Shqipëria dhe ISIS si produkt i fenomeneve globale

Nga Sadedin Çeliku/ISIS është një pasardhës i Al Kaedës në Irak dhe është formuar në vitin 2006 me emrin ISIS (Islamic state of Iraq) dhe më pas e pagëzuan organizatën e tyre dhe me mjaft emra të tjerë. Sigurisht nuk dua të shkruaj se është apo jo organizatë terroriste, çfarë mëshiron në të vërtetë ajo dhe cilat janë qëllimet e vërteta të kësaj organizate, si paraqitet gjendja në vendin tonë etj. Ajo që më tërheq vëmendjen është: “A ka lidhje kjo organizatë keqbërëse me fenomenet dhe plagët globale dhe si paraqiten ato”?

Qëllimi i ISIS-it është ndryshimi i kufijve në dëm të Irakut, Libisë dhe Sirisë dhe zgjatja e këtyre kufijve pambarimisht, pra kërkojnë një shtet të vetin pa kufij në shtrirje gjeografikisht. Ajo që është e papranueshme, është se kjo organizatë i argumenton veprimet e saj me zotin, lufton në emër të zotit dhe rekruton militantë për luftë po në emër të Allahut, dhe bën krime po në emër të zotit.  Nga ana tjetër ndjehet mjaftueshëm keqkuptimi dhe keqinterpretimi i disa vendeve të fisme, të cilët e identifikojnë luftën në Siri dhe njerëzit që luftojnë atje me islamin apo islamizmin, duke e horizontalizuar e përgjithësuar atë si fenomen.

Dihet se qysh në kohë të lashta feja dhe institucionet e saj janë shfrytëzuar nga politika dhe partitë në pushtet. Kësisoj feja në përmbajtje është pushtet madje, mjaft i fuqishëm. Kështu vërejmë se mjaft përfaqësues të kishës katolike apo ortodokse mbajnë fjalime në mbështetje të një force politike. Këtë e kemi parë në Greqi, Serbi Itali, Spanjë, Rusi e gjetkë. Në këtë logjikë përjashtojmë Vatikanin që në fakt është shtet si dhe të tjerat. Pra ideologjia fetare është përdorur tradicionalisht qysh në kohët e vjetra për të realizuar interesat e pushtetit politik dhe këtë nuk duhet ta diskutojmë.  Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar nuk duhet ngatërruar me atë kundër Islamizmit apo ndryshe kundër njerëzve të besimit mysliman. Kriminelët dhe terroristët nuk kanë fe, nuk kanë ngjyra, nuk kanë besim dhe për rrjedhojë nuk janë besimtarë. Qëllimi dhe administrimi i fesë dhe i Allahut realizohet nga ata për të terrorizuar popujt e pafajshëm dhe krimet dhe gjithçka tjetër në emër të Allahut.  Sigurisht që ISIS, por dhe organizata të tjera terroriste nuk lindin dhe as krijohen pa shkak. Në këtë aspekt ndikojnë një sërë faktorësh ku ndër më kryesoret sipas meje mendoj se janë: Faktorët gjeopolitik, Faktorët social-ekonomik.

Përballë kërcënimit të ISIS, Arabia Saudite në bashkëpunim me vende të tjera krijoi koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit, të përbërë nga 35 shtete myslimane të cilët në thelb kanë mbrojtjen nga “shteti islamik”. Aleanca ushtarake e NATO-s ; Rusia e SHBA-ja nuk kanë treguar efikasitet në zgjidhjen e konfliktit Sirian dhe as në eliminimin e ISIS-it. Kjo ka vënë në lëvizje vendet arabe, të cilët ju frikësohen seriozisht kësaj organizate terroriste.

Insinuatat politike për të lidhur terrorizmin me islamin dhe islamizmin janë dashakeqe, artificiale, e të pabaza.

