Shehi kujton Patozin në miting: Miku im…
Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, i njëmbëdhjeti në listën e kandidatëve për deputetë të Tiranës, ka qenë i pranishëm pasditen e sotme në prezantimin e kandidatëve për njesinë 4.
Shehi fjalimin para qytetarëve, e nisi duke kujtuar mesazhin e Astrit Patozit, i lënë jashtë listave të kandidatëve. Kreu i LZHK-së, i cili kandidon nën siglën e PD-së, tha se kundërshtarit politik i ka rënë morali dhe se duhet larguar njëherë e më parë.
“Sapo shkroi një miku im në Facebook, që zgjedhjet janë serioze. Përtej shakave, kemi një kundërshtar që i ka rënë morali politik. Nëqoftëse ka burra në pushtet, nëse do ishin sjellë seriozisht, të jeni të sigurt që ne sot këtu mblidheshim kot por jemi këtu se këta zotërinj na kanë dhënë një shans të madh duke gabuar përditë, jo se kemi qenë ne të pagabueshëm apo kemi qenë kristalin por se këta e kanë tepruar dhe duhet të ikin një ditë e më parë”, tha Shehi.
Më tej Shehi theksoi edhe se opozita e sotme ka ndërmarrë një sfidë dhe se do ta qeverisë vendin jo më mirë se këta që janë sot por edhe më mirë se sa ka qeverisur vetë.