Shpenzimet për koncesionet, Ahmetaj: Fatura për vitin 2018 arrin në 78 milionë dollarë
Dhënia e shumë objekteve apo shërbimeve publike më koncesion apo, siç ka nisur të quhet vitet e fundit, Partneritet Publik Privat është objekt debati gjithnjë tashmë. Gjatë seancës së prezantimit të zërit të shpenzimeve të buxhetit të vitit të ardhshëm, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se fatura e planifikuar për vitin e ardhshëm kap vlerën e 78 milionë dollarëve. Sipas tij, këto janë pagesa për koncesionet e dhëna vite më parë, por edhe për PPP.
“Vlera e koncesioneve brenda llogarisë kapitale për vitin 2018 është rreth 78 milionë dollarë, pra nuk ka shkuar akoma as 3% e të ardhurave totale tatimore përtej nivelit 5%. Programi “1 miliard dollarë” i PPP-ve është një program i cili fokusohet tek investimet në infrastrukturë, kryesisht në segmentet kryesore të vendit dhe do të financohet në të dyja mënyrat: qoftë në kombinim PPP-project financing, qoftë me toll, pra traffic volume guarantee, pra garanci të riskut të trafikut”, tha Ahmetaj.
Gjithashtu sipas ministrit të Financave, tashmë me aktin normativ janë shlyer 3.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura të krijuara në muajt e parë të këtij viti.
“Akti normativ i djeshëm pastroi të gjitha detyrimet e prapambetura, të krijuara pesë muaj e fundit, sidomos në sektorin e infrastrukturës, pra praktikisht që nga dje nuk ka më detyrime të prapambetura të trashëguara sidomos në sektorin e infrastrukturës, ku prapambetja ishte 3.6 miliardë lekë”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, e ka cilësuar këtë si një paaftësi të qeverisë për të bërë investime publike dhe për të menaxhuar buxhetin.
“Qeveria është e paaftë për të bërë investimet publike dhe të gjitha investimet publike është duke i transferuar nëpër koncesione, ose partneritete publik-privat siç keni dëshirë t’i quani ose siç preferoni ta quani. Koncesionet janë duke e gërryer buxhetin e shtetit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe koncesionet janë duke u bërë diskutimi primar parësor edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe këtu i referohem FMN-së. Keni sjellë një ligj me koncesione, i cili e rrit me 30% koston e tyre nga viti i kaluar. Është 9.4 miliardë lekë në mos gaboj”, tha Tabaku.
Referuar zërit të shpenzimeve në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, investimet publike kapin vlerën e 86.1 miliardë lekë ose 5.2 % e PBB. Ndërsa të gjitha shpenzimet buxhetore janë parashikuar në vlerën e 496.6 miliardë lekëve.