Shkelën ligjin për zgjedhjet, Ministrja masë disiplinore dy zyrtareve

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha ka firmosur sot propozimin për nisjen procedurës disiplinore ndaj Mariana Jorgji, Drejtoreshë në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Sociale Shtetëror në Korçë si dhe masë me largim nga puna për përgjegjësen e Agjensisë së Sigurimeve Shoqërore Vlorë, Jonida Hysenaj.

Propozimi për nisjen e procedurës disiplinore ndaj Jorgjit vjen për shkak se kjo e fundit nuk ka lejuar Grupin e Punës të ushtrojë kontrollin e autorizuar nga ministrja, duke shkelur parimet e etikës në punë, thuhet në një njoftim të MRS.

Propozimi i Ministres Kërtusha, bazohet në ligjin nr.90/2012 për “Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore”, vendimit nr. 473, datë 1.6.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017”, si dhe vendimit nr.452, datë 27.7.2005 “Për miratimin e statusit të shërbimit Social Shtetëror” të ndryshuar.

Me këtë rast, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kërkon edhe një herë bashkëpunimin e gjithë drejtuesve dhe punonjësve të administratës, nëpunësve civilë si dhe personelit të institucioneve në varësi, në qendër dhe në qarqe, për respektimin e ligjeve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. Ç’do tentativë për pengimin aktivitetit të “grupeve të punës”, që janë autorizuar nga ministria, do të vlerësohet konform kuadrit ligjor të lart përmendur dhe do të merren masat e nevojshme.

Ndërkohë në kuadër të masave të marra për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës, Kërtusha ka firmosur propozimin për masë disiplinore “Largim nga puna” për Përgjegjësen e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Vlorës. Kërtusha i ka propozuar Astrit Hados, Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqëore, largimin nga puna të Jonida Hysenaj me detyrë, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se ajo ka marrë pjesë në fushatën elektorale, gjatë orarit zyrtar të punës.

SHKARKO APP