Shanset dhe sfidat e PAA-së

Nga Feti Zeneli/“Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”, thotë Albert Ajshtajni. E përmenda këtë thënie të shkencëtarit të madh, për të nënvizuar faktin, se Shqipëria e sotme është bërë “…një vend i rrezikshëm për të jetuar…”, për shkak të pasigurisë, korrupsionit, papunësisë, mungesës së shpresës e shumë fenomeneve të tjera negative që burojnë nga keqqeverisja. Por nisur nga fakti që situata vijon të përkeqësohet çdo ditë e më shumë, duket se edhe opozita aktuale nuk po e bën mirë detyrën e saj, për ta ndalur këtë rrëshqitje të politikës nga binarët e demokracisë. Mesa duket shkëputja e politikës nga demokracia reale është një sëmundje që ka mbërthyer të tre forcat kryesore politike në vend; dy në qeverisje dhe një në opozitë. Në këto kushte “…ata që nuk bëjnë asgjë…” në këtë drejtim janë drejtuesit politik të opozitës kryesore në vend, në kuptimin e dhënies së shpresës për ndryshimin e shumëpritur të situatës. Ky ndryshim nuk mund të vij kurrsesi nga konferencat e shtypit dhe ligjërimet në parlament të opozitës, pasi në një realitet të tillë, ato janë “asgjë”-ja. Ndaj pritet, që në këtë krah politik të ketë më shumë protagonizëm për t’i prirë ekzigjencës  së qytetarëve në ndërtimin e shtetit ligjor dhe nevojës së tyre për t`u mirëqeverisur, në mënyrë që gjithë të drejtat njerëzore të jenë të garantuara realisht dhe të mos shiten apo serviren, si “dhurata” të qeverisë. Po kështu në krahun opozitar nuk duhet pritur radhë ceremoniale, duke parë nga “më i madhi”, por duhet treguar iniciativë dhe veprim konkret, duke filluar me përgatitjen demokratike të çdo force politike, në mënyrë që “…ta bësh veten të nevojshëm…” për qytetarët dhe popullin tënd, siç na mëson mendimtari amerikan i shekullit të 19-të, Ralf Volda Emerson. Isha ulur këto ditë për një kafe me disa miq të mi, kur dikush prej tyre më pyeti në një moment, nëse e kisha numrin e celularit të Agron Dukës. Jo, i thashë, por mund ta gjej në moment, se besoj e ka një shoku im që është përshirë tash së fundi në strukturat drejtuese të Partisë Agrare Ambientaliste. Pse të duhet? “Ma kërkon një shok fakulteti i Gonit, që për disa vite ka qënë kryetar komune në zonën e Kuçovës, i zgjedhur nga socialistët. Me sa duket është zhgënjyer prej tyre dhe do t’i bashkohet Partisë së Dukës. I shkruajta Ben Tafajt (ish-kryetar i LDVMP-së, që pas shkrirjes të kësaj partie me PAA do të mbajë detyrën e nënkryetarit të PAA-së), por ai s’m’u përgjigj. Mbase s’ ka qenë i lirë për momentin, pastaj ka harruar t’më përgjigjet…”. Pas kësaj bisede të rastësishme, nga media nisa të sjell ndërmend raste të tjera që e kanë kërkuar dhe gjetur “celularin” e Dukës, në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtën arsye si shoku i tij i fakultetit, qoftë edhe kur bëhet fjalë për figura më të njohura të jetës publike në vitet e tranzicionit, siç mund të përmendim rastin e Marko Bellos, të Gazmend Bizhgës, Thoma Miços e kështu me radhë.

