Shqipëria në Europë dhe Europa në Shqipëri

Nga Albana Bano/Në intervistën e Kryeministrit Rama për Euroneës, më tërhoqën vëmendjen dy qëndrime të tij: 1. “Duhet  t`i japim fund historive mbi Shqipërinë dhe Ballkanin e korruptuar dhe kriminalizuar, sepse ekziston një stereotip i krijuar ndër vite për të stigmatizuar me lehtësi këto vende”; 2. “BE-ja nuk duhet të ketë zona gri, vende të paanëtarësuara në mes të saj, pasi rrezikon që në këto vende të rritet prezenca e Rusisë apo e fondamentalistëve islamikë që kërcënojnë sigurinë e Unionit”. Së pari, etiketimi i Shqipërisë (nuk po zgjatem dhe tek fqinjët) si vend i korruptuar dhe i kriminalizuar, varet nga disa faktorë si: perceptimi i vetvetes, pra i shqiptarëve, se shteti ku jetojmë është i korruptuar dhe kriminalizuar; perceptimi i të huajve mbi nivelin e krimit apo korrupsionit në Shqipëri; kush ndikon më shumë në stigmatizimin e vendit, vetëperceptimi apo perceptimi i të tjerëve; kush janë të interesuarit për stigmatizimin e Shqipërisë; dhe së fundi si mund të përmbysim imazhin tonë si vend i korruptuar dhe i kriminalizuar?

Konkretisht, sondazhet tregojnë se shqiptarët mendojnë se qeveritë dhe klasa e tyre politike, janë gjerësisht të korruptuara dhe se krimi nuk ndëshkohet. Natyrisht, që flitet për perceptim dhe shpesh herë konkluzionet që nxirren nga perceptimet janë larg realitetit. Megjithatë, në rastin e  Shqipërisë janë pa fund jo vetëm shembuj të korrupsionit dhe të presionit të krimit mbi qytetarët e thjeshtë, por më së shumti, shembuj flagrantë të intimidimit të shtetit nga përfaqësues konkretë të krimit.

Shqipëria nuk është e vetme në Evropë në këto të këqija që i kanë rënë për pjesë. Korrupsion e kriminalitet ka kudo. Dallimi qëndron se në vendet e tjera të ngjashme me ne në kontinent, këto anë negative zakonisht janë në një nivel më të sofistikuar që është më diskret dhe më i shkëputur nga ndikimi, vizibiliteti në publik. Sidoqoftë, ky nuk përbën në asnjë mënyrë, një shembull për t`u ndjekur.

Nga ana tjetër, perceptimi i të huajve (BE-së veçanërisht) për Shqipërinë, bazohet kryesisht në tre komponentë: publiciteti pozitiv apo negativ që i bëhet Shqipërisë në mediat e vendeve evropiane, eksperienca direkte me përfaqësues të emigracionit shqiptar në këto vende, si dhe mungesa e njohurive mbi vendin tonë si pasojë e izolimit absolut gjatë komunizmit. Të tre këta elementë ngrihen në përgjithësi mbi perceptime dhe jo fakte apo analizë racionale. Ndonjëherë ato lindin si hamendje apo fantazi dashakeqe. Ky perceptim i deformuar mundëson krijimin e stereotipave për popullin dhe shtetin shqiptar si të kapur nga krimi e korrupsioni. Por, kujt i intereson stigmatizimi i Shqipërisë? Natyrisht që ka forca të errëta në rajon, pas të cilave fshihen zgjatime akoma më të errëta në kontinent që u intereson imazhi i përmbysur i vendit tonë. Sërish, është e papranueshme që një vend i civilizuar e demokratik siç synon të jetë Shqipëria, të bjerë pre e paranojës dhe të lëshojë gati-akuza inatçore “mbi armikun e jashtëm”. Në fund të fundit, stigma ndaj vendit tonë ekziston si pasojë e dështimit të klasës sonë politike për të ndërtuar shtet ligjor. Stigmat do zhvlerësohen atëherë dhe  vetëm atëherë kur Shqipëria të transformohet në demokraci të vërtetë, kur të zhduken përfundimisht të gjitha hijet e komplicitetit të mundshëm të shtetit me botën e krimit, kur të fuqizohet ekonomia, të integrohet dhe të konkurrojë në tregjet dhe rrjetet ndërkombëtare të bashkëpunimit e zhvillimit.

