Shqipëria me shtet privat!

Nga Zef Shtjefni –

Na kishin mbetur dhe Tatimet pa u privatizuar! Se doganat thuajse i futëm nën kontrollin e privatit, pasi ky Crown Agensi firmë private është. Tani po dëgjojmë se edhe tatimet do t’i privatizojmë! Në kohën e Saliut patëm privatizuar edhe OSSH-në. Ia lamë në derë një firme çeke dhe desh “lamë leshtë” gjyqeve me të. Po shumë mirë që u mbyll në paqe ajo histori e marrë privatizimi, e cila u shoqërua me një mijë djallëzi, për të mos e lënë tjetrin të punojë. Po pse vallë ne shqiptarëve nuk na funksionojnë ndërmarrjet, sipërmarrjet dhe bizneset shtetërore? A thua jemi vërtetë ashtu siç na përkufizojnë, se nuk jemi të zotët të bëjnë shtet? Nuk jemi tashmë shtet i ri ne. Po të mbetesh në shtetformim për 103 vjet dhe në tranzicion për 25 vjet, kjo duket një pikë e zezë turpi e paaftësie. Për të kuptuar se si na funksionon shteti se sa e aftë, sa e ndershme dhe sa patriote është administrata jonë shtetërore, por dhe sa shtet e atdhedashës jemi ne shqiptarët le t’u hedhim një sy vetëm ndërmarrjeve të ashtuquajtura publike, pra shtetërore që kemi akoma në vend.

Deri para pak muajsh energjinë elektrike e vidhnim afro 55%. Kur deshi Qeveria të punojë i vuri në punë strukturat e OSSH dhe Policinë e Shtetit dhe ja vetëm tani pas 25 vitesh, arrijmë të mbledhin thuajse gjithë paratë e energjisë që konsumojmë. Të shohim a do ta mbajmë këtë punë të ngritur. Kur kthejmë sytë nga qielli në çdo qytet e lagje të vendit, merimanga e televe është llahtaruese. Nuk ka shembull në botë për një lemeri të tillë. S‘ka nevojë për koment kjo për këdo që vë këmbën në Shqipëri. Tregon direkt mungesën totale të shtetit në këto vite tranzicioni. Për furnizim cilësor me energji, mos pyet, kjo ka ardhur për arsye të abuzimit tonë masiv me pasurinë publike dhe me administrimin e këtyre resurseve të mëdha që na ka falë zoti dhe puna e madhe dhe aq e mundimshme e brezave që ikën. Të duket se drejtuesit dhe administratorët e këtyre ndërmarrjeve të mëdha publike në këto 25 vite kanë pasur vetëm një merak: si të fshehin apo legalizojnë paratë e vjedhura në ‘to. Le të ndalemi dhe tek ujësjellësi. Pjesa dërrmuese e qyteteve të Shqipërisë e ka me orar ujin nëpër shtëpi akoma, por ajo që e mrekullon këdo që e sheh nga ajri këtë vend, janë cisternat sipër pallateve të vjetra, pa llogaritur pallatet e reja që i kanë ato nëpër bodrume. Është çudi se si nuk është shembur ndonjë prej tyre nga pesha, por kjo ma do mendja që ka për të ndodhur. Nga ana tjetër uji i pijshëm derdhet rrugëve, kopshteve, bahçeve, lavazheve të vendit pa mëshirë, si mall i dreqit vidhet e shpërdorohet uji në çdo cep të Shqipërisë. Sa e sa fonde janë dhënë nga Europa e donatorë të ndryshëm për ‘të, por prapë Shqipëria,vendi që përmbytet më shumë në Europë nga ujërat, ka thatësirën më të madhe për ujë nëpër shtëpi. Mos të flasim këtu për cilësinë e tij dhe nuk ka se si të ketë ujë ky vend, kur sheh se si administrohet kjo pasuri e madhe kombëtare nga administrata shtetërore, se si vidhet e shpërdorohet uji në çdo cep të vendit nga një pjesë e madhe e shqiptarëve. Këtu kujtojmë tani nga ndërmarrjet e ashtuquajtura publike? Hekurudhat! Bu, bu si janë katandisur të shkretat, si relikë të disa shekujve më parë dhe kur mendon sa para, sa mund e djersë të brezave të tërë janë derdhur për ndërtimin e tyre, të vjen mendja vërdallë. Sot kjo gjendje katastrofike e tyre nuk ka ardhur se ato nuk janë rentabile e nuk kanë punë, por kjo gjendje e rëndë është krijuar veç nga keq administrimi e nga mungesa e investimeve dhe nga mungesa e vizionit për ruajtjen e zhvillimin e tyre. Le të shkojmë tani tek shëndetësia shtetërore. Nuk ia uroj kujt të shtrohet nëpër ato spitale të qelbura, se po hyre brenda, vështirë të dalësh shëndosh! Po hyre sëmurë vështirë të dalësh gjallë!