Këto raste mjaftojnë për të nënvizuar fenomemin e hedhjes së vështrimit të ardhshëm politik drejt Partisë Agrare Ambientaliste, pas marrjes së drejtimit të saj prej Agron Dukës. Vetë protagonistët e pohojnë një gjë të tillë. “Duke parë energjinë e re dhe angazhimet e dukshme të Partisë Agrare Ambientaliste pas zgjedhjes në krye të saj të zotit Agron Duka, -tha midis të tjerash z. Arben Tafaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkimit në një të vetme të LDVMP me PAA, -forumet e larta të Partisë sonë më autorizuan të nis negociatat me kryetarin e ri të PAA dhe strukturat drejtuese të këtij subjekti politik për të bashkuar forcat”. Ky është rasti, kur jo vetëm ca individë të veçantë, por një forcë e tërë politike i bashkëngjitet PAA-së me të gjithë anëtarësinë e saj.

Ndryshimi i kreut dhe riorganizmi i strukturave të PAA-së ndodh në një kohë, kur një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë e kanë humbur ndjeshëm besimin tek dy partitë e majta në qeverisje. “Të qeverisësh do të thotë t’i bësh të tjerët të të besojnë”, thoshte Makiaveli. Pra kur ke humbur besimin e njerëzve, qeveris thjeshtë për interesat e tua private dhe njerëzve që të rrethojnë. Por ndërkohë, as partia kryesore e opozitës nuk po u ngjall shumë besim për të ardhmen, edhe për shkak se disa përfaqësues të lartë të saj po përpiqen ta tërheqin lidershipin e PD-së drejt së shkuarës. Është fakt i njohur, se deri tani partitë kryesore në Shqipëri kanë menduar gjithnjë për zgjedhjet e ardhshme, dhe jo për të ardhmen e vendit dhe popullit të tyre. Sidomos liderët e dy forcave kryesore qeverisëse janë kthyer në mafioz pushtetmbajtësish, duke blerë vota dhe duke mashtruar qytetarët, një pjesë e mirë e të cilëve kanë gjetur si zgjidhje ikjen nga sytë-këmbët prej këtij realiteti dëshpërues. Te këto forca tashmë kanë besim vetëm një numër gjithnjë e më i vogël njerëzish të cilët, ose janë të punësuar ose presin të punësohen në administratë, në momentin e fitores së mundshme të partisë ku militojnë. Në këto kushte shtohen shanset e Partisë Agrare Ambientaliste për t’u rritur e përmirësuar cilësisht në numër, por mbi të gjitha për të shtuar përfaqësimin e saj politik, duke u bërë një forcë përcaktuese për formimin e aleancave të ardhshme qeverisëse. Lideri i saj, Agron Duka është një personalitet i njohur publik, që me veprimtarinë e tij si biznesmen dhe politikan i suksesshëm ngjall besim e shpresë. Ai e njeh mirë terrenin e politikës shqiptare, qoftë majtas dhe djathtas tij dhe di si ta përdor këtë avantazh në favor të fuqizimit të PAA-së. Ndërkohë që fjalës dhe premtimeve politike, u ka humbur pesha për t’i bindur njerëzit, Agron Duka si lider i Partisë Agrare Ambientaliste mund t’i bindi ata edhe me eksperiencën e sukseseve të tij si në politikë ashtu dhe në biznes. Ai me aktivitetin e deritanishëm politik, ka dëshmuar se është i gatshëm të përfshijë në PAA të gjitha shtresat, qoftë të majtë apo të djathtë, mjafton që ata të jenë të prirur dhe të bindur për të ndryshuar frymën e drejtimit të pushtetit aktual, që nuk është përkrah njerëzve, po përkrah grupeve të interesit ekonomik, të cilat financojnë marrjen e pushtetit për të vjedhur pastaj së bashku me pushtetarët.

