Shqiptarçe edhe për investimet e huaja

 

Nga Feti ZENELI/E marta e kësaj jave regjistroi dy ngjarje të bujshme me ndikim negativ në klimën e investimeve të huaja në vendin tonë, ku e para lidhet me deklaratën e administratorit libanez Faad Mitri për largimin e kompanisë “Omnix” nga Shqipëria, pas kërcënimit dhe rrahjes barbare të tij nga përfaqësues të botës së krimit, ndërsa ngjarja e dytë ka të bëjë me rikthimin për diskutim dhe miratim në Parlament të projektligjit për importin e mbetjeve urbane. Të dyja këto ngjarje vijnë në një moment kur niveli i investimeve të huaja dhe interesi i investitorëve të huaj për të sjellë kapitalet e tyre në Shqipëri kanë rënë ndjeshëm. Për rënien e interesit të investitorëve të huaj, mjafton të kujtojmë, se investitorët gjerman, fjala vjen, e shohin Shqipërinë si të fundit mundësi për investim në rajonin tonë, ku ne renditemi nga fundi edhe për sa i përket nivelit të përgjithshëm të IHD-ve. Vërtetë Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë një fenomen i kohëve të fundit krahasuar më vendet e tjera të rajonit, por vendi i fundit që ne po mbajmë aktualisht lidhur me një tregues të tillë, nuk është për këtë arsye. Përveç të tjerash edhe përmirësimi i klimës së të bërit biznes në vendet e Eurozonës, ka krijuar mundësi që investitorët e huaj të humbasin interesin e tyre për tregje alternative rajonale, siç mund të përkufizohet Shqipëria dhe vendet e tjera fqinjë. Megjithatë, pa pasur akoma vlerësime paraprake të situatës, mendojmë se në reduktimin e IHD-ve kanë ndikuar jo pak edhe masat e ndërmarra nga qeveria në sektorin fiskal dhe atë ekonomiko-shoqëror në përgjithësi. Taksa progresive ka qenë një impakt rënës në tërheqjen e investimeve të huaja, por të njëjtin efekt ka pasur edhe ulja e konsumit në vend që vjen si pasojë e masave represive në sektorin e energjisë, duke prekur një pjesë të mirë të popullatës shqiptare. Më së shumti, kjo është arsyeja që Shqipëria, dikur vendi i preferuar i kapitalit të huaj, sot është shndërruar në një vend të harruar. Nuk është rastësi që thuajse të gjithë emrat e njohur të biznesit ndërkombëtar kanë mbërritur nga 2007-a deri në 2010-ën. Kësisoj, kompani austriake “Verbund”, gjiganti norvegjez “Shtatcraft”, multinacionalja “Shell” apo qoftë edhe gazsjellësi Transadriatik, janë të gjitha investime të kontraktuara gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që në tre vitet e fundit të vetmet investime që kanë mbërritur në Shqipëri janë, Call Center-at dhe afrimi i një kompanie turke për Skavicën, por edhe kjo përmes një procedure të dyshimtë si korruptive, sikundër po flitet në media.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi para pak kohësh, se Shqipëria ka humbur avantazhin e taksave të ulëta, pasi barra fiskale në vend është rritur fort dhe tani krahasohet me ato të ekonomive të pasura të Bashkimit Europian. Problemi i Shqipërisë është se gjendet në mesin e vendeve me taksat më të ulëta në botë, çka është një dizavantazh i madh për vendin në sytë e investitorëve të huaj. “Maqedonia është një nga vendet me taksat më të ulëta në botë, për shkak se nuk ka taksa mbi punë, por edhe sepse i takson fitimet e biznesit vetëm një herë kur ato shpërndahen si dividentë”, thuhet në raportin e BERZH. Sipas këtij raporti, në Maqedoni, norma totale e taksave është sa 12.5 për qind e fitimeve të biznesit, në Kosovë barra fiskale është 15 për qind, në Mal të Zi 22 për qind, në Bosnjë 23 për qind, në Shqipëri 38,6 për qind dhe në Serbi  40%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 42 për qind të fitimeve