Shqipëria në prehrin e jugosllavëve dhe më pas sovjetikëve
Nga Skifter Këlliçi -Tragjedia e kombit të copëtuar shqiptar…
Trafaldino është një riosh mendjehollë dhe djallush, personazh i komedisë së famshme të komediografit të madh italian, Goldoni, me titull “Shërbëtori i dy zotërinjve”, shkruar dhe shfaqur më 1775 në shumë skena të Italisë dhe Europës. Këta dy zotërinj janë sa fodullë aq edhe ngrehalucë dhe kësisoj, që të mos dalin në shesh gënjeshtrat e tij dhelpërake dhe për të vijuar rehat-rehat qëllimin e tij të vetëm, të hajë e të pijë qyl, deri sa të velet në kurriz të këtyre dy afendikonj teptilë, Trafaldino, thur ndaj tyre turli historish të pagjasa, plot keqkuptime, belara dhe, doemos, plot hoka .
Rrumbullak 300 vjet pas daljes në dritë të kësaj komedie, pra, më 1945, një tjetër Trafaldino u shfaq, por jo në një skenë teatri, por në një skenë të madhe politike që niste në Shqipëri, vijonte në Jugosllavi dhe përfundonte në Bashkimin Sovjetik. Ky ishte Enver Hoxha, me personazhe të tjera, puthadorë që e rrethonin, i cili fillimthi që u bë shërbëtor i Titos dhe pastaj i Stalinit, për t’u prishur pastaj, por këtë radhë jo vetëm për faj të tij, me zotërinë e fundit sovjetik, Hrushovin dhe, më së fundi edhe me Mao Ce Dunin, duke ia kaluar Trafaldinos, sepse na u bë jo shërbëtor i dy, por i tre zotërinjve. Me një ndryshim sepse nuk qe shërbëtor hokatar, si ai, por vrastar, i zotërinjve po të tillë prej të cilëve kishte mësuar me aq zell këtë zanat të llahtarshëm, dhe me të cilët pati guximin të prishej, por duke vazhduar zanatin e vrasësit të popullit të vet dhe duke e lënë të mjerë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky qe Enver Hoxha.
Është vështirë të gjesh sot në Shqipëri një njeri që të mos dijë se si janë zhvilluar marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e orbitës komuniste, menjëherë pasi në vendin tonë u vendos diktatura e egër komuniste para së gjithash marrëdhëniet, e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe pastaj me Bashkimin Sovjetik. Mirëpo, kur për këto marrëdhënie në një libër me kujtime shkruan, as më shumë dhe as më pak, por Ramiz Alia, të cilin diktatori e mbajti pranë që nga viti 1960 dhe pas vdekjes e bëri edhe trashëgimtar të tij, punët ndryshojnë. Dhe kjo, sepse ky trashëgimtar, siç do ta shohim në dosierin e dytë, si i pari, bazuar në librin e tij “Jeta ime”, (2010), rendit fakte dhe ngjarje që i ka përjetuar, për të cilat ka diskutuar dhe është konsultuar vetëm për vetëm me Enver Hoxhën, veçanërisht pas vdekjes së Hysni Kapos më 1979-ën, deri atëherë e kishte njeriun më të afërm të tij.
Ja përse kujtimet që Ramiz Alia hodhi në këtë libër, para se të largohej nga kjo botë, (2011), veçanërisht rreth raporteve të Shqipërisë me vendet e ish-kampit socialist, marrin kuptim më të gjerë.
Siç dihet, marrëdhëniet midis Shqipërisë me Jugosllavinë u kushtëzuan nga prishja e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, për shkak se Tito, sipas Stalinit, tradhtoi parimet e ideologjisë marksisto-leniniste dhe u bë shërbëtor i imperializmit. Dhe mirë që ndodhi kështu, sepse, ashtu siç po zhvilloheshin ngjarjet, Enver Hoxha, si shërbëtor i neveritshëm i Titos, edhe me miratimin e Stalinit, i la atij dorë të lirë , që të zbatonte planin që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë. Për kët po ndalem në dy shembuj: Gjatë bisedës që Stalini zhvillonte me Titon në Kremlin, më 27-28 maj të vitit 1946, në prani edhe të udhëheqësve të tjerë të të dy vendeve, lidhur më kërkesën e vazhdueshme të Enver Hoxhës që në krye të një delegacioni qeveritar të shkonte në B. Sovjetik, Stalini pyeste Titon:
“Ne vazhdimisht e shtyjmë ardhjen e tyre. Si mendoni ju, a duhet t’i pranojmë?”. Dhe më poshtë: “Tani nuk është e përshtatshme as për ata, as për ne. Më mirë i ndihmojmë ata nëpërmjet jush”. (Sipas studimit të prof. dr. Hamit Kabos dhe prof. asc. Et’hem Cekut, bazuar në arkivat ruse dhe jugosllave). Me fjalë të tjera diktatori sovjetik porosiste Titon që të ndërmjetësonte në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe B.Sovjetik, (?!).
