Shoku i klasës i shkruan Bashës për ditëlindje
Kandidati i Sfida për Shqipërinë, Gjergj Bojaxhi ka publikuar një mesazh “urimi” për shokun e tij të klasës në tetë-vjeçare, Lulzim Bashën, kreun e Partisë Demokratike.
Si dhuratë, Bojaxhi i bën Bashës një shkrim të shkurtër për ‘Republikën e Re’ që kryedemokrati premton se do ngrejë pas 25 qershorit.
Sipas kandidatit të Sfidës, kjo republikë nuk ndërtohet duke ricikluar parti të vjetëruara pa demokraci të brendshme.
Bojaxhi i sugjeron Bashës të votojë për numrin 4, Sfida për Shqipërinë, nëse kërkon vërtet diçka të re në politikën shqiptare.
Reagimi i Gjergj Bojaxhiut:
Lulzim, si shoku yt i klasës në tetëvjeçare, të uroj gëzuar ditëlindjen!
Si bashkëqytetar, të uroj edhe për iniciativën tënde për një Republikë të Re. Si dhuratë për ditëlindje dua të të them se çfarë mendoj është gjëja më e rëndësishme për një republikë të re:
I dashur Lulzim, besoj se një republikë e re ka nevojë për themele të reja, demokratike! Ajo nuk mund të ndërtohet duke ricikluar parti të vjetëruara pa demokraci të brendshme. Nëse do të ndërtosh apo të rilindësh një republikë, pak rëndësi ka si e quan, duhet të fillosh nga besimi se anëtarët e partisë, pra komunitetit tënd, kanë rëndësi për të thënë fjalën e tyre me votë për kandidatët dhe vendimet e marra. Nëse ti vendos çdo gjë vetë, ashtu si kryeministri aktual, ku qëndron e reja?
Të uroj suksese, në vazhdimësinë e re të gjërave të vjetra. Nëse kërkon vërtet diçka të re në politikën shqiptare, e gjen te Sfida për Shqipërinë, nr. 4, nëse do të votosh për partinë e shokut të klasës.
Është: Sfida për Shqipërinë – Hektor Ruci (kryetari administrativ, pasi ne kemi jo vetëm demokraci të brendshme, por edhe ndarje pushtetesh).