Shpërthimet e puneve të naftës në Marinzë, Gjiknuri: Situata nën kontroll
Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri vizitoi fshatin Marinzë pas shpërthimit të një sasie gazi në pusin e naftës në zonën ku punon kompania kanadeze “Bankers Petroleum” dhe tha se situata është nën kontroll, ndërsa u shpreh se, do të kërkohet llogari ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” për shpërthimet që rrezikuan banorët.
Ministri pa nga afër situatën dhe u interesua në lidhje me shqetësimet e banorëve mbi dëmtimet nga shpërthimi i gazit.
Prefekti i Fierit, Xhevit Bushi u shpreh në disa media se, situata po vjen drejt normalizimit. Po merren masa nga kompania “Bankers Petroleum” për të vënë nën kontroll shpërthimin e gazit, që nuk është helmues, sepse nuk është çliruar nga hidrokarburet, bëri të ditur ai. Sipas kompanisë kanadeze, gjithçka ndodhi pas një avarie teknike.
“Do diskutojmë me ministrin për shkaqet e ngjarjes. Bëmë mbledhje me Shtabin dhe me Bankers ku shpjeguan shkaqet teknike. Brenda 5-6 orësh ata flasin për një normalizim total të situatës.
Po bëhen analizat e nëntokës dhe ambientit për të përcaktuar nivelin e ndotjes, nëse është helm apo jo. Situata është drejt normalizimit me masat teknike që janë marrë, por akoma ka gurgullime nga toka.
Fenomeni nuk është i ditur, ka ndodhur një shpim në një pus, ka filluar gurgullimi i daljes në sipërfaqe të inerteve, llava balte, e cila vjen për shkak të shpërthimit që ka ndodhur rreth 1400 metra thellësi që ishte duke u shpuar pusi. Janë duke u marrë masat teknike”, tha Bushi.
Nga zona e dëmtuar janë evakuuar 60 familje, që ishin pranë puseve të naftës, ndërsa vërehet rezistencë e banorëve për të lënë shtëpitë e tyre, ndaj patrullat e policisë janë në terren për të shmangur ndonjë grabitje në banesa.
Një rrjedhje e pakontrolluar gazi ndodhi sot në mengjes në orën 6:00 në një pus nafte në zonën e Marinzës në Fier si pasojë e shpimit në një pus nafte në zonat ku punon kompania kanadeze “Bankers Petroleum Albania” Ltd. Kompania aktivizoi planin e ndërhyrjes për emergjencat në përgjigje të një rrjedhjeje të pakontrolluar gazi natyror në një pus kur po kryheshin operacione shpimi. Sipas saj, nuk raportohen të lënduar, ndërsa gazi që ka rrjedhur është gaz i ëmbël dhe i padëmshëm.
“Stafi operacional dhe i sigurisë i kompanisë në bashkëpunim me qeverinë lokale, kompaninë pulbike “Albpetrol” dhe policinë e shtetit ka marrë të gjitha masat paraprake duke përfshirë edhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e prekur”, njoftoi “Bankers Petroleum”.
Shpërthimi i dy puseve të naftës në fshatin Marinzë ka vënë në rrezik banorët, që kanë ndërtuar prej vitesh banesat e tyre shumë pranë zonës ku nxirret nafta, pasi ujërat nëntokësorë u shpërndanë rreth 200 metra larg pusit duke hyrë në banesa dhe tokat bujqësore.
Mësimi u ndërpre në shkollën e fshatit, pasi ndodhet shumë pranë zonës së shpërthimit.
Operacionet nga “Bankers Petroleum” vazhdojnë për ta ndalur pusin, për të kthyer banorët në shtëpitë e tyre dhe më pas për të filluar punën për pastrimin e zonës së prekur.