Shoqata e Hidrokarbureve: Aksioni të mos jetë sulm selektiv
Shoqata e Hidrokarbureve përshëndet nismën e qeverisë për aksionin kundër abuzuesve me cilësinë e naftës, por kërkon që ndërhyrja të mos cojë në nxjerrjen nga tregu të disa kompanive për të futur në treg klientët e tyre.
Sipas kësaj shoqate në 20 vjet sektori ka një grup kompanish që ushtrojnë aktivitet me korrektësi, bazuar në rregull, ndërsa ekziston një pakicë spekulante që shfaqet nga ‘hiçi’ shpesh dhe në lidhje dyshuese me segmente të shtetit, që duke ndërtuar skema borxhi ndaj ndërmarrjeve shtetërore, Doganave, Tatimeve, apo Bankave, befas mbyllin një kompani duke u shmangur kështu nga të gjitha borxhet.
Së dyti në në treg ka plot raste që marka e reklamuar nuk ka lidhje me karburantin që shet.
Shoqata e Hidrokarbureve ngre si shqetësim faktin se sot në vend ka vetëm një laborator pranë IQT dhe një pranë doganës, të dy të paakredituar dhe me teknologjinë që përdorin nuk i analizojnë dot të gjithë parametrat e cilësisë.
“Edhe nga pronësia këto dy laboratorë janë të njëanshëm, prandaj është emergjente të kemi laborator të pajisur me teknologji që kryen analiza për çdo tregues si dhe të jetë i akredituar, në mënyrë që rezultatet e tij të njihen ndërkombëtarisht.”- thuhet në reagimin e shoqatës.
Për përfaqësuesit e këtij sektori rregullimi i këtyre problemeve do t’i jepte fund abuzimit të çdo subjekti.
Ora News