Shqipëria partnerja e besueshme e Europës – Bushati në Berlin

Në takimin e dy ministrave të Jashtëm, Steinmeier e Bushati në Berlin u diskutua jo vetëm për krizën në Maqedoni, por edhe mbi pritshmëritë nga konferenca e Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet këtë vit në Vjenë.

Gjermania ka besim tek Shqipëria – dhe vendi kandidat i BE-së është mirënjohës për mbështetjen e lokomotivës së Europës: Ky ishte toni mbizotërues në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit të Jashtëm gjerman, Steinmeier dhe homologut shqiptar, Bushati. Takimi i ministrit të Jashtëm gjerman me ministrin shqiptar Ditmir Bushati i zhvilluar në Berlin të mërkurën ( 20 maj) nxorri në pah edhe njëherë marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, siç e theksoi edhe ministri gjerman Steinmeier në fjalën e tij përshëndetëse. Ministri i Jashtëm gjerman vlerësoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtim të BE-së, që nga koha e marrjes së statusit të vendit kandidat. „Shqipëria e ka guximin për të bërë reforma të thella“, tha Steinemeier. Luftimi i korrupsionit, kriminalitetit të organizuar, reforma në drejtësi kërkojnë guxim, tha Steinmeier duke shtuar se nuk dyshon që në Shqipëri ky guxim do të vazhdojë. Qëndrimit dashamirës të ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier, homologu shqiptar, Ditmir Bushati iu përgjigj me tone falënderimi për mbështetjen gjermane në gjithë këto vite që nga rënia e diktaturës. „Kjo mbështetje e inkurajon qeverinë shqiptare të vazhdojë reformat për afrimin e vendit me BE-në“, tha Bushati.

Shqipëria ka interes për një Maqedoni të stabilizuar

Në konferencën për shtyp të dy ministrave të Jashtëm në Berlin vëmendje iu kushtua edhe zhvillimeve të fundit në Maqedoni. Ngjarjet në Kumanovë para më shumë se një jave e tronditën Europën, por edhe e bënë të shohë më me vëmendje drejt rajonit, tha Steinmeier. „Shpresoj që ky të mos jetë fillimi i një shkallëzimi dhe që autoritetet në Maqedoni të përpiqen për zbardhje transparente të incidenteve dhe të kujdesen që të mos kemi incidente të tilla në të ardhmen.“

Mbi ngjarjet në Maqedoni u pozicionua në Berlin edhe ministri i Jashtëm shqiptar. Stabiliteti i Maqedonisë ka për ne si fqinjë të mirë rëndësi të veçantë e po aq e rëndësishme është që të mos preket integriteti territorial i Maqedonisë“ e të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike, u shpreh ministri i Jashtëm Bushati. Në këtë drejtim Shqipëria „do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Europian“ dhe gjithmonë do të luajë një rol konstruktiv në politikën e jashtme, theksoi ai.

Konferenca e Ballkanit Perëndimor: Nga fjalët tek projektet konkrete

Steinmeier përmendi në fjalën e tij edhe angazhimin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ku si „kontribut konkret“ ai përmendi Konferencën e Ballkanit Perëndimor. „Topi tani ndodhet tek fqinjët tanë austriakë dhe do të vazhdojë loja“, tha Steinmeier duke pasur parasysh raundin e ri të konferencës në Vjenë. Shohim se temat po bëhen më konkrete, tha Steinmeier. Do të bëhet fjalë për projekte konkrete infrastrukturore në rajon, për shkëmbimin mes të rinjve dhe çështje që lidhen me shoqërinë civile. „Jemi mirënjohës“ tha ministri i Jashtëm shqiptar që „rajonit i kushtohet vëmendje megjithë këto kohë të vështira. Shpresa e palës shqiptare është që në Vjenë partnerët ballkanikë të paraqesin projekte konnkrete të përbashkëta që do të gjejnë mbështetje. Bushati e vlerësoi procesin e nisur në Berlin si konferenca e Berlinit për Ballkanin Perëndimor si një shtysë që ka sjellë përmirësime edhe në marrëdhëniet me Serbinë.

Por edhe fenomeni i emigrimit nga Kosova dhe në muajt e fundit edhe nga Shqipëria drejt Gjermanisë ka qenë pjesë e bisedimeve të dy ministrave të Jashtëm. Steinmeier lëvdoi shprehimisht palën shqiptare dhe ambasadën gjermane në Tiranë për fushatën sqaruese në vend.

Dwelle

SHKARKO APP