emërohet zëdhënës i shtypit dhe informacionit në kompaninë e naftës Albpetrol në Patos. Pas vitit 1999 për mbi 10 vjet, do ta shohim si sekretar të Këshillit Mbikëqyrës dhe njëkohësisht sekretar i Drejtorisë Ekzekutive në shoqërinë ARMO sh.a. në Fier, por pa iu shkëputur shtypit duke shkruar tregime satiro-humoristike në “Republika”, “Shekulli” e në vitin e fundit 2015 – 2016 do të spikasë me fejtone interesante në “Koha Jonë”. Ishin vitet 90’, koha e ndryshimeve të mëdha, ku në drejtim të informimit njerëzit kërkonin informacione të reja në të gjitha fushat. Një gjë e tillë ishte bërë domosdoshmëri edhe në Fier, si pjesë integrale e vendit. Në këto kushte të vështira dhe në një kohë plot reaksion dhe rreziqe, Thoma Goga, së bashku me kolegë të tjerë gazetarë, guxuan dhe hapën të parën gazetë të pavarur, përfaqësuesen e shtypit demokratik dhe pluralist. Pikërisht 25 vjet më parë në 17 maj të vitit 1991, nisi jetën e saj gazeta e re dhe e pavarur “Fjala Jonë” e cila u botua deri në mars 1992. Duhet theksuar se ajo ishte e dyta media e shkruar në llojin e saj duke pasuar në këtë drejtim, gazetën e parë të shtypit demokratik, të përditshmen “Koha Jonë”, numri i parë i së cilës doli në 11 maj 1991. ‘’Ne që prej vitesh punonim në këtë fushë, u bëmë me krahë drejt ëndrrës sonë për një shtyp të lire, tregon për këtë rast gazetari Thoma Goga. Kolegët tanë në Lezhë i shtynë edhe më shumë dëshirat tona në Fier. Kishim kohë që e kishim ideuar një gazetë. Ndihem krenar tani që edhe unë, si pjesë e armatës së gazetarëve, u përfshiva në kohën e ndryshimeve. Nuk mund të harroj ndihmën që na dhanë gazetarët më me përvojë Tashko Lako, Maku Pone, Kristaq Shtëmbari, Mystehak Xhemali, Novruz Sinani etj., vijon ai. Të hapje një gazetë në atë kohë ishte një iniciativë e jashtëzakonshme. Nuk ishin vetëm vështirësitë teknike, strukturore, apo grafike. Nuk ekzistonte jo vetëm kuadri i nevojshëm ligjor, por pengesa kryesore ishin strukturat e ish-partisë-shtet. Ato jo vetëm që nuk e imagjinonin një akt të tillë, por e konsideronin edhe herezi për kohën. Këtyre vështirësive ju shtohej edhe mungesa e theksuar e bazës materiale, veçanërisht letrës për shtypin e gazetës. ‘’Konsultave të vazhdueshme me intelektualë e kolegë iu shtuan edhe takimet me gazetarët e rretheve fqinjë. Më kujtohet se në atë pranverë të bukur, të brishtë, por dhe të tensionuar të 1991, u takuam në Fier me kolegët tanë të nderuar të Beratit, Vlorës e të Lushnjes. Problemet që duheshin zgjidhur nuk vareshin dhe shumë nga ne gazetarët. Po si do t’ia bënim? Ditë pas dite u kristalizua mendimi për një gazetë të re. Kishte shumë propozime për emrin e ri të gazetës. U dhanë disa versione. Grupi i intelektualëve vendosi që të quhej Fjala Jonë”, tregon përsëri gazetari i njohur. Në këto kushte me logon e punuar grafikisht nga skenografi i njohur i teatrit “BYLIS” Pano Kondo dhe pas një pune intensive njëmujore gazeta doli në treg. Mëngjesin e ditës së premte të 17 majit të vitit 1991 doli numri i parë i gazetës “Fjala Jonë” e cila u bë shpejt e kërkuar nga lexuesit fierakë për të vërtetat që po shpaloste, problematikën që trajtonte, hallet e qytetarëve, apo probleme të tilla të realitetit të kohës, si hatërllëqet dhe parregullsitë që bëheshin me ndarjen e banesave, në emërimin e kuadrove, me shpërdorimin e fondeve, etj. Shumë shpejt gazeta u bë tribunë e fjalës së lirë dhe tribunë e mendimit intelektual. Në faqet e saj afirmuan emrat e tyre të rinjtë që ndihmova dhe u bënë gazetarë si Aurora Damini, Eglantina Baçi, Arbër Emiri, Mikel Mbriçaj, Kristaq Thano etj.. Është e drejta e tyre të prononcohen ose jo, por ky është një fakt që e dinë të gjithë. Vazhdimi dhe fati i gazetës ishte një histori e dhimbshme sepse ajo shumë shpejt u përballë me