Dhe, megjithatë, përulësia prej shërbëtori të bindur e Enver Hoxhës ndaj “miqve të shtrenjtë jugosllavë”, veç të tjerash, arrinte deri në atë pikë, sa në programet shkollore frëngjishtja, gjuhë ndërkombëtare, që e kishte mësuar në liceun francez të Korçës, të zëvendësohej me…serbokroatishten. Dhe nismëtarë të këtij vendimi të çmendur ishin Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia, aso kohe dhe drejtues kryesorë të Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri-Jugosllavi. (Por Ramiz Alia në kujtimet e tij i bishtnon kësaj së vërtetë poshtëruese).
Pas prishjes së marrëdhënieve me Titon, baba të tij shpirtëror dhe shpëtimtar të Shqipërisë, Enver Hoxha bëri diktatorin e tmerrshëm sovjetik, Stalinin . Kështu vendi ynë u lidh pas Bashkimit Sovjetik dhe filloi të zbatonte si në politikën e brendshme dhe të jashtme, jo më porositë e Titos, por të Stalinit. Pastaj me vdekjen e tij dhe ardhjes në fuqi të Hrushovit, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike filluan të ashpërsoheshin.
Ndaj kapitullin e librit të tij “Jeta ime” ku analizon këtë periudhë të miqësisë shqiptaro-sovjetike, (1953-1961), Ramiz Alia e ka titulluar: “Bashkimi Sovjetik-miku dhe armiku ynë”, me nënkapituj të tillë si: “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik”, ”Shtimi i divergjencave me sovjetikët”, “Bisedimet shqiptaro-sovjetike, prill 1957, ” “Thellimi i mosmarrëveshjeve me PK të BS”, “Në komisionin për përgatitjen e Deklaratës së 81 partive”, “Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste e punëtore” dhe së fundi “Ndarja me sovjetikët”.
Këto kujtime janë shkruar me kaq mall, me kaq frymëzim, me kaq krenari për këtë periudhë dhe për këtë diktator, kur dihet se pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste dhe lidhjes dhe forcimit të marrëdhënieve me Kinën e largët, Shqipëria nisi i të shkonte jo nga perëndimi, por edhe më në lindje, në Kinë dhe ashtu si ky vend i madh dhe shumë i varfër, të izolohej nga bota dhe të katandisej në vendin më të shtypur, më të prapambetur dhe më të varfër të Europë, deri kur Mao Ce Duni, e kuptoi se ky izolim po i sillte dëm Kinës dhe filloi hapjen me botën kapitaliste.
Nuk veproi kështu Enver Hoxha, që e cilësoi të gabuar këtë politikë dhe u shkëput kështu edhe nga Kina. Si pasojë ai e shkëputi Shqipërinë krejtësisht nga bota, dhe e cilësoi si të vetmin vend në botë që “ndërtonte socializmin”, ndërkohë, që siç është vënë në dukje në dosierin “Ramiz Alia, kritik i ashpër i Enver Hoxhës”, (citime dhe komente nga libri i tij “Jeta ime”, 2010), botuar më parë në faqet e kësaj gazete, ky diktator si pasojë e këtij izolimi, u bë ai shkaktari që ne, shqiptarët, të katandiseshim në gjendjen e mëposhtme:
“Në vitin 1990 , ne hymë me mungesa të mëdha që ndiheshin në të gjitha fushat. Industrisë i mungonte lënda e parë, gjë që e detyroi qeverinë të ndalojë punën në disa fabrika. Të ardhurat nga eksporti nuk mjaftonin për të sjellë nga importi mallrat më të domosdoshme për të cilat kishte nevojë vendin. Papunësia shtohej veçanërisht në disa qytete të mëdha, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë etj. Valuta e lirë që dispononte Banka Kombëtare, kishte mbaruar , ndërsa për të kërkuar kredi, as që mund të flitej, askush nuk i jepte Shqipërisë…” (“Jeta me”, faqe 332).
Bazuar përsëri në librin e mësipërm të Ramiz Alisë, të bëjmë së pari një vështrim të shpejtë mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë.
