Shqipëria, vendi i korridoreve ekonomike dhe barrierave politike

Nga Marjana Doda – Shqipëria, ky vend i bukur dhe i begatë, i konsideruar si“Zvicra e Ballkanit”, nuk duhej kurrsesi të ishte ky vend që është sot. Që në lashtësi do shfaqej si vendi tek i cili, dhe nëpërmjet, të cilit do të kalonin njerëz dhe të mira materiale. Dhe Shën Pali duket sikur e ka bekuar këtë vend ku në letrën dërguar romakëve shkruan se: “Prej Jeruzalemi, rreth e përqark, deri në Iliricum (Iliri) kam predikuar vazhdimisht Ungjillin e Krishtit”.  Romakët që në shekullin e dytë p.e.s ndërtuan të parin korridor mes Lindjes dhe Perëndimit që do të lidhte Adriatikun me Egjeun, do ndërtonin Via Egnatia, që do të fillonte në Durrës për të vazhduar në Elbasan, Qaf Thanë (Pogradec), Maqedoni, Bullgari e për të dalë në Stamboll (Turqi).  Sipas autorit antik Straboni, ai thoshte që rruga quhej Via “Candavia”, se rrjedh nga emri i një mali Ilir.

Kjo rrugë e projektuar dhe ndërtuar që në lashtësi, pas më se 2000 vjetësh do merrte përsëri rëndësinë e saj, konsideruar si një nga dhjetë rrugët më të rëndësishme të botës, tashmë projektuar si Korridori 8, për të përshkuar shumicën e vendeve të Europës Juglindore nga Bari (Itali), në Durrës-Elbasan (Shqipëri), në Shkup(Maqedoni), në Sofje-portiVarnës (Bullgari) e për të dalë Stamboll (Turqi).
Ky korridor, i projektuar që në vitin 1995 si një ndër veprat më të rëndësishme të BE-së, jo nga të gjitha vendet po kërkohet që të punohet që përfundojë si projekt. Maqedonisë, dhe pse ekonomikisht ky korridor i intereson shumë për të dalë në det në Durrës, më shumë shfaq interes për një tjetër korridor, atë Selanik-Follorinë që e bashkon me Igumenicën. Dhe pse?  Ndoshta albanofobia e shfaqur si një koncept arkaik në Ballkan, ndoshta ndonjë konflikt imagjinar me Shqipërinë, ka bërë që Shkupi të shfaqë më shumë interes dhe ti bashkohet Korridorit10, atij Beograd-Shkup-Athinë. Jo vetëm Shkupi, por dhe vetë Athina nuk është e interesuar për Korridorin 8, pasi e konsideron si aks që shkon paralelisht me Igumenicën, ndaj investon në këtë aks  për të thithur transportin e mallrave. Veç kësaj Greqia nuk po tregon vullnet e dëshirë për korridore me Shqipërinë, por po kërkon ti anashkalojë ato duke iu dhënë prioritet korridoreve të tjerë, si Patra-Igumenicë-Itali, Greqi-Bullgari-Rumani-Rusi dhe Greqi- Kroaci-Slloveni.

Është interesant fakti që dhe pse në një korridor aq te rëndësishëm që nga antikiteti dhe i projektuar në kohët më moderne si prioritet i korridoreve europiane, me një port si Durrësi, që fare mirë mund të konsiderohet si aorta e Ballkanit, përsëri anashkalohet, përsëri zgjat e nuk funksionon si e tillë.

 Kjo, në këndvështrimin tim ndodh për dy arsye:

E para thjesht mungesë interesi e vullneti nga autoritet maqedonase që ky korridor ende nuk ka përfunduar. Funksionon si rrugë, por dhe mallrat që vijnë nga Shqipëria(kryesisht ato bujqësore e blegtorale), iu krijohen barriera në dogana, përkundrejt normalitetit që gjejnë  bizneset maqedonase në tregun dhe portet shqiptare. Kjo ndoshta ekziston përveç të tjerave dhe për ekzistencën e faktorit shqiptar, që gjithsesi në Maqedoni shfaqet gjithnjë si një problem.

E dyta,barrierë e këtij korridori, në një formë a tjetër, janë vetë shqiptarët, janë politikanët shqiptarë. Përveç dy personaliteteve shqiptare të Qeverisë maqedonase në vitin 1997, Abdulmenaf  Bexheti dhe Beqir Zhuta, që bënë përpjekje për zhvillimin e Korridorit 8, por vullneti jo i mirë politik në Maqedoni në përgjithësi  dhe i Kryeministrit Branco Crvnekovski e koalicionit të tij në veçanti, bënë që ato të mbeten një aspiratë dhe pse janë zhvilluar takime të tjera rajonale, si ajo e   përfaqësuesve të 17 vendeve të Europës -Julindore në vitin 2009, ku është miratuar unanimisht deklarata për nxitje të qeverive të vendeve nga kalon ky korridor, por  më pas, pothuajse  nuk është bërë asgjë. Përveçse demagogjia nga vetë politikanët shqiptarë që në fushata elektorale, përbetohen me propagandën e tyre se do punojnë për shqiptarët e tyre dhe vetëm kaq. Kur bëhen pjesë e pushtetit  heshtin sikur të mos ekzistojnë. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 mbetet një ëndërr në sirtar, ndërsa as që bëhet fjalë që të ndikojnë në zhvillimin e korridorit.

