Shkurti i drejtësisë shoqërore…

Nga Entela Binjaku –

Përmes medias opinioni publik mësoi për krime të kryera me pasojë jetë të humbura dhe të gjymtuara…sërish… Ngjarjet që përcolli media flasin për konflikte  brenda vatrave familjare shqiptare të rënduara  deri në kushtet e të pakthyeshmes, të  pasuara  edhe  nga  çrregullimet e pritshme  post-traumatike të të prekurve prej tyre.

Konfliktualiteti në shoqërinë  shqiptare  argumentohet në disa mënyra, jo vetëm përmes krimeve të kryera e që mësohen publikisht,  por edhe për ato që  ndodhin e për të cilat nuk flitet.  Edhe shifrat  që raportojnë institucionet e shtetit tonë lidhur me sjelljet e qytetarëve shqiptarë flasin për shifra të larta të konfliktit. Edhe pse viti që shkoi dallonte nga pararendësit si viti me numrin më të ulët të vrasjeve, sërish  në analizën për punën e policisë në vitin 2015, është me vend të dimë se cilat ishin shkaqet e kryerje së tyre. Konkretisht gjatë  vitit 2015:
– 30% janë për motive të dobëta apo të çastit;
– 31% janë vrasje brenda familjes (në kuptimin e ngushtë të fjalës apo lidhje farefisnore deri në gradën e dytë apo të tretë, për ne çështje delikate që duhet trajtuar nga pikëpamja sociale dhe e parandalimit të konfliktit që në fazën e origjinës së tij);
– 8% e vrasjeve janë nga pakujdesia;
– 3% e tyre janë për motive pronësie;
– 14% e vrasjeve janë për motive ende të panjohura, për sa kohë hetimet zgjasin dhe kërkohet ende punë për të shkuar te motivi i gjenezës.

Sipas këtij raportimi rreth 70 për qind e motiveve të vrasjeve kërkojnë trajtim të thelluar në origjinën e konfliktit edhe nga institucione të tjera të cilat janë kryesisht institucionet e shërbimeve shoqërore.

Konflikti  brenda qelizës familjare  dëshmohet edhe në shifrat e larta që raportohen nga  Drejtoria e Policisë së Shtetit- Tiranë, lidhur me urdhrat mbrojtës të lëshuar sipas ligjit 9669. Për tre muajt qershor-korrik-gusht  janë lëshuar 123 urdhra mbrojtjeje vetëm në Drejtorinë e Tiranës nga të cilat janë  96 bashkëshorte që  kanë përftuar urdhër mbrojtjeje nga bashkëshortët.  Në muajin shtator janë 93 bashkëshorte që kanë denoncuar bashkëshortët për ushtrim dhune dhe në muajin tetor 101 gra që përftuan Urdhrin e Mbrojtjes. Në nivel të përgjithshëm për muajin shtator raportohen 137 urdhra mbrojtjeje dhe për tetorin 119 të tillë.

Pra në kushtet kur shoqëria vihet në dijeni të kësaj situate ku konflikti është mjaft i pranishëm, ajo kupton se dhuna dhe  konflikti,  prodhohen  thuajse në të gjitha dimensionet e shoqërisë, duke nisur që nga familja, si qeliza bazë  e deri tek institucionet e tjera më të mëdha. Por edhe pse ka institucione  që  ndërtohen, paguhen dhe synojnë të rregullojnë jetën e  shoqërisë, sërish ato duke gjalluar  me disfunksione të vazhdueshme, nuk arrijnë t’i vijnë në ndihmë shoqërisë.

