SHBA i kërkon Zvicrës ekstradimin e 7 zyrtarëve të korruptuar të FIFA-s
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me skandalin e korrupsionit në FIFA, i kanë dërguar një kërkesë zyrtare Zvicrës për ekstradimin e 7 drejtuesve të lartë të institucionit të futbollit botëror, drejt Uashingtonit. Të arrestuar në datën 27 Maj, drejtuesit e lartë të FIFA-s ndodhen aktualisht në Zvicër por shumë shpejt mund të ekstradohen përtej Atlantikut që të përballen me akuzat e ngritura nga prokurorët amerikanë.
Lajmin e kërkesës së ekstradimit të tyre e bën të ditur Këshilli Federal i Drejtësisë Zviceriane duke nënvizuar se kërkesat formale mbërritën të Mërkurën në mbrëmje, brenda afateve të parashikuara nga marrëveshja mes dy vendeve. 7 drejtuesit e FIFA-s ndodhen në burg që prej rreth një muaji.
Ata janë pjesë e 14 personave të arrestuar dhe të akuzuar për korrupsion. Skandali që tronditi selinë e futbollit botëror në muajin Maj shkaktoi një tërmet të vërtetë në FIFA ku presidenti Sepp Blatter njoftoi dorëheqjen pas rizgjedhjes së tij edhe pse aktualisht ai vazhdon të mbajë detyrën deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij.