Shqiptarët do të paguajne 65 mln euro në 2018-ën

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë 65 milionë euro vitin e ardhshëm për koncesionet e dhëna nga qeveria. Shifra është bërë publike në projektbuxhetin e vitit 2018.

Sipas draftit, pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojnë për të paguar koncesionet e shumëpërfolura të shëndetësisë, përkatësisht dializës, check-upit dhe sterilizmin. Pjesa tjetër vjen nga koncesioni i skanimit, ai i inceneratorit të Elbasanit dhe paagesat për rugën e Arbrit.

Krahasuar me këtë vit fatura e koncesioneve rritet me 10 milionë euro. Barra që qytetarët paguajnë për konçesionet do të vazhdojë të rritet nga viti në vit, për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja.

Sipas përllogaritjeve në buxhetin e këtij viti, për 7 vitet e ardhshëm qytetarët shqiptarë do të paguajnë minimalisht 520 milionë euro për koncesionet. Por shifra reale mund të jetë dukshëm më e madhe për shkak të kontratave që vazhdojnë të jepen.

Koncesionet arrijnë 4.2 miliardë euro

Vlera totale e kontratave konçesionare të dhëna nga qeveria ka arritur në 4.2 miliardë euro, ose 36.2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Pas presioneve të FMN, qeveria u detyrua të publikojë në ligjin e buxhetit vlerën e kontratave konçesionare, që janë dhënë deri më sot.

Në nenin 19 të buxhetit ajo thotë: “Tavani për vlerën totale të kontratave për të gjitha PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, është 36.3% e PBB-së”.

Shifra prej 36.3 për qind e prodhimit paraqet stokun e të gjitha konçesioneve. Ajo përmbledh vlerën totale të investimeve për hidrocentralet, atë të kontratave të shërbimeve për të gjithë kohëzgjatjen e tyre, si dhe vlerën totale të veprave të tjera publike si rrugë apo ujësjellësa, të cilat janë dhënë me konçesion.

Image

SHKARKO APP