Shlyerja e borxheve, Financat: Ja emrat e bizneseve përfituese
Ministria e Financave njofton se në zbatim të Strategjisë për Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura, po vijon të respektojë afatet ligjore të shlyerjes së këtyre detyrimeve për të gjithë ata subjekte dhe individë që i përfitojnë sipas ligjit.
Kështu, sipas këtij dikasteri, duke filluar nga data 25 maj 2015, janë bërë të njohura emrat e subjekteve përfituese, të cilat mund të gjenden lehtësisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave në linkun: (http://www.financa.gov.al/al/program/shlyerja-e-detyrimeve-te-prapambetura).
Ministria e Financave njofton edhe se pas pak ditëve do të bëjë të njohur të dhënat e plota për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, përfshirë vitin 2013, 2014 dhe periudhën korrente.
Kujtojmë se qeveria në muajin shkurt 2014, me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 50, datë 05.02.2014, miratoi Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura e të planit të veprimit ndaj biznesit dhe individëve.
Në kuadër të zbatimit të VKM nr. 50, datë 05.02.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, të ndryshuar, për vitin 2015 Ministria e Financave ka vijuar punën për të siguruar vazhdimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.
Në kuadër të strategjisë, deri më datë 25 maj 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.33 miliardë lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: (i) Investimet publike, janë alokuar 5.8 miliardë lekë dhe janë paguar apo çelur 91 % e shumës (ii) Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliard lekë, (iii) dhe janë paguar apo çelur 32 % të shumës, rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 4.5 miliardë lekë dhe janë paguar apo çelur 91 % të shumës, (iv) “Të tjera” janë alokuar 3.8 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për “Vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë dhe janë paguar apo çelur 69 % të tyre.