Së dyti, më habit këmbëngulja e kryeministrit se n.q.s Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit nuk anëtarësohen në BE, atëherë ata do të bien ose në thonjtë e Rusisë, ose në rrjetën e fondamentalizmit islamik. Është të paktën hera e dytë që kryeministri bën një deklaratë të tillë. Jam kurioze të di këtë radhë, me kë e sheh z.Rama më afër Shqipërinë: me Rusinë apo me fondamentalizmin islamik? Gjithashtu, jam kurioze të mësoj se ç`mendon qytetari i BE-së kur dëgjon apo lexon këtë deklaratë të kryeministrit shqiptar? Me kë na asocion ai? Përveç këtyre, jam kurioze të di se mbi cilat argumente e bazon kryeministri këtë skenar të mundshëm të devijimit identitar e shpirtëror të popullit të tij? Pse u përjashtokan mundësitë që vendi, në mungesë të perspektivës në Union, të rreshtohet krah shteteve të tjera në perëndim? Se kryeministri nuk lë shteg: ose me BE, ose me Rusinë, ose me fondamentalizmin dhe jo të tjetër lloji siç qe rasti me Donald Trump, por pikërisht islamik, si ISIS.

Ky aludim është i rrezikshëm për Shqipërinë. Në radhë të parë, ai ndikon direkt në përforcimin e stigmës që ekziston tashmë mbi shqiptarët për të cilën kryeministri u ankua pak më lart. Së dyti, kjo deklaratë tregon se në ç`nivel zhvillimi është vendi, ku kreu i qeverisë deklaron se ka gjasa që shteti t`i dalë nga kontrolli dhe të bjerë në duart e fondamentalizmit, ose autokracisë. A është ky rasti me Shqipërinë? Fatmirësisht jo. Por telespektatori apo lexuesi i Euronevvs që nuk e njeh vendin tonë, do të mendojë ndryshe. Ai do të ketë frikë, sepse do ta konsiderojë Shqipërinë si Tunizia, Egjipti, apo Libia. Ose do ta ngatërrojë me rrjetin e vendeve ish-sovjetike, gjë e cila është njëlloj e gabuar.

Pra deklarata krijon përshtypjen se vendi ka probleme serioze me ekstremizmin fetar, apo prirje për një quasi-diktaturë të dytë. Si rrjedhojë, një vend i tillë jo vetëm nuk është as i gatshëm, as i pranueshëm që të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por nga ana tjetër nuk është as i sinqertë në përkushtimin e tij ndaj demokracisë dhe integrimit evropian. Pse? Sepse që të jesh me BE-në, do të thotë të jesh me dhe të jesh si ajo që BE-ja përfaqëson, t`u qëndrosh besnik vlerave dhe parimeve të saj demokratike, pavarësisht se çfarë do të rezervojë e ardhmja për të dy palët. Dhe  nëse ndjen se nuk je ende plotësisht i tillë, të kesh vendosmërinë e palëkundur dhe vullnetin e hekurt për t`u transformuar në një shtet të denjë për Bashkimin Evropian.

Së fundi, bie apo nuk bie Shqipëria në ekstremizëm apo autokraci, kjo është përgjegjësi vetëm dhe vetëm e qeverisë dhe e klasës politike shqiptare. Integrimi në BE do të ndodhë kur ne të jemi aq evropianë, sa të mos trembemi se diçka tjetër mund të zhvendosë Europën nga mesi ynë, nga shoqëria jonë, nga familjet tona dhe nga fytyrat e fëmijëve tanë.

SHKARKO APP