Shkup, Veliaj marrëveshje për njohjen e pensioneve në të dyja vendet
Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoni ku është takuar me homologun e tij Dime Spasov, me të cilin ka firmosur marrëveshjen për njohjen e pensioneve në të dyja vendet. Tashmë në sajë të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria dhe Maqedonia njohin kontributet e sigurimeve shoqërore për efekt të përfitimit të pensionit për të gjithë ata shtetas maqedonas që punojnë në vendin tonë si dhe për të gjithë ata shtetas shqiptarë që punojnë në vendin fqinj. “Marrëveshja që nënshkruam sot është diçka konkrete, që ndihmon ata që kanë nevojë për një pension më të lartë në të dy anët e kufirit. Rreth 300 mijë qytetarë potencialë andej e këtej kufirit do ta shfrytëzojnë e përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve. Kjo marrëveshje bën që askujt të mos i humbas as edhe një ditë pune për një pension më të mirë nesër”, tha Veliaj. Ministri i Mirëqenies tha se qeveria ka nënshkruar disa marrëveshje për njohjen e pensioneve dhe së shpejti priten marrëveshje me vende të tjera evropiane e më gjerë. “Në 500 ditë qeverisje kemi nënshkruar disa marrëveshje për njohjen e pensioneve, shumë shpejt firmosim me Kanadanë, Gjermaninë dhe Austrinë, si dhe shumë shpejt do të nisin negociatat me Italinë”, deklaroi ai. Gjithashtu Veliaj informoi se me homologun maqedonas ka diskutuar edhe për krijimin e një tregu të hapur pune në të ardhmen e afërt.