SHBA pezullon aplikimin për viza nga 75 vende, mes tyre Shqipëria. Preken lotaria, bashkimi familjar dhe punësimi

Amerika do të pezullojë përkohësisht dhe pa afat të caktuar procesin e shqyrtimit të aplikimeve për viza për qytetarë nga 75 vende të botës, përfshi Shqipërinë dhe një numër tjetër shtetesh në Evropë, Afrikë, Azinë Jugore dhe Amerikën Latine. Vendimi është planifikuar të hyjë në fuqi më 21 janar 2026 dhe do vijojë derisa Departamenti i Shtetit të rifreskojë dhe rishikojë procedurat e kontrollit dhe filtrimit të aplikantëve për viza.

Zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të refuzojnë aplikimet për viza në bazë të ligjit ekzistues, ndërkohë që po zhvillohet një rivlerësim i plotë i procedurave të shqyrtimit dhe verifikimit. Pezullimi i përpunimit të vizave do të hyjë në fuqi më 21 janar dhe do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, deri në përfundimin e këtij rivlerësimi nga Departamenti i Shtetit. Vendimi lidhet me zbatimin e ashtuquajturës dispozitë të “barrës publike” në ligjin amerikan të imigracionit, e cila u lejon autoriteteve të refuzojnë aplikantët që ka gjasa të mbështeten në përfitime publike.

Në nëntor 2025, Departamenti i Shtetit u kishte dërguar posteve diplomatike në mbarë botën udhëzime të reja për një shqyrtim më të rreptë të aplikantëve, duke marrë parasysh faktorë si shëndeti, mosha, njohja e gjuhës angleze, gjendja financiare dhe nevoja e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas këtyre kritereve, aplikantë të moshuar, mbipeshë apo ata që kanë përfituar më parë ndihmë sociale mund të refuzohen. “Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të konsideruar emigrantë potencialë të papërshtatshëm, të cilët mund të bëhen barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe të shfrytëzojnë bujarinë e taksapaguesve amerikanë”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott. Vendimi i fundit shënon një rikthim të qasjes më të ashpër ndaj imigracionit, me ndikim të drejtpërdrejtë për dhjetëra vende në mbarë botën.

Swiss Digital Mobile Reklama

Lista e plotë e vendeve të prekura

Lista përfshin Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antiguan dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamasin, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?