Më pak se katër vjet, (1944-1948), vazhdoi “besa e përjetshme” me fqinjët kufitarë veri-lindorë, sa thirrjet “Enver-Tito!”, na u ngjitën në buzë e mezi na shqiteshin. Është e çuditshme të mendosh se si Stalini, siç e pamë më lart, nuk shfaqi interesa ndaj Shqipërisë, derisa ia la atë që ta mbikëqyrnin “kushërinjtë”, sllavë të Jugut, siç pohon edhe vetë Ramiz Alia në librin e tij, kur shkruan: “Bashkimi Sovjetik, nga ana e tij, menjëherë pas çlirimit , u tregua i përmbajtur për të ndihmuar vendin tonë, sepse ai, siç u duk, ”kujdesin”për Shqipërinë ia kishte e lënë Jugosllavisë.” (faqe 131)
Nën dritën e librit të mësipërm , le t’i analizojmë tani më hollësisht marrëdhëniet shqiptaro-jugosllavo-sovjetike që luajtën rol përcaktues në fatet e popullit shqiptar, për t’u ndalur në një dosier tjetër në marrëdhëniet shqiptaro-kineze.
“Lufta e Dytë Botërore, -shkruan ai në librin e tij, -u fitua nga aleatët, ku rolin kryesor në Europë e pati Bashkimi Sovjetik. Dihet gjithashtu se bashkë me të gjitha vendet e Evropës Lindore Shqipëria u përfshi më zonën sovjetike të influencës”.(faqe 134).
Njëmendësi me të vërtetë e hidhur. Dhe kjo ndodhi, sepse këto vende, që nga Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania Bullgaria dhe Jugosllavia dhe pjesa lindore e Gjermanisë, u çliruan nga Ushtria e Kuqe.
Por jo Shqipëria. Ajo u çlirua nga ushtria Nac. Cl., natyrisht pasi forcat aleate, si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi po i jepnin goditjen përfundimtare Gjermanisë naziste. Ndryshe, pushtuesit nazistë nuk dihet se sa gjatë do ta mbanin të pushtuar vendin tonë.
Më poshtë Ramiz Alia shkruan:
“Pas Luftës së Dytë Botërore nuk qemë ne shqiptarët që vendosëm se në cilën zonë të influencës do të qëndronim. Ishte Jalta , Konferenca e tre të mëdhenjve të Luftës, Stalinit, Ruzveltit dhe Çërçillit , e cila Shqipërinë, (pa e përmendur fare), e la në zonën e sovjetikëve.”(faqe 136).
Çfarë fataliteti! Është me të vërtetë për t’u çuditur se si në vendimet e Konferencës së Jaltës, (shkurt 1945), pra më pak se tre muaj pasi komunistët shqiptarë uzurpuan pushtetin për ta mbajtur më dhunë për gati 45 vjet, Shqipëria nuk është zënë në këtë konferencë në gojë, thua se nuk ekzistonte fare në këtë botë?!.
Mirë që Stalini, siç do të shohim më poshtë, nuk kishte fare haber për këtë vend, i cili nuk kishte pasur kurrë të bënte më sllavët , këtë e marrim me mend, por si është e mundur që të “harronin” Ruzvelti, (1882-1945) dhe Çërçili, (1874-1965), ndryshe nga Presidenti Uillson, (1856-1924), që mbrojti me këmbëngulje interesat territoriale të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Versajë, (1919-1920)…Pra, si është e mundur se në Evropë ekziston një vend i vogël, por me histori dhe tradita të lashta, që ka gjithashtu kulturë të lashtë, që prej 500 vjetësh ka qenë e pushtuar nga Perandoria turke dhe, megjithatë, ka arritur të ruajë gjuhën, që nuk ngjan me asnjë gjuhë tjetër të Ballkanit, ose Evropës, traditat, kulturën, që jo më shumë së 6 vjet para kësaj konference ishte pushtuar nga Italia fashiste dhe pastaj nga Gjermania naziste… Si ishte e mundur?!…
Nuk mjaftonte ky paradoks, por ndodhte ajo më e tmerrshmja, shpjegimin e së cilës na e jep përsëri me sinqeritet Ramiz Alia, kur vazhdon të trajtojë këtë çështje:
“Kjo mund të ishte edhe pasojë e “ndarjes” së zonës së influencës në Jaltë që bënë Çërçili me Stalinin, kur flitej për Jugosllavinë dhe Greqinë, por nuk bëhej fjalë për Shqipërinë, mbase duke e quajtur pjesë të Jugosllavisë.”(faqe 131)
Kjo është një tjetër e vërtetë tragjike që dëshmon edhe njëherë se Europa, madje me keqardhje, duke përfshirë këtë radhë edhe Amerikën, nuk tregoi vëmendje për këtë vend dhe për këtë popull, duke na kujtuar kështu vargjet njohura të Fishtës, të shkëputura nga “Lahuta e malcisë”:
“Uh, Evropë, ti kurva e motit, /Qi t’ra mohit besës e Zotit, / Po ky a shenji i gjytetnis, /Me da tokën e Shqypnis, /Për me mbajt klysht’ e Rusis?”
