Shoqëri apo kopsht zoologjik i njerëzve?
Nga Gëzim Tushi – Sa herë kam folur apo shkruar për situatat e rënduara të krimit në shoqërinë shqiptare, për turbulencat e saj në familje dhe destabilizimin e qetësisë sociale, gjithnjë ka pasur njerëz që kanë miratuar idenë e nevojës së diagnostikimit të shkaqeve të krimit dhe të organizimit të luftës shtetërore dhe qytetare për ta mposhtur atë. Por asnjëherë nuk kanë munguar edhe disa të tjerë, të cilët për të justifikuar nivelet e larta të krimit në shoqërinë tonë, gjejnë si argument faktin që ai nuk është “shqetësim nacional”, por situatë globale, e cila nuk ndihet vetëm tek ne, por dhe në shoqëri me demokraci të konsoliduar e qytetërim më të formuar. Po ky konstatim është i vërtetë.
Në fakt sot krimi nuk është fenomen social i përbotshëm dhe natyrisht që nuk ndeshet vetëm tek ne. Fenomeni i kriminalitetit sipas intelektualit amerikan Fareed Zakaria ai është dukuri sociale anormale dhe e tmerrshme e kohës sonë. Madje është bërë një karakteristikë e evidente e shoqërive të sotme.
Por ajo që është e “veçantë” dhe tejet shqetësuese për realitetin tonë social ka të bëjë me faktin që krimi ka filluar të degradojë në “përmbajtje dhe formë”, të bëhet dukuri masive enorme dhe ekscentrike. Kjo ngaqë për fatin tonë të keq dialektika dhe tipologjia e krimeve që ndodhin përditë në shoqërinë tonë, tregojnë se motivet e krimit janë tejet banale dhe qesharake, por që bëhen fenomen tragjik dhe për pasojë njerëzit tanë kanë filluar të vriten dhe të vrasin për gjëra pa vlerë.
Në këto kushte është fare logjike dhe krejt e natyrshme pyetja që bëjnë njerëzit normalë dhe qytetarët e shqetësuar nga kjo kurbë në zgjerim e krimit në Shqipëri: Po jetojmë në një “shoqëri të çmendur” apo rreth nesh po shtohen dhe ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me “njerëz anormalë? Krimi është bërë plagë sociale e përhapur deri në nivele kur shpesh pyesim veten dhe njëri tjetri: Me kë jetojmë, bashkëjetojmë dhe bashkëpunojmë, me njerëz normalë e humanë apo me “majmunin agresiv”? Çfarë po ndodh me shoqërinë tonë dhe deri ku mund të shkojë degradimi kriminal i saj?
Padyshim është e vërtetë që statistikat e sotme të krimit në Shqipëri, janë në përmasa të tilla që janë pasqyrë adekuate dhe reflektim i krizës sociale të moralit publik. Në fakt ka shumë njerëz në shoqërinë tonë që mendojnë gabim, se sipas tyre, “është demokracia shkaktare për këtë nivel të krimit dhe në përgjithësi për një proces të thelluar të degradimit kriminal të species humane. Për fat të keq shpesh herë analizat e rasteve të krimeve enumerative dhe të personalizuara, apo të krimit si dukuri sociale shpesh herë bëhen në mënyrë të sipërfaqshme ose të mbetura në trajtime mediatike, të cilat siç thuhet janë në rolin e “sociologjisë së çastit”. Në të vërtetë ka ardhur koha kur problemet e krimit duhen parë më thellë.
Ne nuk mund të mbyllim sytë përballë të vërtetave tona të krimit që fillon nga krimi banal në familje, tek veprimet ekscentrike të të rinjve, të cilat e kanë kthyer anominë sociale në një fenomen të përgjithshëm për shoqërinë tonë. Madje ndonjëherë kaq shqetësuese duke e bërë të vështirë në se shoqëria jonë është normale apo ka filluar të bëhet psikiatrike. Ky konkluzion i vërtetë është krejt i dukshëm nga që jeta e përditshme e shqiptarëve për shkak të zgjerimit të krimit në shoqëri po shoqërohet në mënyrë të dukshme “konvulsione të socialitetit” dhe dobësim të mekanizmave vetfunksionues të “mundësive të sociabilitetit”. Ç’farë shoqërie po ndërtojmë? Shoqëri njerëzore të lirë nga pengesat sociale apo të lirë për kriminelët? Kjo është arsyeja që sociologia Evelyn Reed ka shkruar, se, “Kohët e sotme është bërë e modës një shkollë shkrimtarësh që pretendon se studimi i kafshëve vërteton se njerëzit janë agresivë që kur lindin, dhe se lufta është një domosdoshmëri biologjike”. (Andi Blunden, “Shpirti i gruas”, f 251)
Problemi është se ka shenja se shoqëria po bëhet indiferente ndaj krimit, dhe për pasojë në se ajo adoptohet me kulturën e përshtatjes me ekzistencën e tij në shoqërinë tonë, në se ecim me parimin e gabuar se në shoqërinë e lirë çdo gjë lejohet dhe asgjë nuk ndalohet në sjelljen e njeriut, atëherë duhet të pranojmë se në shoqërinë tonë çdo gjë mund të ndodhë, dhe ne vetëm se duhet ta pranojmë të mësohemi e të përshtatemi me ekzistencën dhe efektet e tyre. Në të vërtetë ajo që duhet, është përpjekja e përgjithshme e familjes, shkollës dhe shoqërisë që tí mësojmë njerëzit të jetojnë në mënyrën e duhur. Në se nuk ndërtojmë luftën frontale për të demotivuar krimin dhe frenuar kriminelin, atëherë duhet pranuar se po “ndihmojmë” procesin degradues të kalimit nga kafsha e egër e dikurshme, drejt “bishës njerëzore”, që në shumë aspekte të sjelljeve kriminale nuk se është shumë larg saj.