presionet, problemet, xhelozitë, shkopinjtë nën rrota, uzurpimin i redaksisë, etj. Në këto kushte pas dhjetë muajsh, në mars të vitit 1992 gazeta u mbyll, duke mos e kryer plotësisht misionin e saj. Gjithsesi sot kur ulemi të bëjmë historinë e shtypit të shkruar në Fier mund të themi se ajo ka vendin e saj në historinë e shtypit e cila kaloi në tre etapa kryesore. E para nis me shkurtin e vitit 1922, kur Gani Aliko botoi gazetën e parë “Djersa e Bujkut”. Më pas tradita vijoi me gazetën partiake ‘’Drapër e Çekan’’, e cila pavarësisht në vitet 1967-1991 ishte një gazetë partiake u bë ‘’shkolla’’ e krijimit të gazetarisë në Fier. E treta është ajo e shtypit demokratik që zë fill pikërisht në 17 maj të vitit 1991 kur botuesi Thoma Goga, botoi gazetën ‘’Fjala Jonë’’, që shënoi pikënisjen e një tjetër epoke të rëndësishme të medias sonë lokale. Hapja e gazetës “Fjala Jonë” nuk ishte rastësi nga ana e Thoma Gogës. Jo vetëm përvoja para saj, por edhe ngjarjet dhe zhvillimet e mëvonshme e dëshmuan këtë gjë. Ja se ç’ tregon Thoma Goga rreth përvojave të tij: “Në vitin 1979 kur isha student në vitin e dytë, bënim aksion në hekurudhën Laç-Shkodër. Sektori ishte në Zejmen dhe aty jam njohur nga afër me Besnik Mustafajn, me të cilin më vonë do të isha kolegë në “Zëri popullit” dhe qysh atëherë u bëmë miq. Po aty kam njohur krijues si: Kudret Isain apo Remzi Lanin. Ndërsa Preç Zogaj, që unë e njihja sepse kemi mbarur të njëjtën shkollë të mesme në Tiranë, vinte se kishte shtëpinë aty afër sektorit të aksionit.
U mblodhëm si krijues të rinj e për herë të parë nxorëm gazetën “Vullnetari”. Kudo më “pillte mendja” të hapnim gazeta. Kur kam qenë në aksion në Kukës, shkrova dy shkrime në “Kukësi i Ri”, kur ishim në Lukovë, shkrova te ‘’Fitorja’’ e Sarandës. Te ‘’Jeta e Re’’ e Shkodrës isha edhe student edhe gjysëmredaktori. Isha bërë si “I shtëpisë”. E fundit ishte gazeta “Roskoveci”. Kështu pas gazetës “Vullnetari” në vitin 1979, Thoma Goga, vijoi me gazetën “Fjala Jonë” në vitet 1991-1992, kurse në vitin 2008, me inisiativën e tij dhe mbështetjen financiare të disa intelektualëve nga Roskoveci, ai hapi gazetën periodike me të njëjtin emër. Ishte dhe kjo një dhuratë që Thoma Goga ja dedikonte vendlindjes së tij. Ishte një gazetë lokale, por cilësore, siç janë shprehur dhe shumë specialist të kësaj fushe. Edhe kjo gazetë jetoi tre vite duke shkruar një histori më vete për promovimin e vlerave dhe traditave patriotike, kulturore të një krahine si Roskoveci. Ndërkohë që pasioni i vërtetë i Thoma Gogës është gjinia e fejtonit, e cila anon midis gazetarisë dhe krijimtarisë letrare. Sidoqoftë ka një përparësi tjetër sepse është një gjini që të jep dorë për të “shpuar” problemet. Ndërkohë që humori i ka rrënjët e thella tek ai, ashtu siç shprehet edhe vetë se: “Nuk është çudi sepse edhe dikur te “Vullnetari” më lanë rubrikën e humorit. Që kur isha student dhe më pas redaktor më tërhiqte fejtoni”. Shkrime të këtij zhanri i gjejmë në revistën e dikurshme “Hosteni” dhe më pas në gazeta të ndryshme, të përditshme dhe periodike.
Vetëm vitin e fundit ka shkruar rreth 60 fejtone, pra me një mesatare një në gjashtë ditë. Mund të kujtojmë disa nga titujt e goditur të tyre, botuar kryesisht në gazetën “Koha Jonë” si: “Shkurt”, “Jo kështu”, “Nuk e rruaj”, “Sa bëjnë 1+1”, “Shtet pa 7”, “Dua armë dhe municion”, etj., me të cilët mendon të botojë një libër. Duke shkruar ai nxiton çdo ditë për fejtonin e radhës, sepse i duhet të mbyllë ciklin e tyre, por jo gazetarinë. Pas botimit të tyre siç duket do të vijë sfida e radhës. Megjithëse nuk i tregon planet e ardhshme krijuese, përsëri do të mbetet te gazetaria. Ajo ka për të mbetur gjithmonë pasioni i jetës së tij. Dhe thënia që i ka rezistuar kohës në këtë rast është: Pasioni vdes i fundit.