të biznesit. Kjo është arsyeja që prodhuesi i makinave luksoze, Aston Martin deklaroi kohët e fundit, se po konsideron Maqedoninë si një nga vendet më të mundshme për të ndërtuar fabrikën e tij të re. Qeveria maqedonase ka qenë tepër agresive në tërheqjen e investimeve të huaja përmes politikave subvencionuese por edhe lehtësive tatimore. Jo rastësisht gjatë viteve të fundit, kanë investuar disa nga emrat më të njohur të biznesit në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2009, gjiganti britanik Johnson Matthey ndërtoi një fabrikë në lindje të Shkupit duke hapur 200 vende pune. Po kështu Termocentrali i ri i kompanisë italiane Diatek filloi aktivitetin e tij në zonën e Shkupit, ku janë punësuar 250 persona. në tetor të vitit të kaluar kompania gjermane Marquardt çeli në Maqedoni fabrikën me 600 punonjës për prodhimin e pjesëve mekanike, ndërsa “Key Safety Systems” një kompani amerikane nisi punën në fabrikën e ndërtuar rishtas në Kërçovë, me 1 000 punonjës. Maqedonia duket se është shndërruar në vendin e preferuar të investimeve të huaja për Ballkanin. Ndërsa, nëse pyet se cili është investimi më i bujshëm i mbërritur në vend tonë gjatë dy-tre viteve të fundit, përgjigja është kompania automotive gjermane, Forschner, e cila ka 75 të punësuar. Ky është “nderi i humbur” i investimeve të huaja, që sidomos për periudhën 2005-2013, na kanë zbardhur faqen në plotësimin e kushteve për realizimin e një sërë procesesh të rëndësishme integruese në strukturat euro-atlantike.

Duke parë shifrat e flukseve të IHD-ve gjatë viteve të tranzicionit, kemi panorama të larmishme të tyre. Është e qartë se prej fillimit të pluralizmit e deri në vitin 1996, ka patur një tendencë rritëse të kapitalit të huaj në Shqipëri. Vlen të theksohet se gjatë viteve ‘95-‘96, skemat piramidale ishin në kulmin e tyre, dhe një faktor i tillë duket të ketë ndikuar negativisht në investimet e huaja. Në vitin 1997 vendi hyri në një periudhë paqëndrueshmërie ekstreme, që erdhi si pasojë e përmbysjes së këtyre skemave piramidale. Menjëherë pas krizës së vitit ‘97, investimet e huaja u ulën me 50 për qind, në krahasim me ecurinë e tyre më të mirë gjatë viteve ‘95-‘96. Imazhi i Shqipërisë pas kaosit institucional dhe shoqëror linte shumë për të dëshiruar dhe në atë periudhë përmirësimi dukej tepër larg. Kriza e Kosovës në vitin ‘99 ishte një tjetër faktor, i cili pati ndikim negativ në uljen e investimeve të huaja, që nuk shkuan më shumë se 41 milionë dollar dhe përbën vlerën më të ulët që është arritur në këtë drejtim. Qeveria socialiste e mesvitit ‘97 zbatoi një program paskrizë, të mbështetur edhe nga donatorët ndërkombëtarë duke thelluar edhe më tej reformat strukturore, veçanërisht në fushën e privatizimit të ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha si edhe të atyre strategjike, gjë që u vlerësuan pozitivisht edhe nga raporti i FMN-së në vitin 2005, kohë kur pushteti kaloi në duart  e demokratëve. Hyrja totale e investimeve të huaja në Shqipëri për periudhën ‘92-‘99 ka qenë rreth 458 milionë dollarë. Në vitin 2000, investimet e huaja kapën vlerën e 190 milion dollarëve, vlerë e cila u rrit edhe më tej në vitin 2001, për shkak të shitjes së suksesshme të AMC-së tek operator grek – “Cosmote”, investimeve të mëtejshme nga Vodafone në po këtë degë si dhe lidhjen e “Albkrom” me kompaninë Italiane “Darfo”. Në periudhën 2002-2003 pati një ulje të nivelit të IHD-ve, krahasuar me vitin 2001, duke arritur një vlerë prej 195 milionë dollarë, ndërkohë që në vitin 2004 ato u rritën në 340 milionë dollarë. Kjo rritje u ndikua