Shpërndahen 500 certifikatat e para për administratorët e pallateve
Nga sot, 500 pallate në Tiranë do të kenë një administrim më të mirë duke vendosur një standard të ri në zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë banorët në lidhje ambientet e përbashkëta në komunitet.
Bashkia e Tiranës shpërndau sot 500 certifikatat e para për administratorët e pallateve , të cilët do të shërbejnë si zëri i banorëve në marrëdhëniet me Njësitë Administrative dhe Bashkinë e Tiranës.
I pranishëm në ceremoninë e dhënies së certifikatave ishte dhe Kryetari i Bashkisë , Erion Veliaj i cili deklaroi se përmes kësaj nisme jo vetëm që rregullohet bashkëjetesa në komunitet, por njëkohësisht punësohen edhe 500 vetë. “Nisi si një ëndërr ndoshta e pamundur dhe sot është realitet dhe dua që në fund fare t’i jap urimin 500 administratorëve që sot marrin certifikatën për të qenë përfaqësuesit e qytetarisë në çdo pallat dhe në çdo shkallë e lagje të qytetit të Tiranës. Në thelb duhet të pranojmë edhe diçka tjetër, janë edhe 500 vetë që punësohen sot dhe nuk punësohen se i punëson shteti apo ndonjë kompani e madhe, i kanë gjetur punë vetes, kanë bindur të gjithë banorët që janë njeriu ose burri apo gruaja më e ftilluar e pallatit të tyre. Në një farë mënyre sot u urojmë edhe vetëve punë të mbare dhe suksese në punën e re”, tha Veliaj.
Aktualisht 2425 pallate kanë krijuar asamblenë e banorëve duke gjeneruar në këtë mënyrë edhe një numër të konsiderueshëm vendesh të reja punësimi me zgjedhjen e administratorit. Kreu i Bashkisë deklaroi se procesi do të vijojë për finalizimin e zgjedhjes së asambleve dhe të administratorëve edhe për pjesën tjetër të mbetur.
Ndërkohë, nga sot të gjithë pallatet e Tiranës kanë detyrimin të zgjedhin asamblenë e banorëve dhe administratorin brenda 6 muajsh, pasi në të kundërt, atëherë këto pallate do të jenë të detyruara të pranojnë një kompani administruese që do t’ju caktohet nga Bashkia.
“Sigurisht ne do të kemi raste ku nuk do të kemi dakordësi. Përveç 500 administratorëve ne do të certifikojmë edhe kompani administrimi. I bëjmë thirrje të gjithë banorëve o gjeni gjuhën dhe zgjidhni më të mirin prej jush, ose s’ka problem do të zgjedhim ne një, po pallati nuk do të ngelet pa administrim. Kështu që përveç administratorëve individë të zgjedhur në mënyrë demokratike, ne do të certifikojmë edhe kompani edhe në rastet kur pallatet refuzojnë”, tha ai.
Bashkë me certifikimin e administratorëve të pallateve, Bashkia e Tiranës ka menduar dhe për fuqizimin e rolit të tyre duke i dhënë kompetenca që të vendosin sanksione për të gjithë ata që nuk respektojnë normat e të jetuarit në komunitet. “E kemi fuqizuar me ndryshimet që kemi bërë rolin e administratorit. Administratori i pallatit di të ketë edhe mundësi të vendosin gjoba. Besoj se fuqia që i kemi dhënë administratorit edhe për të gjobitur këdo që zapton, saldon, okupon një hapësirë tjetër, bën pis, shkatërron pallatin, sigurisht që ne do të duhet ta disiplinojmë. Dhe fuqia që i kemi dhënë administratorit për të vënë gjobë, bashkuar me fuqinë e bashkisë për t’i vjelë gjobat, është një mënyrë për t’i thënë disa njerëzve që nëse u fute në bashkësinë tonë, respekto rregullat”, u shpreh ai.
Një nga projektet e suksesshëm të Bashkisë së Tiranës është dhe ai i fondit të Komuniteteve. Kryetari i Bashkisë ftoi të gjithë banorët që përmes administratorëve të zgjedhur të aplikojnë për këtë fond.
“Lajmi tjetër i mirë është fondi i komuniteteve. Ajo që unë kam vendosur bashkë me kolegët e Bashkisë është që fondi që këtë vit e kishim 200 milionë lekë, vitin tjetër do e dhjetëfishojmë, do e bëjmë 2 miliardë lekë. Do të thotë t’u japim mundësi të gjithë administratorëve, që ne mund t’i përmirësojmë hapësirat e përbashkëta”, shtoi ai.