Shqipëria shitet e blihet si mall

Nga Sadedin Çeliku

Në vendin tonë sektori i shërbimeve mbulon një gamë të gjerë aktivitetesh dhe zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në rritjen ekonomike, por dhe për zënien me punë të njerëzve. Te ne janë identifikuar rreth 1700 lloj shërbimesh të domosdoshme pa të cilat nuk bëjmë dot.  Sektori i shërbimeve ka qenë më i keqi në këtë çerekshekulli sepse janë parë si vende pune që mund të pasurohesh për një kohë mjaft të shkurtër.  Indikator i rëndësishëm është dhe kultura dhe mentaliteti që ka populli ynë.  Në këto sektorë kemi manifestuar një kulturë të dobët shërbimi, por dhe një standard mjaft të ulët krahasuar kjo me vendet e rajonit. Kështu ndodh në sektorin e Hipotekës,  në komisionet e kthimit e kompensimit pronave,  në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila pajis qytetarët me leje ushtrim aktiviteti transporti,  leje drejtimi,  kontroll fizik e teknik,  pajisje me targa apo regjistrim automjeti, në administratën vendore ku pajisen qytetarët me leje banimi,  certifikata lindje,  vdekje apo familjare,  adresar,  leje banimi,  celebrime kurorëzimi,  shkurorëzimi,  e shërbime të ngjashme me to,  me pjesën e shërbimeve që merren përmes noterëve si dëshmitë e trashëgimisë,  testamentet etj..

Tani së fundi u informuam se 27 shërbime do të kryhen përmes noterëve duke filluar me hipotekën që janë shumica e shërbimeve për të vazhduar me sektorët e tjerë.  Rastësisht takova një drejtues të sigurimeve shoqërore, i cili më informoi se edhe shërbimet në këtë sektor do kalojnë me koncesion.  Pra, shkurt po koncensionojnë të gjitha shërbimet jo për t’i përmirësuar si standard,  por për t’i nxjerrë shpirtin moshës së tretë.  Pra vendi ynë po shitet e blihet si mall sepse projektet e ofruara deri tani synojnë pasurimin e qeveritarëve në kurriz të popullit dhe të gjitha këto lëvizje na serviren për reforma.  Përfshirja e privatit përmes koncesionit në sistemin fiskal ka rezultuar një përvojë e hidhur dhe deri më tash nuk kanë sjellë asnjë dobi ekonomisë dhe financave shqiptare.  Kështu rezultoi Crovv Agent me doganën,  skanimi po në doganë,  ngjyrosja dhe pullat.  Tani po jepet me koncesion dhe mbledhja e tatimit vlerës së shtuar e cila urojmë të mos dështojë se ndryshe do të kemi të bëjmë me dështimin e qeverisë.  Dhe koncesioni për analizat e moshave nga 45 deri 65 nuk po jep rezultatet e dëshiruara edhe pse mjekët e familjeve e ftojnë këtë moshë të bëjë analizat.  Arsyeja është mungesa e besimit sepse firma koncesionare nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e mjekësisë dhe kësisoj ajo i merr paratë të destinuara për popullin badihava. Tani po përgatiten edhe sektorë të tjerë të jepen me koncesion. Në se këto sipërmarrje (se këto nuk janë reforma) nuk do kenë efektivitet e sukses, atëherë kemi të drejtë të themi se qeveria është e paaftë të drejtojë vendin.

Por numri më i madh i shërbimeve merret nga kontingjenti i punës zezë sepse qeveria dhe pushteti vendor nuk ka marrë mundimin t’i dalë zot asaj pune.  Kështu banorët e qytetarët e zonave të mëdha urbane vijnë vërdallë për shërbimet e një elektricisti kur ka defekt, për një bojaxhi,  hidraulik,  apo marangoz se nuk ka ku e gjen një specialist ndryshe.  Kjo ndodh se ndërmarrjet komunale banesa, të cilat janë nën juridiksionin e bashkive, nuk merren me shërbimet klasike që merresh më parë dhe kësisoj iniciativën ja ka lënë qëllimshëm punës informate, të cilën qeveria pretendon se po e lufton. Janë qindra e mijëra pallate që shërbimet e ashensorit, pastrimin e shkallëve, bojatisje,  etj i bëjnë ata që punojnë në të zezë dhe s’pyet njeri për ligjin sepse nuk ka institucione që të kontrollojnë zbatimin e ligjit. A e dini se këto shërbime janë informale në të gjithë banesat e ministrave, prefektëve, kryetarëve të pushtetit vendor?

Kur ministrat mbyllin sytë dhe ligjvënësit nuk merren me zbatimin e ligjit vaj halli popullin që s’po e pyet kush.  Ndërmarrja komunale banesa e kryeqytetit varet direkt nga Bashkia dhe është thuajse jashtë funksioni. Sikur të fuqizohej ajo dhe të gjitha shërbimet informale e të jashtëligjshme t’i merrte ajo nuk do t’i dilnin as 3000 punëtorë. Kini parasysh që mijëra godina pallatesh që shërbimet për pastrimin e shkallëve, mirëmbajtjen e ashensorëve si dhe shërbimet e tjera për hidraulike, elektrike e marrin nga puna e zezë. Pra, të gjithë ata gjynahqarë që punojnë pa asnjë kusht, pa siguruar, shfrytëzohen barbarisht nga investitorët e pallateve sepse Bashkia e Tiranës nuk do telashe dhe pajtohet me paligjësinë.  E pra strategjia e qeverisë është të identifikojë shërbimet preferenciale nga 1700 të tilla dhe t’i japë me koncesion në emër të reformave dhe përmasimit të standardeve të shërbimit. A kishte të drejtë shkrimtari madh Viktor Hugo kur thoshte se, “luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”. Le të presim dhe ca deri sa të dalim me konkluzion definitive. Një gjë duket qartë.  Koha nuk po punon me qeverinë dhe për qeverinë.

SHKARKO APP