Invazioni, por dhe ndërhyrja pa vend në vendet e Afrikës Veriore krijoi kushte ideale për formimin e kësaj organizate. Pra, nisma për ti demokratizuar këto vende dështoi dhe përkundrejt kësaj, ajo kontribuoi mjaftueshëm për t’i lënë këto vende në krizë socio-ekonomike dhe të varfra edhe për shumë vite të tjera, fenomen ky që s’është parë ndonjëherë qysh pas luftës së dytë botërore. Likuidimi i Bin Ladenit dhe të disa krerëve të Al Kaedës dhe të kësaj organizate, nuk ka sjellë paqe, as stabilitet global, përkundrazi kriza vazhdon e thellohet pavarësisht deklarimeve se ISIS është dobësuar dhe po lëshon territore.  Problemet gjeopolitike kanë përfshirë pothuajse gjithë botën. Në pamjen e parë duket gjithçka e qetë por në fakt problemet e kufijve kanë arritur temperaturë të larta dhe askush nuk përpiqet ti zgjidhë në rrugë paqësore. Të mos harrojmë se ISIS-e ka me shumicë, që ndryshojnë në formë, kanë një përmbajtje dhe janë të përhapura në të gjithë globin. Kështu kemi problemin Kurd, atë Bask, problemet në Ukrainën Lindore, vendet Baltike, problemin ballkanik etj. Por ka dhe të tjera probleme të nxehta sikurse është problemi i Gadishullit Korean i ndarë në dy pjesë, problemi shqiptar që e kufizon Shqipërinë kudo me shqiptarë etj. Nga ana tjetër kemi mjaft vende, të cilat nuk kanë shkuar ende në konflikt të armatosur sepse kanë pretendime territoriale siç janë ato për ishujt Malvine të pushtuara nga Britanikët dhe të pretenduara nga Argjentina, Gjiblartari i pretenduar nga Spanja dhe Britania, problemi qipriot që pretendohet nga Greqia dhe Turqia dhe më problematiku çështjet ballkanike etj.

Lufta në Ballkan duket sikur i ka sheshuar gjërat por pasojat që do sjellin ndarjet etnike e shoqëruar me kufijtë ka lënë një plagë e cila mund të shpërthejë e të degradojë në të ardhmen në se vazhdon indiferenca e vendeve të unionit europian për zgjidhjen e mjaft problemeve e zgjidhjen e tyre të lëna deri tani pezull. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, popujt kanë të drejtë të vetëvendosin për të ardhmen e tyre, pra për tu ndarë apo për tu bashkuar. Faktori ndërkombëtar për të ruajtur zonat e influencës jo gjithmonë ka lozur rol pozitiv në këtë çështje. Pse duhet të vendosin fuqitë e mëdha bie fjala për bashkimin e dy Koreve, për bashkimin e Kosovës me vendin amë, Shqipërinë, apo dhe mjaft raste të ngjashme. A nuk krijohen premisa për konflikt të armatosur në kësi rastesh ose premisa për tu krijuar organizata të ngjashme për të realizuar politika që nuk mund ti realizojë shteti? Lufta për dominimin e Botës, për ndarjet e zonave të influencës, lufta e pushtimit ekonomik nga vendet e fuqishme ekonomike shpesh lënë shije të hidhur dhe të mos çuditemi aspak kur krijohen probleme e veprime terroriste siç u shfaqën disa raste në Francë, Belgjikë e gjetkë.  Deklaratat e kandidatit republikan për President në SHBA, Donald Tramp për myslimanët dhe myslimanizmin si fe, janë mjaft të rrezikshme e të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen e sigurisë globale, por dhe për vetë Amerikën.

Vendet e fuqitë e mëdha duhet të marrin më shumë përgjegjësi se deri më sot që problemet gjeopolitike të mos çojnë globin në luftën e tretë botërore. Njerëzit kanë të drejtë të jetojnë të lirë, të pavarur, të qetë, dhe në harmoni me njëri-tjetrin dhe askush nuk ka tagrin ta prishë këtë harmoni që të gjithë e duan.

Politikës dhe politikanëve kudo janë dhe këdo përfaqësojnë, i mungon solidariteti politik, gjeopolitik dhe ai social ekonomik. Të gjitha këto probleme, disa të mbartura dhe të tjera të krijuara, nuk kanë lidhje me fenë dhe aq më tepër me Islamin. Asnjë fe nuk është natyrshëm e dhunshme dhe asnjë fe nuk është natyrshëm paqësore. Feja është çështje interpretimi dhe, shpesh, në këtë interpretim, e shohim të bukurën ose shëmtinë, thuhet në një artikull të gazetës Foreign Policy. Sondazhet lidhur me çështjet e sigurisë tregojnë se institucionet fetare janë më të besueshme se ato shtetërore.  Çështja e dytë por e lidhur pazgjidhshmërisht me të parën, janë problemet social-ekonomike. Sot bota vuan nga shumë sëmundje disa prej të cilave janë bërë të pashërueshme. Normat e larta të papunësisë kudo në botë kanë prekur dinamikën social-ekonomike dhe pengojnë zhvillimin e ekonomisë globale. Roli i politikave për punësimin paraqitet i dobët, konkurrenca në tregjet ndërkombëtare, politikat jo efektive agrare, krijimi i përqendrimit dhe i monopoleve, janë disa prej faktorëve që gjenerojnë varfëri. Ky është shkaku kryesor që sipas Bankës Botërore janë larguar mbi 65 milionw njerëz nga vendet e tyre, ku 1/3 janë larguar për shkak të konflikteve.