Po këtej kufirit me Maqedoninë, çfarë po bëhet?

Asgjë. Dhe pse ky korridor në territorin shqiptar ka rreth 20 vjet që ka filluar, ende nuk ka përfunduar. Me përjashtim të rrugës Durrës- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Vlorë, që i shërben këtij korridori, si dhe ca segmente deri në Elbasan, asgjë nuk është bërë, përveç disa promocioneve turistike, historike e kulturore që i janë bërë me shumë të drejtë për vetë vlerat që ka ky korridor, dhe  kjo realizuar nga agjenci e forume të ndryshme. Në një takim më të fundit të Kryeministrit Rama  më  2015 në Kinë u duk sikur u ndez një dritë në fund të tunelit me shpresën se do të investohet për ndërtimin e rrugës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë.

Ende pa përfunduar këtë korridor të rëndësishëm, në projektet e Qeverisë shqiptare është prioritet ndërtimi i një tjetër korridori (rruge) në drejtim të Maqedonisë. I njohur si Rruga e Arbërit që do lidhë Tiranën me Dibrën, që të lë më shumë përshtypjen e një rruge kombëtare se ndërkombëtare për t’u lidhur me Dibrën e Madhe (Maqedoni). Dhe kjo rrugë trumbetohet më shumë si një arritje e njërës apo tjetrës qeveri (dhe pse ende nuk ka përfunduar),se sa të investohet në ndërtimin dhe përfundimin e saj.

I vetmi korridor që ka përfunduar është Korridori 7, Durrës-Kukës-Prishtinë, njohur ndryshe si Rruga e Kombit, i cili mund të konsiderohet si një korridor tepër i rëndësishëm, i cili përfundon në Nish(Serbi), kjo po të kemi parasysh dhe faktin se lidhet me Korridorin 10. Dhe pse ky korridor ka përfunduar, si në kohën që ka përfunduar, ende sot e kësaj dite lakohet në politikën shqiptare si një barrierë  ku njëra palë krenohet me ndërtimin e saj,pala tjetër akuzon se ka abuzuar në hajdutërinë dhe cilësinë jo të dëshiruar të saj.

Ky është korridor i rëndësishëm dhe për vetë serbët që e kanë pasur ëndërr të tyre daljen në det (Adriatik), kjo po të kihet parasysh se serbët kanë bërë luftë deri në Durrës, ndërsa ka insistuar dhe në Fuqitë e Mëdha që në Konferencën e Paqes në Paris  më 1919 për t t’iu mundësuar dalja në det.
Përtej izolimit komunist në Shqipëri që zgjati për mëse 50 vjet, por dhe të vetë regjimeve totalitare që zgjaten dhe në ish Jugosllavi, si dhe ende në sajë të nacionalizmave të sëmurë, ky korridor për serbët mbetet i pashfrytëzuar ndërsa udhëtojnë me mijëra  km nëpërmjet Korridorit 10 për të dalë në portet greke.

Dhe gjithçka ndodh për të mos kaluar në Kosovë, që ende nuk e njohin si shtet, por që pretendojnë  ndaj saj, ndaj  një diçkaje që dhe vetë Beogradi e kupton që nuk duhet të vazhdojë më kjo histori, por popujt të vazhdojnë të ndërtojnë ekonomitë e tyre në vendet e tyre, që gjithsesi, Korridori Nish-Prishtinë- Durrës  është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e tyre.

Përpos barrierës serbe nga serbët, barriera tjetër jo më pak e parëndësishme janë vetëshqiptarët. Tashmë korridori nuk mund të jetë një prioritet i zhvillimit ekonomik se sa stërzgjatja e tranzicionit të një shteti më të ri të sapoformuar. Siç ndodh rëndom, e keqja e shqiptarëve janë vetë shqiptarët, thjesht për arsye  “vetëvendosje” që trazon vazhdimisht situatën në Kosovë, se vuajnë nga megalomania e njërës palë politike ndaj tjetrës, të njërit politikan ndaj tjetrit.

Megjithë barrierat dhe problemet e korridoreve të mëparshëm, shfaqet një projekt tjetër shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin, Korridori Adriatiko-Jonian (njohur si Korridori Kaltër), ku pas një takimi në Berlin me Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministri Rama në vitin 2014 do ta komentonte si fruti i parë i Konferencës së Berlinit, projektimin e autostradës së kaltër që lidh Triesten (Itali) nëpërmjet Sllovenisë, Rijekës në Kroaci, në Malin e Zi dhe në Shqipëri. Ky Korridor konsiderohet si projekti më i madh që lidh Mesdheun që nga Veriu në Kroaci për të vazhduar në Mal të Zi, në Shqipëri duke e lidhur me Greqinë. Ndryshe njohur si “Unaza e Ballkanit”,  për ndërtimin e kësaj autostrade është rënë dakord mes kryeministrave të Shqipërisë, Edi Rama, atij të Kroacisë, Milo Gjukanoviç dhe atij të Bosnjë-Hercegovinës, Vjekoslav Bevanda, mbajtur menjëherë pas samitit të Berlinit që zhvilloi punimet në Gusht 2014, të cilët e kanë konsideruar se, bashkëpunimi në rajon është shans për zhvillimin e Ballkanit dhe ecjen përpara drejt integrimit dhe si rruga që lidh gjithë rajonin.

