Shifra e afarizmit në ekonomi rritet me 0.3 %

Indeksi i shifrës së afarizmit ose xhiros totale të ndërmarrjeve në ekonomi u rrit në tremujorin e dytë të këtij viti me 0.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
INSTAT publikoi “Statistikat afatshkurtra të ndërmarrjeve ekonomike” për tremujorin e dytë 2016. Anketa mbulon aktivitetet “industri” (përfshirë Industri nxjerrëse dhe industri përpunuese), “energji elektrike, gaz, avull”, “grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, “ndërtim”, dhe “shërbime” (ku përfshihen tregti, transport dhe magazinim, hotele, informacion dhe komunikacion, aktivitete arkitekture dhe inxhinierike, agjenci udhëtimi).
Sipas INSTAT, indeksi i volumit të shifrës së afarizmit, vlerësuar me çmime fikse (2010=100) arriti 118,3 në tremujorin e dytë 2016.
Ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum pasqyron rritje prej 0,3 % në aktivitetet ekonomike të mbuluara në anketë, krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Ky ndryshim në të njëjtin tremujor të vitit 2015 ishte me rritje 1,9 %. Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e dytë 2016, paraqitet me rritje prej 10,1 % krahasuar me tremujorin e parë 2016.
Në tremujorin e dytë 2016, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetin “industri” (përfshirë Industri nxjerrëse dhe përpunuese) paraqet rënie 16,9 % krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Ndikimin kryesor e dha aktiviteti “industri nxjerrëse” me një rënie prej 36,0 %. Referuar të njëjtës periudhë krahasimore, aktiviteti “grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 3,3 % ndërsa aktiviteti “energji elektrike, gaz, avull” paraqitet me rënie 2,4 %.
Shifra e afarizmit është një element i rëndësishëm orientues për të kuptuar tendencën e rritjes ekonomike për të njëjtën periudhë. Një rritje e shifrës së afarizmit përgjithësisht korrespondon me një rritje ekonomike pozitive. Qeveria shqiptare dhe institucionet e specializuara ndërkombëtare parashikojnë që për gjithë vitin 2016 ekonomia shqiptare të rritet me rreth 3.5%, çka do të shënonte një përmirësim të ndjeshëm.

SHKARKO APP