Shqipëria, me krahun më të lirë të punës në rajon
Instituti i Statistikave deklaroi se, një biznes në Shqipëri paguan mesatarisht 55 mijë lekë në muaj për çdo të punësuar që ka. Sipas INSTAT, kjo e bën Shqipërinë vendin me krahun më të lirë të punës në Europë, me diferencë të theksuar nga vendet e tjera.
“2.2 euro është kostoja mesatare për orë pune, në një vend pune me kohë të plotë, në Shqipëri. Ndërkohë që vendi i parë në grafik është Norvegjia, me 57.1 euro, ndërsa vendi i parafundit, pas Shqipërisë, është Bullgaria me koston 3.4 euro për orë pune. Kjo do të thotë 62.8 për qind më e lartë se kostoja në vendin tonë. E parë me këtë sy nga një investitor global, është e qartë se çfarë avantazhi konkurrues për nga kostoja e vendit të punës ofron Shqipëria”, tha Gjergj Filipi, kreu i INSTAT-it.
Krahu i lirë i punës është rezultat kryesisht i pagave të ulëta dhe strukturës së tregut, ku një pjesë e madhe e individëve punojnë në industri që paguhen pak, si fasoni apo “call center”-at. Por Gjergj Filipi thotë se ka edhe një tjetër faktor.
“Kemi koston më të ulët të taksave të punës në rajon. Jemi në vend të parë për këtë”, deklaroi Filipi.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genc Kojdheli thotë se, një tjetër arsye përse në Shqipëri puna kushton më pak, është kualifikimi i dobët i forcës punëtore.
“Ka kompani të gatshme sot të paguajnë edhe më shumë sesa ky minimum prej 2.2 eurosh, por me kushtin që forca punëtore të jetë pak më shumë e kualifikuar. Kjo kërkon një angazhim dhe një vëmendje shumë të madhe ndaj arsimit të formimit profesional”, tha drejtori i SHKP, Genc Kojdheli.
Qeveria është fokusuar në orientimin e të rinjbe drejt arsimit profesional, si një rrugë për të rritur punësimin dhe të ardhurat e familjeve. / Top Channel