Në Shqipëri, disa segmente të kësaj rruge janë ndërtuar, por shumë të tjera duhet të nisin nga fillimi punimet. Rruga ka itinerar:Velipojë-Shëngjin-Patok-Durrës-Divjakë-Seman-Vlorë-Dhërmi-Sarandë-Butrint për të përfunduar në Kakavijë (Gjirokastër) në Janinë (Greqi). Mund të themi se punimet ndaj  një segmenti te rrugës që i shërben këtij korridori, ai Levan (Fier)-Kakavijë ka përfunduar me përjashtim të disa segmenteve të vogla.

Korridori Blu është një ndër korridoret më të rëndësishëm për vendin tonë. Mbi gjithçka përshkon gjithë bregdetin shqiptar dhe në të ardhmen do ti japë një impuls të jashtëzakonshëm zhvillimit të turizmit. Ndonëse një projekt ambicioz, zbatimi i tij do kohë për t’u zbatuar. Dhe pse është një korridor i rëndësishëm për Europën Juglindore, vullneti i  vendeve të rajonit, në dukje pozitiv, do të hasë  në barriera politike.

Mali i Zi, një shtet i vogël që mbahet më shumë  nga të ardhurat nga turizmi, ndoshta nuk do të tregojë vullnetin e duhur për të ruajtur prestigjin aktual të zhvillimit të turizmit, ndërsa faktori shqiptar atje, dhe pse duhet të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjeve, duket i përçarë dhe thuajse nuk ndjehet fare për t’i dhënë rëndësinë e duhur identitetit të tij.

Bregdeti i jugut të Shqipërisë mbetet ndër perlat turistike të rajonit të Mesdheut, për rrjedhojë, Greqia  që gjithnjë duket e “xhelozuar” kur turistët rendin në brigjet shqiptare, i tremben shtimit të fluksit të tyre në këto brigje që janë fare pak kilometra larg ishujve të saj.

Greqia, dhe pse ishte shteti që përfitoji më shumë se kushdo shtet tjetër me hapjen e tregut në Shqipëri pas shembjes komunizmit ( kompanitë dhe bizneset greke më të fuqishmet thuajse janë ato greke, pa përmendur këtu krahun e lirë të punës të qindra mijërave emigranteve shqiptarë që punojnë në vendin fqinjë), çuditërisht dhe fatkeqësisht barrierat greke kanë qenë nga më të lodhshmet dhe më absurdet. Mbajtja pezull e gjendjes së luftës në një vend që aderon në NATO, pretendime për të ashtuquajturin “Vorio Epir”, çështja e Himarës dhe ajo e detit, çështja çame, varrezat e ushtarëve grekë te  vrarë gjatë Luftës Dytë Botërore, presioni I vazhdueshëm në forma të ndryshme ndaj emigrantëve, etj. janë barriera që korridoret të mos funksionojnë sa dhe si duhet për një lëvizje sa më të mirë dhe intensive të mallrave dhe njerëzve për t’i shërbyer sa më mirë mirëqenies së tyre. Në raport me grekët qeveritë shqiptare kanë qenë gjithnjë dorëlëshuar deri dhe në cenim integriteti, po të kihet parasysh marrëveshja me detin.

Parë në tërësi, nisur nga vetë sipërfaqja jo e madhe e vendit tonë, rezulton se përshkohet tërësisht nga korridore të rëndësishme ekonomike që e përshkojnë në çdo skaj këtë vend të mbushur me resurse dhe bukuri të mëdha natyrore, me pasuri nëntokësore (me naftë, krom, hekur-nikel, bakër), me pasuri historike, kulturore etj..

Ajo çfarë duhet të kihet parasysh është fakti se zhvillimet e sotme të ekonomisë botërore kanë bërë që konkurrenca e tregjeve të mos jetë më mes vendeve, por dhe rajonesh dhe që duhet të konvergojnë me iniciativa rajonale dhe me paktin e stabilitetit në Europën -Julindore, që kurrsesi nuk duet të ngarkohet me barriera politike. Në këtë kuadër diplomacia dhe shteti shqiptar duhet të shfaqin publikisht strategjinë dhe qëndrimin gjeopolitik dhe ekonomik të vendit për të bërë lobim, aleanca, marrëveshje, për të qenë sa më konkurrente për t’i dhënë jetë porteve dhe korridoreve të tij dhe të mos merren thjesht më manipulimin e opinionit të brendshëm për interesa të ngushta politike  në dëm shqiptarëve kudo që ata ndodhen.

SHKARKO APP