Sheshel: do t’i rrëzojmë tradhëtarët Vuçiç dhe Nikoliç

me të kthyer nga Tribunali i Hagës ku në 12 vitet e kaluara është përgjigjur për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Para disa mijëra simpatizantëve të tij, të mbledhur në Beograd, Sheshel tha se “Tribunali e ka liruar përkohësisht. Kjo ‘përkohësisht’ do të zgjatë deri nuk e rrëzojmë pushtetin e Nikoliçt dhe Vuçiçit, dy tradhtarëve të cilët kanë hequr dorë nga ideologjia e nacionalizmit serb”,- theksoi Sheshel. Lideri i radikalëve e quajti Tribunalin e Hagës një “bishë të plagosur globaliste, e cila vazhdon të shkatërrojë jetën e liderëve politikë dhe ushtarakë serbë”.

“Kam premtuar se do ta shkatërroj Tribunalin. Lufta ka zgjatur pak më shumë se sa që kam menduar, por fitorja është fitore”, tha lideri i radikalëve, i cili e akuzoi qeverinë aktuale serbe “se nuk po bën asgjë për të ndihmuar serbët e mbetur në Tribunal”. Ata po gjykohen sepse janë vlera më e lartë që populli serb ka pasur në vitet 90-të. Shumica prej tyre nuk kanë bërë kurrfarë krimesh dhe po gjykohen vetëm pse kanë mbrojtur atdheun e tyre”,- theksoi Sheshel, duke shtuar se sot (13.11) do të mbajë një konferencë për shtyp. Ndërsa të shtunën do të mbahet, siç tha ai, një miting i madh në qendër të Beogradit. Kryetari i Partisë Radikale Serbe – një parti tani jashtë parlamentit, ndërsa në kohën e Sllobodan Millosheviqit një prej shtyllave më të rëndësishme të politikës serbe – fjalimin e përfundoi me brohoritjen”: “Rroftë Serbia e madhe”. Mijëra simpatizantë të tij brohorisnin kundër Tribunalit të Hagës dhe në veçanti kundër kryeministrit të tanishëm Aleksandar Vuçiç. Ai së bashku me Nikoliçin kanë qenë dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sheshelit në vitet 90-të, në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi, dhe deri në vitin 2008, kur e kanë themeluar Partinë Përparimtare Serbe, e cila në zgjedhjet e fundit e ka fituar shumicën absolute të votave. Sheshel është liruar nga Haga deri në shpalljen e vendimit për akuzat për krime, për shkaqe humanitare, sepse ai është i sëmurë nga kanceri. Gjatë kohës së qëndrimit në Beograd nuk do të ketë kurrfarë kufizimesh të marrjes me politikë apo aktiviteteve të tjera. Ndërsa qeveria është e obliguar ta kthejë në Hagë, në qoftë se ai refuzon të kthehet. Në Hagë ai është dorëzuar vullnetarisht me 24 shkurt 2003, pasi që është bërë publike aktakuza kundër tij për krime në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Vojvodinë. Mirëpo procesi i tij ka filluar katër vjet më vonë, në vjeshtën e vitit 2007. Vendimi kundër tij ende nuk është shpallur. Presidenti i Gjykatës Teodor Meron ka bërë të ditur se vendimi nuk mund të pritet para mesit të vitit 2015. Por ka analistë që dyshojnë se vendimi do të shpallet ndonjëherë, për shkak të sëmundjes së tij të rëndë dhe përgatitjes së dobët të procesit, i cili ka zgjatur gati 12 vjet.

SHKARKO APP