Pra, ashtu si Kongresi i Berlinit, më 1878, ku kancelari gjerman Bismark mohonte ekzistencën e kombit shqiptar, kongres që me vendimet e tij arbitrare dhe këmbënguljen e diplomacisë ruse shkëpuste nga trungut shqiptar vise të tëra të Veriut, si Plava dhe Gucia, për t’ia dhënë Malit të Zi, kurse Serbisë toka të tjera me popullsi shqiptare, në krahinat e Vranjës, Nishit etj., deri, në afërsi të Gjilanit, ashtu si Konferenca e Ambasadorëve, (1913), instrument i gjashtë Fuqive të Mëdha: Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Rusisë, që lanë brenda kufijve të Shqipërisë gjysmën e tokave shqiptare me vetëm 28 mijë km katrorë dhe i dhuruan plotësisht Serbisë Kosovën, Greqisë Çamërinë, Malit të Zi vise të tjera, me rreth 800 mijë shqiptarë, këtë radhë “tre të mëdhenjtë e mësipërm” vepronin në Jaltë edhe më keq, sepse, pa asnjë vendim, e nënkuptonin Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë. Pra, i jepnin asaj të drejtën që një ditë ajo edhe ta përlante atë…
Lindja-fati kobzi i Shqipërisë!
Ramiz Alia e vazhdon më tej këtë argument që solli si pasojë që Shqipëria të bëhej vend komunist:
“Në Jaltë, – shkrua ai, -midis Çërçillit dhe Stalinit u vendos që Rumania dhe Bullgaria të ishin 80 për qind nën influencën e Bashkimit Sovjetik , ndërsa 20 për qind nën atë të Perëndimit. Jugosllavia 50 për qind nën influencën e BS dhe 50 për qind në atë të Perëndimit. Greqia 80 për qind nën influencën e Perëndimit dhe 20 për qind në atë të BS. Për Shqipërinë nuk është folur fare konkretisht, por ajo, siç duket qartë nga zhvillimet e mëvonshme, është përfshirë në kuadrin e Jugosllavisë , e cila kaloi plotësisht nën ndikimin rus.” (“Jeta ime”, faqe 136)
Ky fat pra i ra “për hise” Shqipërisë. Ç’do të ndodhte sikur “tre të mëdhenjtë “ të merrnin në Jaltë një vendim posaçërisht për vendin tonë, pra që ai të mos konsiderohej në mënyrë trashamane pjesë e Jugosllavisë, sepse nuk ishte vend sllav, por të ishte 80 për qind nën influencën e Perëndimit dhe 20 për qind e BS ? Ose, të paktën, ashtu siç kishte gjykuar Sejfulla Malëshova, që Shqipëria të ishte e lidhur njëlloj si e Lindjen, pra me Bashkimin Sovjetik, meqë Luftën e Nac Cl. e kishte udhëhequr Partia Komuniste dhe me Perëndimin, sepse në këtë luftë kishin marrë pjesë edhe forca që nuk ishin komuniste dhe përfaqësonin edhe drejtime të tjera politike?
Atëherë do të ishin krijuar parti të tjera, të cilat në fakt u krijuan, por atyre nuk iu dha kohë që të zhvillonin fushatën e tyre zgjedhore, sepse zgjedhjet u bënë në fillim të dhjetorit të vitit 1945. Ishte periudha kur midis Shqipërisë dhe vendeve aleate duhet të vendoseshin marrëdhënie diplomatike. Por aleatët perëndimorë vunë disa kushte:
“Së pari, -shkruan Ramiz Alia, -shtruan çështjen që zgjedhjet të ishin të lira dhe të kontrolloheshin nga vëzhgues të huaj. Në fakt, në ditën e zgjedhjeve erdhën vëzhgues të ndryshëm, por sipas opinionit amerikano-anglez zgjedhjet nuk ishin plotësisht të lira.”(“Jeta ime”, faqe132)
Kështu, siç do të shohim, pas zgjedhjesh të rrokaskjashme, me dhunë të egër e premtime për liri demokraci dhe jetë të lumtur, që kurrë nuk u realizuan, komunistët shqiptarë erdhën në fuqi dhe u lidhën fort e më fort pas qerres jugosllave edhe më pas sovjetike .
(Vijon në numrat e ardhshëm)