A mund të pranohet koncepti paradoksal i konservatorëve akoma të shumtë në shoqërinë tonë, se shkaktare e kësaj situate të krimit në shoqëri është demokracia? A mund të besohet teza diabolike e tyre se demokracia në Shqipëri solli njëkohësisht lirinë për qytetarin por njëherësh krijoi kushte të përshtatshme për çlirimin dhe daljen hapur në shoqëri të njeriut kriminel?
Për krimin dhe agresivitetin njerëzor duhet gjykuar me objektivitet dhe po kështu edhe për shkaqet e tij. Askush nuk mund të mendojë me mendje normale se njeriu pragmatist i epokës së demokracisë në Shqipëri qenka i ngjashëm apo akoma më keq i barabartë me njeriun kriminel. Ka një situatë që në pamje të parë duket sikur demokracia është përgjegjëse për përhapjen e krimit në shoqëri. Kjo ide qarkullon edhe në mendimin sociologjik dhe kriminologjik. Në të vërtetë sipas mendimit tim nuk është kështu. Nuk besoj se e tepron në idenë e vet filozofi e sociologu spanjol Ramoneda kur mendon se krimi dhe dhuna po shfaqen si të meta të species njerëzore, të njëjta me mosrespektimin e ligjit dhe korrupsionin. Nga ana tjetër duke parë gjërat që po ndodhin në kohën e sotme me krimin, ka shumë sociologë që “detyrohen” të pranojnë me gjysmë zëri se “parashikimet ogurzeza të Tomas Hobsit dhe të tjerëve për natyrën e njeriun duket sikur koha e sotme po i vërteton”.
Megjithatë ne nuk kemi arsye të fshihemi si struci pas të vërtetave të krimit, që të detyrojnë shpesh herë me ndjenjën e pesimizmit social të thuash në se duke qenë kaq afër dhe të kërcënuar nga krimi dhe njeriu kriminel, jetojmë në shoqëri apo në kopsht zoologjik, jemi të qetë në familje apo edhe atë e kemi bërë si çmendinë, po bëjmë jetë të përbashkët me rregulla sociale apo me ato të kërkesave disiplinore të një “spitali social psikiatrik”. Sepse është fare e vërtetë, se në shoqërinë tonë janë shtuar ankthet që vijnë nga përhapja e pakontrolluar e krimit social. Problemi është se çfarë duhet bërë, si duhet të veprojmë si shoqëri për ta mbrojtur atë nga anomalitë patologjike kriminale që shoqërohen me pasoja tragjike për njerëzit?
Duke parë tipologjinë e formave të krimit në shoqërinë tonë mund të themi se shumica e krimeve ndodhin për arsye e motive banale dhe shume të tjera janë krime me strategji afatgjata dhe me stratagjema të sofistikuara. Ndërkaq ontologjia e krimit është e lidhur me faktorë të tillë si nderi, pasuria, konfliktet e rastit etj. Ka shumë njerëz që duke qenë se jetojnë në situata të vështira ekonomike e shpirtërore, shpesh herë në mënyrë paradoksale kalojnë drejt krimit. Natyrisht është normale të habitesh se si ka mundësi që njerëz të tillë të ndodhur në situata të vështira, nuk gjejnë rrugë dhe alternativa të tjera shpëtimi përveç rrugës së krimit?
Ne duhet ta mendojmë ndryshe prezencën e zgjeruar të krimit në shoqëri dhe indicjet kriminale të njerëzve, sepse krimi nuk është vetëm një e keqe individuale që dëmton personalisht dhe prish jetën personale të njeriut konkret, por e keqja më e madhe është se ata bëhen një shtresë sociale që shndërrohen në ekzistencë e padobishme për vete dhe shoqërinë tonë. Njerëzit që kanë tendenca kriminale janë jo vetëm qenie të shprishura nga ana sociale, por mbi të gjitha ata shfaqen si qenie me ndjenja të deformuara, që shfaqin qëndrime e sjellje jo adekuate me ato të shoqërisë.
Ndryshe adoptimi dhe indiferenca sociale me këtë situatë të deformuar rëndë prej krimit, krijon kushte më të gjëra të penetrimit të tij në të gjithë sferat e jetës sociale publike dhe kjo pastaj të bind se kjo rrugë është “rruga e lirisë”së krimit dhe garancia që kriminelët të bredhin të lirë në shoqërinë tonë. Shqetësimi është se a duhet të luftojmë për të edukuar në familje dhe shoqëri me mjetet intelektuale, arsimore por dhe të disiplinës dhe forcës “njeriun njerëzor”, apo do lejojmë që bashkë me ne të kemi në mesin tonë këtë lloj “derri kriminel”, këto mostra sociale e qenie të shpërfytyruara që e kanë vënë veten në një pozitë antihumane që ndodhet jashtë “thelbit njerëzor”.
Pyetja që duhet t’i bëjmë njëri- tjetrit kur përballemi me krimin si fenomen social dhe me njeriun e veçantë kriminal është: çfarë janë ata persona me instinkte biologjike apo njerëz me substancë thelbësore humane? Ndryshe nuk jemi në gjendje të mendojmë saktë se çfarë është qytetërimi ynë: marshim i njeriut të qytetëruar apo i sundimit prej kriminelit?…