Shoqata e Bankave: Jo fitime të paligjshme nga kartëmonedhat e dëmtuara,

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke marrë shkas nga lajmi i transmetuar së fundmi mbi pretendimin për fitim të paligjshëm të bankave tregtare nga përpunimi i kartëmonedhave të dëmtuara, reagoi sot duke pohuar se “ky lajm është i pavërtetë”.

“Në dijeni të AAB-së, por edhe të konfirmuar nga autoriteti mbikëqyrës, nuk ka asnjë reklamim apo ankimim nga klientët për trajtimin e kartëmonedhave të dëmtuara. Procedura rregullatore e zëvendësimit të tyre është rigoroze dhe shteruese.

Bankat funksionojnë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, rregullues dhe atë mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në të gjithë ciklin e përpunimit të kartëmonedhave dhe në mënyrë të veçantë të trajtimit të kartëmonedhave të dëmtuara e të papërshtatshme për qarkullim.

Marrëdhëniet e bankave tregtare me bankën qendrore janë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe praktikat më të mira bashkëkohore ndërkombëtare të regjistrimit, kontabilizimit dhe pasqyrimit financiar.

Bankat anëtare të AAB, do të vazhdojnë të sigurojnë shërbim cilësor dhe transparent ndaj çdo klienti dhe çdo institucioni që ka detyrim për kontroll”, citon deklarata e AAB-së.

SHKARKO APP