E pra, shumë fonde publike e ndihma gllabëron çdo vit, por aty pak gjëra kanë ndryshuar, edhe pse gjithçka është pasuri shtetërore, bëhet biznes nga i pari deri tek i fundit me sëmundjet, me jetën dhe me ilaçet e të sëmurëve nga mëngjesi në darkë. E kemi falas, na thotë politika, po po falas për të vdekur e kemi, pastaj falas “un corno”, siç thonë italianët. Kur duhet të paguash nga roja te dera e deri te bluza e bardhë e fundit, po deshe ti hedh sytë njeri. Edhe ilaçet e reanimacionit duhet të dalësh t’i blesh vetë, se vështirë të gjendën ndonjëherë në pavijone dhe pse ndodh kjo? Thjesht se doktorët, infermierët, magazinierët, drejtorët, menaxherët e gjithë ulëria e madhe e ujqërve që punojnë në ‘to vjedhin popullin e vet. Kush janë ndërmarrjet e tjera shtetërore që kemi akoma? Mbase janë dhe arsimi, policia, prokuroria apo gjykatat që vajmedet si i kemi, mbase janë dhe bashkitë e ndërmarrjet bashkiake. Po ju pyes më mirë juve që keni punuar e jetuar në Europë, a ju duket se funksionon ndonjëra prej tyre, si andej? Arsimi shtetëror më duket se bën pak konkurrencë me atë privat dhe e them këtë se ai privati shiste diploma, si domate në treg, deri dje. Edhe policia sikur e ka marrë vetën pak dhe është më prezente dhe më e fortë se më parë. Por të tjerat janë si ajo kënga e Çelos: “vaj me det, kë të qajmë më parë”.

Zgjidhjen e problemeve të administratës së fundmi politikëbërësit tanë duket se po e gjejnë tek privatizimi i shtetit. Deri te tatimet u ka shkuar mendja, thjeshtë sepse administrata jonë shtetërore është e paaftë dhe hajdute. Po si mund të jetë e ndershme dhe e aftë administrata, kur mbushet gjithnjë me partizanët e radhës me diploma të blera. Ua kemi varur vetë ujqërve mëlçitë në qafë e pastaj ankohemi, pse i hëngrën. Sa herë ndërrohet një qeveri apo një ekip bashkiak, fshihen me fshesë edhe pastrueset. Nuk kemi shembull gjëkundi në mungesën e sensit të shtetit, të përgjegjësisë për vendin, të dashakeqësisë ndaj atdheut, të babëzisë për të vjedhur çdo gjë e mashtruar këdo. Ndaj mendoj se nuk mund të ecë kurrë vendi përpara me administratë partizane. Nuk do të bëjmë shtet kurrë me administratë partizane! Shteti i partizanëve, nuk është gjë tjetër veç një shtet privat.

SHKARKO APP