Shqipëria kërkon 250 milionë euro borxh me BB garant. Financim deficitit dhe borxhit të vjetër

Qeveria shqiptare ka zbardhur detajet e kredisë, që po tenton të marrë në tregjet ndërkombëtare me mbështetjen e Bankës Botërore. Ministria e Financave bëri publike se, shuma e borxhit do të jetë 250 milionë euro dhe do të merret brenda dy muajve të ardhshëm, para datës 30 qershor. 


Javët e fundit, Qeveria ka bërë zyrtarisht njoftim edhe në mediat ndërkombëtare, duke u kërkuar bankave apo investitorëve të tjerë të huaj, që të dërgojnë brenda datës 1 prill ofertat e tyre zyrtare në Ministrinë shqiptare të Financave. Borxhi kërkohet me afat dhjetëvjeçar dhe Banka Botërore do të garantojë 200 nga 250 milionë eurot e paketës.

Kredia, që Qeveria planifikon të marrë duke përdorur garancinë e Bankës Botërore, do të përdoret për financimin e deficitit buxhetor të këtij viti.

Veç kësaj, Qeveria paralelisht do të dalë në tregjet ndërkombëtare edhe për të rinovuar 300 milionë euro të tjera borxh, që ka marrë në vitin 2010 përmes eurobondit. Kjo do të thotë se, në total, gjatë këtij viti Shqipërisë do t’i duhet të gjejë 550 milionë euro financime nga investitorët privatë në tregjet botërore, një shifër gati sa 5% e prodhimit kombëtar.

Qeveria e ka argumentuar vendimin për të marrë borxh të ri në tregun e jashtëm me nevojën për të krijuar më shumë hapësira financimi për ekonominë, pa cenuar burimet e brendshme financiare.

Por, disa nga ekspertët e opozitës thonë se marrja e borxheve të reja nga jashtë rrit rreziqet për ekonominë, në një kohë kur vendi po përballet me rritjen e shpejtë të ripagesave, që shlyejnë borxhet e marra në vitet e para të tranzicionit. Aq sa për vitin e kaluar, për herë të parë, fluksi financiar me jashtë i buxhetit ishte negativ. / Top Channel 

SHKARKO APP