SHBA apel BE: Lëvizni që të shpëtojë ekonomia greke
Nga Kujtim Vani
“Zyrtarë amerikanë janë përherë e më të shqetësuar se kriza greke do të mund ta kthente eurozonën mbrapa në recesion për të tretën herë që kur filloi kriza globale”, nënvizon gazeta “The Wallt Street Journal”. Sipas gazetës, shqetësimi qëndron në faktin se mos një krizë e përgjithshme në eurozonë do të mund të influencojë “në masë të madhe” ekonominë amerikane dhe atë botërore. Siç vihet në dukje, Uashingtoni kërkon nga liderët europianë “të lëvizin në mënyrë agresive për t’u shmangur kolapsi i ekonomisë greke”. Sipas gazetës, sekretari amerikan i thesarit, Jack Lew, ka patur telefonata me zyrtarë europianë (presidentin e Eurogrupit dhe ministrat e financave të Gjermanisë dhe Francës), si dhe homologun e tij grek, Janis Varufaqis. “Zoti Lew i inkurajoi të gjitha palët të avancojnë në një marrëveshje, për të evituar dobësimin e eurozonës” dhe “shtrirjen e krizës përtej Atlantikut”. Sipas gazetës, zyrtari amerikan u tha bashkëbiseduesve: “Kemi theksuar se do të nevojitet një rrugë konstruktive dhe realiste përpara dhe se do të lipset kompromis”. Ndër të tjera, citohet se SHBA e kanë nxitur Greqinë që “të avancojë me masat që do të ripërtërijnë zhvillimin”, por edhe partnerët europianë se “po të vazhdojnë të bëjnë kaq shumë presion ndaj qeverisë së re greke, kjo strategji ka gjasë që të shtojë riskun e vendit për të dalë nga eurozona”. Ndërkohë duket se klima ka ndryshuar dhe po shfaqen “shenja progresi” për gjetjen e zgjidhjes në takimin e Eurogrupit. Kryeministri grek Cipras, ka zhvilluar ditën e djeshme telefonata me Kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin francez Hollande. Burimet qeveritare greke bëjnë me dije se në klimë pozitive, u zhvillua biseda telefonike e kryeministrit Aleksis Cipras me kancelaren gjermane Angela Merkel. Sipas të njëjtave burime, biseda zgjati rreth 50 minuta dhe u bë në një klimë pozitive dhe me kahun e gjetjes së një zgjidhjeje me dobi reciproke për Greqinë dhe Eurozonën. Kryeministri Cipras ka patur një telefonatë, “në klimë të përzemërt”, me presidentin francez Francois Hollande. Sipas burimeve qeveritare, presidenti francez e garantoi zotin Cipras: “Do të bëj çfarë të mundem që të ndihmoj Greqinë. Do ta diskutoj këtë çështje edhe me zonjën Merkel në takimin tonë”. Ndërsa agjencia e lajmeve gjermane Bloomberg ve në dukje se Gjermania e lë të hapur portën për një marrëveshje për financimin e Greqisë, teksa zyrtarë gjermanë po përgatisin tezat e tyre në prag të takimit të Eurogrupit të ditës së premte. Gjermania e konsideron si një bazë për negociata propozimin që u paraqiti Greqia partnerëve të Eurozonës (për zgjatje gjashtëmujore të marrëveshjes së kredisë), dhe nuk mendon detyrimisht se Greqia duhet të paraqesë një plan të ri (kërkesë të re), sipas një zyrtari të qeverisë gjermane, që kërkoi të ruajë anonimitetin, citon Bloomberg. Ky qëndrim i Gjermanisë përbën një hap mbrapa nga deklarata e mëparshme që linte të kuptohej se ministri gjerman i financavem Wolfgang Schauble e hidhte poshtë pa mëdyshje letrën që Greqia i dërgoi Eurozonës. Gjithsesi, Scahuble do të marrë pjesë në takimin e Eurogrupit, shënon Bloomberg.