Në Shqipëri, janë rreth 20 parti politike aktive nga mbi 100 subjekte të tilla të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Tiranë, por vetëm 7 prej tyre  kanë aktualisht përfaqësuesit e tyre në parlamentin e vendit me 140 deputetë. PAA-ja, me lidershipin e ri i ka të gjitha shanset, që të jetë jo midis 7, por midis 3-4 partive të para parlamentare, vetëm duke u përqendruar në zonat rurale, pasi ka në gjirin e saj specialistët të suksesshëm të fushave të bujqësisë, blegtorisë dhe mjedisit. Nga ana tjetër nuk ka pikë dyshimi që banorët e këtyre zonave janë më të zhgënjyerit dhe më të keqpërdorurit politikisht deri tani. Është fakt i pamohueshëm se blerjet dhe manipulimet më të mëdha të votave ndodhin  pikërisht në fshatra dhe rrethinat rurale të qyteteve tona, ndërkohë që, politikanët e forcave kryesore politike në vend kujtohen për banorët e këtyre zonave vetëm në kohën e fushatave elektorale. Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto zullume politike, dy vite e fundit, fermerët dhe banorët e tjerë të zonave fshatare u detyruan të lënë pas dore aktivitetet e tyre në fushën e bujqësisë dhe të kultivojnë kanabis- sativa, edhe duke hapur “toka të reja” në pyje, kodra e male si në kohën e monizëm. Mjafton të kujtojmë çmimet e larta të perimeve edhe në pikun e prodhimit të tyre për të parë se ç’po i bën kanabisi bujqësisë.

Po kështu, dy-tre vitet e fundit përbëjnë periudhën e zhgënjimeve më të mëdha në radhët e socialistëve, për shkak të arbitraritetit në rritje të politikës së “rilindjes”. Shumica e tyre janë njerëz të ndershëm e idealist, por që nuk i hyjnë në punë lidershipit të majtë. Besoj se kjo kategori individësh është duke kërkuar “celularin” e Dukës. Në këtë situatë të rëndë që po kalon vendi, me papunësi e varfëri në rritje dhe me pasiguri ekstreme, qytetarët shqiptarë kanë nevojë imediate për një lidership të atillë politik, që të “…ec pas tyre”, siç thoshte filozofi i shquar kinez, Lao Tzu; jo vetëm pas halleve dhe shqetësimeve, por edhe pas traditës, historisë dhe prosperitetit që i ka karakterizuar gjithnjë. Edhe tek “Dhjata e re”, thuhet që “Zoti i urren…këmbët që turren shpejt drejt së keqes…”, po aq sa “…urren edhe zemrën që thurë plane të këqija”. Kësisoj, njerëzit e thjeshtë duan që t’i paraprijë një fytyrë e qeshur dhe jo një surrat i ngërdheshur, pasi kërkojnë t’u ngjallësh shpresë dhe besim, t’i sqarosh dhe jo t’i mashtrosh, t’u krijosh mundësi të jenë të barabartë përpara ligjit dhe “Maliqit”. Parë në këtë këndvështrim, vlerësimi paraprak i reagimit shoqëror është jo vetëm nuhatje politike por edhe ofertë besimi për qytetarët, të cilët nuk duhen trajtuar nga politikanët e vendit të tyre si “popull i majtë” apo “i djathtë”, por si individë të pavarur dhe me integritet. Ka një ndryshim të madh midis konceptit për ta rreshtuar qytetarin si “numëror” turme dhe konceptit për t’i dhënë atij lirinë, barazinë dhe dinjitetin që çdo politikan ia jep dhe vetes. Faktikisht, kjo është “vija e kuqe”, që ka hequr historia e zhvillimit politiko-shoqëror, e cila ndan ekstremistët me liberalët, diktatorët me demokratët, fjalëmbajturit dhe besëprerët apo të civilizuarit me fanatikët. Vërtetë; punët, profesionet, vendlindja, shkollimi, ngjyra, raca, kombësia dhe të tjera cilësi si këto i bëjnë individët të dallueshëm nga njeri-tjetri, por të drejtat, i bëjnë të gjithë të barabartë. Këtu problemi qëndron jo tek pohimi, por tek zbatimi praktikë i këtij parimi të rëndësishëm kushtetues. Vënia e të drejtave qytetare, dhe jo e karrierës politike në plan të parë; po aq sa ç’është tregues i emancipimit është edhe tregues i besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë.

 

SHKARKO APP