nga shitja e Bankës së Kursimeve për rreth 200 milionë dollarë, e cila u ble nga Raiffaisen Bank në Austri. Duhet shtuar gjithashtu se deri në fund të vitit 2004 u privatizuan pothuajse të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shtetërore në vendin tonë. Viti 2005 u karakterizua nga një rënie e këtyre investimeve deri në 275 milionë dollarë. Viti 2006 e më vonë 2007 dhe 2008 u dalluan për një rritje të theksuar të investimeve të huaja. Për vitin 2009, ato u vlerësuan të ishin në shumën e 996 milionë dollarë ose 22 milionë dollarë më shumë nga viti 2008. Kjo rritje e fluksit të investimeve u sigurua kryesisht përmes procesit të privatizimit të sektorëve strategjikë, një sërë masash të tjera për krijimin e zonave dhe parqeve industrial, investimeve në infrastrukture, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përmirësimit në fushën e legjislacionit. Në fund të vitit 2010, vlera e investimeve të huaja direkte ka arritur në 1.05 miliardë USD, që është edhe vlera më e madhe e arritur gjatë periudhës së tranzicionit, si rezultat i thithjes së tyre në sektorin hidroenergjetik dhe atë të hidrokarbureve. Në vitin 2011 investimet e huaja arritën në 1.03 miliardë dollarë, kundrejt 957 milionë dollarëve që ishte kjo vlerë ne vitin 2012. Duke filluar nga viti 2013 e në vazhdim niveli i IHD-ve ka rënë vazhdimisht. Investimet ranë për të dytin vit radhazi në 2015 ndërsa fluksi i tyre zbriti në 720 milionë euro nga 812 milionë euro që u llogaritën më 2014. Sipas projeksioneve të FMN parashikohet një rritje e lehtë e flukseve të investimeve të huaja për vitet 2016 dhe 2017 për shkak të kulmit të punimeve në dy veprat e mëdha, Gazsjellësi Trans Adriatik dhe projektet e hidrocentraleve të kompanisë Statkraft në Devoll, por po të kemi parasysh që këto janë investime të kontratuara para vitit 2013, mund të themi që klima e të bërit biznes në këtë drejtim është përkeqësuar ndjeshëm 3-4 vitet e fundit. Rasti me flagrant është largimi i kompanisë “Omnix”, që do të fillonte këto ditë punimet për ndërtimin e një resorti luksoz turistik në Gjirin e Lalzit në vlerën ë 1.5 miliardë eurove, pas masakrimit banditesk të përfaqësuesit të saj, Faad Mitri.

Investimet e huaja direkte janë një indikator i rëndësishëm për matjen e besimit të investitorëve të huaj në një vend të caktuar. Ato rriten në kushtet e përmirësimit të ambientit ekonomik e politik dhe ulen në kushtet e krizave të kësaj natyre. Për investitorët e huaj vendi ynë ofron burime natyrore të pashfrytëzuara, rregulla liberale për tregtinë, afërsinë me tregjet europiane, sektorë të shumtë në privatizim dhe koncesion, kosto të ulëta pune, fuqi punëtore të edukuar dhe teknikisht të trajnuar, materiale të lëndës së parë me çmime shumë konkurruese, pozitë gjeografike strategjike dhe aftësinë e shqiptarëve për të folur gjuhë të huaja të ndryshme. Megjithatë, këto avantazhe zhvleftësohen para historisë së paqëndrueshmërisë së vendit, keqqeverisjes, tensioneve rajonale, infrastrukturës së varfër dhe mungesës së funksionimit të tregut rajonal dhe tash së fundi edhe inkurajimit që ka marrë së fundit elementi kriminal, që nuk ndeshet më vetëm në rrugë, por ka arritur të depërtoj deri në institucionet më të larta të shtetit dhe shoqërisë. Arritja e objektivave të demokracisë dhe shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe trafiqeve, tregu i lirë dhe me rregulla, eliminimi i barrierave administrative, progresi në infrastrukturë, zhvillimi i burimeve njerëzore, zgjerimi dhe veçanërisht modernizimi i sektorit financiar, stabiliteti makroekonomik, janë