Shërbimi civil, rregullat e reja për vendet e lira të punës
Me anë të një vendimi të posaçëm, qeveria shqiptare ka miratuar dje procedurat për plotësimin e vendeve të lira, në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, nëpërmjet lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë dhe pranimit nga jashtë shërbimit civil. Konkretisht, sipas tyre procedura e lëvizjes paralele bëhet për plotësimin e vendeve të lira, në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, në çdo institucion të shërbimit civil. Sikundër, në rastet kur një vend vakant, në kategorinë e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues, nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, njësia përgjegjëse shpall procedurën e ngritjes në detyrë etj. Ja të gjitha procedurat konkrete:
I. Lëvizja paralele brenda së njëjtës kategori
– Kushtet minimale, që duhet të plotësojë kandidati për këtë procedurë janë: a) të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon; b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi; c) të ketë të paktën, vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”; ç) të plotësojë kushtet dhe kërkesat e posaçme, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
– Konkurrimi për procedurën e lëvizjes paralele përfshin dy faza: a) verifikimin paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim; b) vlerësimin e kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i përvojës në punë, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë. Kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim, renditen në një listë nga njësia përgjegjëse, sipas rendit alfabetik. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë, të paktën, 70 pikë (70% të pikëve), komiteti vendos përfundimin e procedurës pa asnjë të përzgjedhur.
II. Ngritja në detyrë
Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati, për këtë procedurë janë: a) të jetë nëpunës civil i konfirmuar; b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi; c) të ketë, të paktën, vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”; ç) të plotësojë kushtet e tjera, të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për klasifikimin e pozicioneve në shërbimin civil; d) të përmbushë kriteret e veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Teksa rregullat për procedurën e lëvizjes paralele, do të zbatohen edhe për procedurën e ngritjes në detyrë. Kurse shpallja e procedurës për ngritjen në detyrë botohet, të paktën, 35 ditë kalendarike para datës së parashikuar për zhvillimin e vlerësimit. Konkurrimi për procedurën e ngritjes në detyrë përfshin dy faza: a) verifikimin paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta për vendin/vendet e lira, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim; b) vlerësimin e kandidatëve. Kandidatët që nuk plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim, renditen në një listë të veçantë, në të cilën tregohen edhe arsyet e mosplotësimit të këtyre kërkesave. Lista administrohet nga njësia përgjegjëse dhe nuk bëhet publike. Kandidatët që nuk janë kualifikuar njoftohen, individualisht, nga njësia përgjegjëse.
III. Emërimi i përkohshëm
Plotësimi i një pozicioni të kategorisë së ulët apo të mesme drejtuese, i cili është i lirë në mënyrë të përkohshme, për arsye të parashikuara nga ligji, mund të bëhet nëpërmjet emërimit të përkohshëm të: a) nëpunësve civilë, të cilët janë larguar nga shërbimi civil si pasojë e mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, sipas përcaktimeve të nenit 50, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar; b) nëpunësve civilë, të cilëve u ka përfunduar afati i pezullimit, në përfundim të të cilit nuk janë rikthyer në vendin e mëparshëm apo nuk janë transferuar në një vend tjetër, dhe janë regjistruar në listën që administrohet nga njësia përgjegjëse, sipas përcaktimeve të nenit 56, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar; c) nëpunësve civilë që kanë fituar gjyqin, me vendime gjyqësore të formës së prerë dhe që janë regjistruar në listë pritjeje, sipas përcaktimeve të nenit 66/1, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar.
Pranimi, lëvizja paralele, prova e emërimi në kategorinë ekzekutive
Ky vendim rregullon procedurën e pranimit në shërbimin civil, të lëvizjes paralele, të emërimit dhe periudhën e provës për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive. Teksa procedura e pranimit në shërbimin civil organizohet vetëm për kategorinë ekzekutive dhe në mënyrë të ndarë për grupin e pozicioneve të administrimit të përgjithshëm dhe për çdo grup të pozicioneve të administrimit të posaçëm. Ku DAP-i organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive.
Konkurrimi
Konkurrimi zhvillohet në dy faza: a) Verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim; b) Vlerësimi i kandidatëve.
Emërimi i përkohshëm
Kandidatët fitues, që nuk janë emëruar në një pozicion të rregullt sipas rastit të përcaktuar në këtë vendim, mund të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse në një pozicion pune i cili, për arsye të parashikuara nga ligji, është vakant përkohësisht. Për administratën shtetërore, njësia e burimeve njerëzore e institucionit ku krijohet pozicioni i punës vakant në mënyrë të përkohshme, brenda 5 ditëve kalendarike, i drejtohet DAP-it duke e njoftuar për pozicionin e punës dhe shkakun e vakancës së përkohshme. Njësia përgjegjëse përzgjedh nga grupi i administrimit të përgjithshëm/të posaçëm, që i përshtatet kërkesave të vendit të punës, kandidatin fitues që ka mbetur në listë. Përzgjedhja dhe njoftimi i kandidatëve bëhet në bazë të renditjes së tyre në listë sipas pikëve.
Periudha e provës
Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit. Gjatë periudhës së provës nëpunësi është i detyruar të ndjekë: a) programin e detyrueshëm të trajnimit për periudhën e provës pranë ASPA-s; b) udhëzimet e nëpunësit më të vjetër civil, nën kujdesin e të cilit ai është vendosur. Teksa nëpunësi më i vjetër civil përzgjidhet nëpunësi, i cili ka vjetërsinë më të madhe në detyrë dhe që bën pjesë në të njëjtën njësi organizative ku është emëruar nëpunësi në periudhë prove. Kurse nëpunësi më i vjetër civil duhet të jetë i së njëjtës kategori ose i një kategorie më të lartë dhe caktohet nga eprori direkt i nëpunësit në periudhë prove. Ndërkaq, eprori direkt, në rast largimi apo pamundësie të ushtrimit të detyrës nga nëpunësi më i vjetër në detyrë, merr masa për zëvendësimin e tij me nëpunësin e dytë më të vjetër në detyrë brenda së njëjtës njësi organizative. Në fund, vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në: a) rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA; b) vlerësimin e rezultateve individuale në punë, i cili bëhet sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për vlerësimin e arritjeve vjetore.
Lëvizja paralele në kategorinë ekzekutive
Procedura e lëvizjes paralele bëhet për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë ekzekutive në çdo institucion të shërbimit civil. Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për këtë procedurë janë: a) Të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon; b) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi; c) Të ketë të paktën vlerësimin e fundit “Mirë” apo “Shumë mirë”; ç) Të plotësojë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.