Shqetësimet e biznesit për skanimin – Legisi: Të gjendet një “rregullator” për sipërmarrjen
Procesi i skanimit të kontenierëve në dogana, sidomos në atë të Durrësit, është kthyer në një problem mjaft shqetësues për biznesin, kryesisht atë fason. Përfaqësuese e këtij komuniteti, Lindita Legisi, u shpreh në një prononcim për TV SCAN, se Drejtoria e Doganave duhet patjetër të gjejë një “mekanizëm rregullator” që të funksionojë për biznesin, të cilët në jo pak raste humbin tragetet për afate kohore skanimi.
“Në këtë moment që ne flasim, kjo nuk ka një zgjidhje definitive. Pra, nuk ka një rregullator, nuk ka një mundësi se si bizneset ta respektojnë këtë orar. Do të theksoja se bizneset e eksportit që punojnë deri në një orar të caktuar për të nisur mallin brenda ditës, nuk mundet që këtë mall ta përgatisin një ditë përpara, në mënyrë që të kenë mundësi që në orën 9 të paradites të shkojnë pranë portit të Durrësit, të bëjnë doganë dhe të mbajnë radhën deri në orën 3 ose 4, si mund të përgjigjet dikush. Pra, kjo është e pamundur për proceset e vetë punës që ka eksporti, biznesi jonë i fasonit, pra ne punojmë deri në mundësinë e fundit sepse ky është prioriteti që ne e kemi thënë gjithmonë për firmat e eksportit. Shpejtësia me të cilën ne dorëzojmë mallin pranë klientëve tanë është një nga pikat favorizuese që na mban në këtë treg.
Unë mendoj që ekziston mundësia për të gjetur një mundësi për ta sistemuar. Pra këtu flasim për të gjetur një rregullator, që unë e quajta ose një mundësi sistemimi, një mundësi që bizneset të kenë prioritet, sipas trageteve që ato kanë, sipas doganave që kanë dhe njëkohësisht të ndahet biznesi me pasagjerët. Ne nuk kërkojmë asnjëherë që pasagjerët të mbeten në tokë dhe të hipë biznesi, por mendoj që dhe biznesi ka prioritetin e tij. Programi që ai bën për t’u nisur dhe për të ardhur për dorëzimin e mallit, natyrisht mund të ndodhë një herë por nuk mund të ndodhë në mënyrë të vazhdueshme që të mos e respektojë këtë program”, u shpreh Legisi.
Sipas Legisit, shumë sipërmarrje po dëmtohen në aktivitetin e tyre ekonomik, pasi oraret e procesit të skanimit në dogana nuk janë të lidhura me oraret e trageteve, me të cilat udhëtojnë kamionët drejt Italisë. Por edhe pse biznesi fason është përjashtuar nga tarifa e skanimit dhe vlera përballohet nga buxheti i shtetit, përsëri ky komunitet po ndjen “kostot”.