Korrespodent “Koha Jonë”, Athinë
Axhenda
Zv. Ministri i Jashtëm, takime në Tiranë
Zv. Ministri i Jashtëm për Çështje Evropiane i Greqisë Nikos Hundis, do të zhvillojë një vizitë dyditore, ditën e hënë 23 dhe ditën e martë 24 Shkurt, në Tiranë. Hundis do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të SEECP (Procesi i Bashkëpunimit tëEvropës Juglindore), aktivitet i cili organizohet nga presidencashqiptare e SEECP. Gjatë qëndrimit të tij, Hundis do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh me krerë të shtetit shqiptar. Të hënën Hundis do të takohet me Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, me kreun e opozitës dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe do të marrë pjesë ne një darkë pune, e cila organizohet nga Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, për nder të pjesëmarrësve në Takimin Ministerial. Ditën e martë me 24 Shkurt, Zv. Ministri i Jashtëm për Çështje Evropiane do të marrë pjesë ne takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të SEECP, në kuadër të të cilit do të takohet dhe me Ministri e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati. Në vazhdim, do të zhvillojë takime të njëpasnjëshme me Ministren e Integrimit Europian të Shqipërisë, Klajda Gjosha dhe me Hiresinë e tij Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas. Hundis, gjithashtu, do të jetë i pranishëm në pritjen që do të organizojë partia e PBDNJ-së me rastin e përvjetorit të 23-të të themelimit të saj.
FORUM
Merkeli “ngrin” Tsiprasin
Ditën vendimtare të Eurogrupit, Angela Merkeli ngrin shpresat e kryeministrit grek Alexis Tsipras, për të përmbyllur një marrëveshje mbi bazën e propozimit të formuluar dje nga Athina. “Ajo që është formuluar në thelb në letrën e Athinës nuk mjafton dhe për këtë gjë qeveria gjermane është e bashkuar”. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Merkelit, Christiane ëirtz, në konferencë shtypi në Berlin. Me këto fjalë, funksionarja ka sqaruar edhe pozicionin e Berlinit, pas hedhje-pritjeve të djeshme mes “fajkoit” Schaeuble dhe zëvendëskancelarit, Gabriel.
Greqia ka zbuluar kartat e veta dhe provon të shkojë kundër kërkesave europiane: kërkon zgjatje të kohës së ndihmave, sic donte Eurogrupi por refuzon shtojcën “Memorandum”, që për gjermanët është e padiskutueshme, si garancia e vetme për të respektuar angazhimet. Ndërkohë që për Berlinin ende nuk mjafton, Komisioni Europian sheh një kompromis të mundshëm dhe presidenti i Eurogrupit, Dijsselbloem thërret me nxitim ministrat për të luajtur sot pjesën e fundit të ndeshjes që e bën Eurozonën të mbajë frymën. Klima përshkruhet më së miri edhe prej telefonatave që janë bërë në këto orë: Tsiprasi i telefonon kancelares Merkel dhe flasin përmes përkthyesve me qëllim që të jenë sa më të qartë që të jetë e mundur. Kryeministri italian Renzi i telefonon homologut grek dhe presidentit të Komisionit, Juncker, dhe pas telefonatës ndryshon programin e tij për sot: ministri Padoan do të qëndronte në Romë, por tani i duhet të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në negociatat delikate. Letra me të cilën Ministri i Financave i Greqisë, varoufakis u përpoq të kënaqë Eurogrupin është e vështirë të interpretohet, pranojnë burimet europianë, të vetëdijshëm se grekët po luajnë me fjalët për të shmangur Memorandumin, pa i irrituar partnerët e Eurozonës. Sigurisht nuk është teksti i qartë dhe i thjeshtë me të cilin Eurogrupi do të donte të shqyrtonte kërkesën e zgjatjes së planit aktual, me të njëjtat kushte. Eshtë më shumë “një kalë troje” sic e kanë quajtur burimet gjermane të Grupit të Punës së Eurogrupit, sepse duket si një kërkesë për zgjatjen e marrëveshjes, por në realitet fsheh mundësinë për t’u zhveshur nga anazhimet e ndërmarrë. Ose më saktë, nga Memorandumi i urryer. Për Komisionin është gjithsesi një hap para “që hap rrugën për një kompromis të arsyeshëm”, edhe pse ka ende rrugë për të bërë.
“Ansa” (Bota.al)