të gjithë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për rritjen e masës së investimeve të huaja. Ofrimi i lehtësirave në formën e parqeve industriale, lehtësirave fiskale, lehtësimit të partneritetit me biznesin vendas, si dhe pasurimi e intensifikimi i informacionit mbi mundësitë për biznes në Shqipëri duhet të jenë disa nga programet specifike për nxitjen e IHD-ve. Fuqizimi i kapacitetit rregullator mbi tregun, vendosja e konkurrencës dhe eliminimi i informalitetit në ekonomi, garantimi i të drejtave pronësore e zgjidhja e konflikteve të trashëguara, liberalizimi i procedurave për hyrjen në treg dhe integrimi më i shpejtë me tregjet rajonale e të BE, dhe mbi të gjithë lufta pa kompromis kundër elementit kriminal, mund të krijoj kushte që në vitet e ardhshme, gjysma e nevojave për investime të ekonomisë shqiptare të përballohen nga Investimet e Huaja Direkte. Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, vijojnë të mbeten të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve në masën 27 për qind, në atë të energjetikës me rreth 25 për qind, ndërtimi në masën 17 për qind dhe sektori i telekomunikacionit me 6 për qind. Ndërkohë, rënia më e madhe e tyre vërehet në sektorin e hidrokarbureve. Kështu që e ardhmja integruese e ekonomisë shqiptare mund të paraqitet edhe shumë më problematike, në se ajo nuk shihet e lidhur ngushtë me shtimin e investimeve të huaja në vendin tonë.

Në një farë mënyre zhvillimi i demokracisë në vendin tonë, ashtu si dhe në vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes u konceptua fillimisht si mbështetje financiare e institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve të tjera të zhvilluara perëndimore, që e përkufizuar ndryshme do të thotë, bum investimesh të huaja në këto vende, gjithnjë sipas kushteve të përgatitura nga ato vetë. Duke iu referuar eksperiencës së integrimit të tetë vendeve të para ish-komuniste të Europës Lindore në Bashkimin Europian në 1 maj 2004, konstatojmë shifra të konsiderueshme investimesh perëndimore në këto vende. Për 14 vjet tranzicion para integrimit europian të këtyre vendeve, hyrjet progresive të investimeve të huaja direkte kanë qenë rreth 100 miliardë euro. Më shumë nga të gjithë ka përfituar Polonia 40 miliardë euro, Çekia 35 miliardë euro dhe Hungaria 20 miliardë euro. Shuma jo të vogëla investimesh kanë përfituar edhe vendet e tjera ish-komuniste që vazhdojnë të aplikojnë për t’u anëtarësuar në BE, duke përfshirë këtu edhe vendet e rajonit tonë. Statistikat tregojnë se Shqipëria është vendi i fundit në Ballkan, për rrjedhojë dhe në Europën Lindore që ka thithur më pak investime të huaja direkte gjatë viteve të tranzicionit. Investimet e huaja direkte janë një segment shumë i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik të një vendi, për shkak të efekteve pozitive që ato sjellin. Por nga ana tjetër, volumi e investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare duhet të jetë shumë herë më i madh se sa në vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes, edhe për faktin se Shqipëria trashëgoi nga e kaluara një ekonomi tërësisht të pazhvilluar dhe të paintegruar. Baza materialo-teknike e socializmit shqiptar, me përjashtim të një pjese mineralesh, disa produkteve bujqësore dhe bimëve medicinale, nuk arriti të standardizojë asgjë tjetër për tregun e zhvilluar evropian dhe atë botëror. Ky nivel i ulët zhvillimi përbën një apel të fuqishëm për rolin e Investimeve të Huaja Direkte në zhvillimin e duhur të ekonomisë shqiptare për periudhën e mbetur të integrimit.

SHKARKO APP