Kur ish Presidenti i Francës Sarkozy pyeti francezët se si jetoni, ata ju përgjigjën se më keq se një vit më parë. Kur pyeti një vit më vonë, ata i dhanë të njëjtën përgjigje. Atëherë Sarkozy mblodhi nobelistat në ekonomi dhe ju kërkoi të ndryshojnë formulën e llogaritjes së rritjes ekonomike e cila nuk shkon në rritjen e buxhetit familjar dhe në rritjen e mirëqenies sociale. Në Shqipëri raportohet çdo vit rritje ekonomike, por realisht varfëria ka njohur rritje nga viti në vit faktorët e së cilës i kemi analizuar dhe në shkrimet e tjera dhe borxhet e huaja kanë shkuar në limite të frikshme. Nga të dhënat e FAO-s dhjetëra vende në Afrikë dhe në Amerikën Latine nuk sigurojnë bukë gruri për asnjë ditë dhe e kanë zëvendësuar atë me patate dhe ushqime alternative. Ata hanë bukë gruri vetëm natën e vitit ri. Sipas FAO-s deri në vitin 2035 situata do përkeqësohet dhe problem do të ketë edhe Europa. Shkaku zënia e kthimi i tokës në tokë industriale, ngrohja globale dhe rënia e rendimenteve. Pra situata ekonomike, varfëria e të tjera plagë sociale ka ndikuar ndjeshëm në krijimin e grupeve të armatosura e terroriste. Sot mjaft korporata e kompani të mëdha nuk investojnë për teknologjitë e reja, rritjen e prodhimit, shërimin e sëmundjeve të pashërueshme, por investojnë ne bixhoz e eurolotto sepse atje mund të riciklohen paratë brenda ditës. Sigurisht qe në mjedisin e biznesit kanë efekt negative. Islamofobia si fenomen shoqëror në vendin tonë është e pranishme por është e pamonitorueshme nga shteti.

Kujtojmë se në vendin tonë janë financuar e ndërtuar xhami pa lejen e Komunitetit Mysliman dhe funksionojnë mijwra piceri e shitës mishi “Hallall’’ që edhe pse dalin me humbje, ato paguajnë rregullisht drita, ujë e tatime dhe s’merret vesh se nga financohen. Nga ana tjetër në këto biznese shërbejnë njerëz me mjekra, pa uniforma dhe me probleme sa i takon higjienës. Nuk e di se nga i marrin licencat të shoqëruara me certifikatën e higjienës këto njerëz që nuk plotësojnë asnjë kusht. Nga ana tjetër funksionojnë më se një mijë e pesëqind shoqata, fondacione dhe organizata jofitimprurëse, të cilat disa përfaqësojnë shërbimet sekrete të huaja në dëm të Shqipërisë, disa merren me pastrim parash dhe të tjerë injektojnë fenë islame përmes përhapjes kulturave fetare, sponsorizojnë miliona dollarë dhe shërbimet sekrete shqiptare në vend që të merren me objektin konform ligjit e kushtetutës merret me shërbesa politike duke harruar çështjet kryesore që lidhen me mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të identitetit tonë kombëtar.  Lufta kundër terrorit e terrorizmit nuk ka kurrfarë lidhje me fenë. E domosdoshme të studiohen shkaqet e vërteta të ekzistencës së organizatave terroriste, të zbulohen e të parandalohen aktivitetet e paligjshme të këtyre organizatave. Lufta kundër saj është një murtajë që ka ekzistuar dhe më parë dhe kësisoj ato kanë specifikat e veta. E rëndësishme është që kjo luftë të bëhet e studiuar, permanente, e plotë dhe gjithëpërfshirëse pa paragjykime e etiketime.

SHKARKO APP