Në analizat sociologjike flitet për zinxhirin shkakësor ku një ngjarje është  pasojë por është po  aq edhe shkak për një tjetër. Nisur nga një panoramë e përgjithshme e sjelljeve konfliktuale në shoqërinë tonë,  mund të themi se përpos faktorëve ekonomikë, ku varfëria krijon mjedisin e përshtatshëm për të lindur konfliktet, përpos faktorëve që lidhen me tipologjinë e shqiptarëve ku gjaknxehtësia, pragu i ulët i nervozizmit përbën një tjetër premisë, veçanërisht e dukshme në krimet e çastit dhe tek të rinjtë,  prania e vazhdueshme e armëve nëpër shtëpitë e qytetarëve vazhdon të marrë jetë njerëzish. Po ashtu përdorimi i alkoolit apo varësia nga lojërat e fatit, janë të tjerë faktorë që rrisin prirjet për konflikte nga ku burojnë edhe skenat e dhunës.

Por veç këtyre ka  edhe faktorë të tjerë ku do të përmendnim nivelin  e  ulët  kulturor të  shoqërisë mbi njohjen e të  drejtave të njeriut,  përpjekjet e pakta të shoqërisë për të monitoruar punën e institucioneve  që duhet të  punojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës, duke  synuar parandalimin e  konflikteve.  Puna e pakët që kryhet për të minimizuar  burimet  e  këtyre konflikteve,  shoqëruar me indiferentizmin shoqëror  bën që këto konflikte jo vetëm të ndodhin por  të përsëriten në mënyrë të vazhdueshme.

 

John Ravvls  thotë se një shoqëri është e drejtë kur “respekton  dhe ju garanton  të gjithë shtetasve liritë  themelore, barazinë e mundësive dhe  ndihmën për më të dobëtit”, pra kjo është në thelb shoqëria e të drejtave të njeriut.

Në shoqërinë shqiptare, ku shumica e popullsisë lufton për mbijetesë, të drejtat e njeriut, të nënshkruara në Deklaratën  Universale të Drejtave të Njeriut  janë koncepte që vijojnë t’u takojnë realiteteve sa afër aq edhe larg nesh. Edhe pse të shprehura në ligjin themeltar të shtetit siç është Kushtetuta e vendit këto të drejta duken si  të konfiskuara,   për aq kohë sa  barazinë e mundësive dhe të promovimit të vlerave të dinjitetit njerëzor e kanë vetëm një pjesë. Papunësia e lartë, sidomos  në radhët e të rinjve, investimet e huaja të ulëta në vend,  largimet e shqiptarëve drejt perëndimit dhe dëshira e mjaft të tjerëve  për t’u larguar nga vendi, flasin  për një  pakënaqësi të madhe  shoqërore në këtë vend.  Ndryshe nga sa ndodh,  qytetarët duhet ta  shohin shtetin  si një nga furnizuesit kryesorë të mirëqenies shoqërore  dhe të kërkojnë  që ai të punojë  edhe për  shmangien e konflikteve.  Kjo  do të thotë se shoqëria  duhet të orientojë të gjithë zërat  drejt një objektivi të përbashkët: krijimin e  një mendësie bashkëkohore që ka në qendër të drejtat  e  njeriut;

Që të jetë e  aftë të ndërtojë  një shtet të ndërgjegjësuar të kuptojë  detyrimin  e tij për përmbushjen e të gjitha  funksioneve shoqërore,  që shtetasit  të gëzojnë  të  drejtat  shoqërore.  Por nëse shoqëria jonë nuk arrin në këto nivele mendësie, është e vështirë të pritet një panoramë zhvillimesh  të   ndryshme nga kjo që kemi.

Gjatë këtij muaji bota do të festojë edhe 20 shkurtin që njihet si  “Dita Ndërkombëtare e  Drejtësisë Shoqërore”. Që kjo datë të jetë pjesë e fjalorit edhe në  Shqipëri, ajo duhet të kuptohet nga qytetarët si  vlera  për të cilën  bota e qytetëruar ka nisur të flasë që nga gjysma e shekullit XIX.   Kjo nënkupton që  shoqëria të ngrihet kulturalisht duke ju  nënshtruar  edukimit të vazhdueshëm, cilësor dhe rigoroz përmes të agjencive shoqërizuese në atë shkallë sa të kultivojë tek shtetasit e saj parimet dhe vlerat e  dinjitetit njerëzor.

SHKARKO APP