Shpërthimet me tritol, Gjykata lë në burg 5 të arrestuarit

Paraditen e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë për personat e arrestuar pak ditë më parë, si të dyshuarit kryesorë të shpërthimeve me tritol ku nuk kursyen as ndërtesën e farmacisë ku ushtronte aktivitet privat babai i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën  burg pa afat për Lumjan Mahmutaj, i cili dyshohet se ishte personi me biçikletë që është filmuar natën e 10 shkurtit, duke vendosur eksplozivin tek farmacia e Tahirit . Po të njëjtën masë gjykata dha edhe për tre persona të tjerë të dyshuar, si autorë të ngjarjeve të fundit me tritol në kryeqytet. Prokurorët që po hetojnë ngjarjet, kanë  arritur në konkluzionin se ishte Mahmutaj autori i vënies së eksplozivit, bazuar ne disa karakteristika të 27 vjeçarit dhe në të dhëna të aparatit të tij celular, natën kur edhe ndodhën shpërthimet.  I pari që ra në pranga si i dyshuar mbi këto ngjarje ishte Emirjon Gjuta, që mendohet se ka shitur kartën SIM, e cila u përdor për shpërthimet. Ai ndonëse nuk e pranoi akuzën, mbeti për 15 ditë në burg dhe me arrestimet e fundit, edhe atij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” pa afat. Mbi shpërthimet me tritol janë shpallur në kërkim Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka.  Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi për arsye hetimi se nuk duhet të nxirren informacione rreth këtyre ngjarjeve, por megjithatë  kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, si dhe prokurorët që po hetojnë shpërthimet, kanë dhënë gjithnjë detaje deri tani dhe vazhdojnë të mos kursehen për mediat.  Gjatë ditës së djeshme, kryepolici Artan Didi tha se pasi të merren në pyetje të arrestuarit e fundit, do të kenë shumë shpejt një autor të këtyre shpërthimeve, teksa besohet se janë pikërisht këta persona që në bashkëpunim me njëri-tjetrin shkarkuan ngjarjet e 10 shkurtit. Dy të tjerët,q ë mendohet se janë krerët e grupit,  janë shpallur në kërkim,  por Didi nuk dha detaje mbi aksionin për arrestimin e tyre, pasi shtoi se ky aksion rrezikonte te dekonspirohej dhe  për këtë arsye nuk u njoftua sistemi Tims. Dyshohet se dy të kërkuarit e fundit  kanë dalë jashtë vendit, në mënyrë ilegale.  

SHKARKO APP