Shpëtim Gjika nga spitali i Tiranës, në prokurorinë e Vlorës

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i vënë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, u arrestua pak ditë më parë, por përfundoi në spital, me probleme shëndetësore. Pas daljes nga spitali Amerikan në Tiranë, ai u paraqit dje për të dhënë  dëshmi në prokurorinë e Vlorës.  Gjika nuk u kthye më në burg pas vendimit të gjykatës, e cila në rivlerësimin e masës se sigurisë ndaj tij, e ndryshoi atë në “detyrim paraqitje” nga “arrest me burg”, që i ishte vendosur në mungesë. Pas kthimit në Vlorë, Shpëtim Gjika mësohet se ka qëndruar në ambientet e organit të akuzës për rreth 20 minuta dhe më pas është kthyer në banesën e tij.  Në zbatim të vendimit të gjykatës së këtij qyteti “detyrim me paraqitje”, Gjika  ka firmosur në prokurori edhe një procesverbal për paraqitjen e tij. Mësohet se përballë prokurorit të çështjes, Gjika nuk ka pranuar të japë shpjegime për akuzat ë i janë ngritur. Kjo seancë, sipas kryeprokurorit të Vlorës, do të kryhet në një moment tjetër. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në mandatin e tij të tretë, është akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve për ndërtimin e një pallati 11- katësh në Vlorë, si dhe pengim te hetimit. Gjika u arrestua më 6 shkurt 2015, ndërkohë që pallati për të cilin ai akuzohet, është bllokuar nga shteti.  Gjykata dha masën e arrestit detyrim me paraqitje duke e argumentuar me gjendjen e tij shëndetësore, por ky ndryshim është apeluar nga prokuroria. Këtë javë pritet që Gjykata e Apelit në Vlorë të caktojë seancën për ndryshimin ose jo të masës së sigurisë për rikthimin e Gjikës në qeli  Më 13 shkurt 2015 Prokuroria e Vlorës ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë. Sipas organit të akuzës, Gjykata ka mbajtur qëndrime të ndryshme për raste të njëjta gjatë pyetjes së të arrestuarve duke lënë të lirë kreun e bashkisë, Gjika, por duke mbajtur në arrest me burg biznesmenin Artur Haxhi, pronarin e pallatit 11-katësh, si dhe shefen e Urbanistikës, Doriana Sulaj, të cilët ndodhen aktualisht në qeli, në pritje të gjykimit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?