Shqiptarët pajtojnë të tjerët, por s’pajtohen në mes veti!

 

Zaevi dhe Gruevski shkuan në Bruksel për të rrafshuar dallimet e perceptueshme për politikën dhe demokracinë, pra të pajtohen në mes vedi, kurse Aliu dhe Menduhi udhëtuan atje për ta parë veten në pasqyrë se sa të mjerë janë kur dallimet e tyre nuk mund t’i rrafshojë as interesi i përbashkët kombëtar

 

Nga Emin Azemi

Bisedimet e liderëve nga Maqedonia që zgjatën më shumë se 12 orë në Bruksel, përfunduan pa marrëveshje. Ky nuk ishte ndonjë lajm që nuk pritej. Lajmi i vetëm që mund të prodhojë situata të paparashikueshme është paralajmërimi se BDI ka gjasa ta braktisë qeverinë, me çka do të krijoheshin parakushtet për përshpejtimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Dëshpërimin e vet në Twitter menjëherë pas dështimit të marrëveshjes e ka shprehur edhe eurokomesari Johannes Han.

“Ende nuk ka marrëveshje definitive në bisedimet për IRJM. Jam shumë i dëshëpruar nga mungesa e përgjegjësisë dhe lidershipit të disa politikanëve .Qytetarët meritojnë më tepër: demokraci, sundim të ligjit dhe ardhmëri europiane. Nuk do të dorëzohemi!”, ka shkruar Hahn.

Sipas burimeve nga Brukseli, siç marrin vesh mediat në Shkup, Gruevski nuk është pajtuar që ta lëshojë funksionin e kryeministrit kah mesi i tetorit, ashtu siç ishte propozuar, si arritje e kompromisit. Ai kishte ofruar lëshimin e këtij funksioni në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm. Përveç kësaj, Gruevski ka qenë i gatshëm t’ia lëshojë LSDM-së pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, si dhe disa bashkëministra që do të kishin të drejtën e vetos në çdo vendim.

Mirëpo pikërisht kohëzgjatja e mbetjes së Gruevskit kryeministër ishte pika kryesore e mosmarrëveshjes në mes të dy liderëve maqedonas.

Për të mbuluar përgjegjësitë personale për këtë dështim bisedimesh, kryeministri Gruevski dhe lideri i LSDM, Zora Zaev, dolën me akuza të ndërsjella për mosarritjen e një marrëveshjeje.

Gruevski e akuzoi Zaevin se nuk dëshiron marrëveshje sepse frikësohet prej zgjedhjeve, kurse Zaevi tha se zgjedhjet që do t’i organizonte Gruevski nuk mund të jenë fer dhe demokratike.  Zaevi e la të hapur mundësinë e vazhdimit të bisedimeve dhe paralajmëroi se do të vazhdojë me publikimin e “bombave”.

Në Bruksel politikanët e Shkupit biseduan për problemet që i kanë maqedonasit në mes veti. Për ta bërë më tragjikomike këtë maskaradë bisedimesh, aty ishin edhe dy liderë shqiptarë. Edhe ata janë shumë të interesuar që Gruevski dhe Zaevi të pajtohen përfundimisht, sepse kënaq e kanë ata vetë në mes veti. Vërtet, çfarë lezeti ka kjo dynja kur i shohim Gruevskin e Zaevin të hidhëruar e të përlotur, sepse kjo është bërë sebep që edhe liderët tanë, të ashtuquajtur shqiptarë, nuk po e çojnë mirë në mes veti. Zemër është kjo jahu, mund të pëlcasë një ditë nga marazi dhe zemrat e politikanëve pëlcasin gjithmonë kur problemet e huaja bëhen si të tuat, kurse me problemet e tua merret “vëllai i madh” i koalicionit (keq)qeverisës. Turqit kësaj i thonë allishverish, kurse ne shqiptarët në mungesë të një shprehjeje adekuate i themi “me naj fajt pa pajt”.

Pra, Brukseli të mërkurën ishte nikoqir i do politikanëve provincialë, që hasmërinë e tyre e kanë bartur edhe në kryeqytetin politik të Europës dhe krejt fati i këtij shteti të lodhur ballkanik tash e tutje do të varet nga disponimi dhe gatishmëria për të pi kafe dy politikanët maqedonas. Pra kur është mirë Gruevski e Zaevi, është mirë krejt Maqedonia deri në Grupçin, paçka se askujt s’po i intereson se çka po ndodhë përtej Grupçinit, përtej Llopatit, përtej urës së Bit Pazarit, paçka se po bëhen 14 vite nga MO (Marr. Oh.) dhe politikanët shqiptarë ende janë në konflikt të hapur me zgjedhësit e tyre për defektet marramendëse në implementimin e kësaj marrëveshjeje. Ende gjuha shqipe ka status të cunguar, ende në vendbanimet shqiptare investimet e munguara të shtetit i kompenson qesja e djersitur e kurbetit, ende qendra urbane e Shkupit perceptohet nga publiku si teatër gjigant i frustrimit primitiv arkitektonik, ende ka njësi elitare ushtarake e policore pa shqiptarë, ende gjyqet ndajnë drejtësi selektive në bazë të proceseve të montuara për shqiptarë, ende ministra provincialë përmes telefonit përdorin gjuhë fashizoide për shqiptarët, ende ato pak biznese të shqiptarëve kontrollohen nga një njeri i fuqishëm i shërbimeve sekrete maqedonase, ende po dëgjojmë biseda agjentësh të involvuar në ngjarjen misterioze të Kumanovës, dhe askush nuk merr masa që kjo ngjarje të zbardhet dhe hetohet ndërkombëtarisht, ende votuesit e vdekur maqedonas vlejnë më shumë se votuesit e gjallë shqiptarë, ende është në qarkullim publik “Makedonska Enciklopedia”, e cila shqiptarët paturpësisht i paraqet ardhacakë dhe zaptues të tokave të buta sllave, ende shqiptarët nuk gëzojnë mbrojtje të dinjitetshme nga politikanët shqiptarë, sepse këta të fundit janë të kapur dhe shantazhuar nga partneri i koalicionit dhe kot u biem në qafë atyre kur as ata vetë nuk e dinë si do të përfundojnë, ende buxheti i shtetit i shpëton “infarktit financiar’’ falë remitancave të mërgimtarëve shqiptarë, por në këmbim të kësaj, ata nga shteti marrin me bollëk projekte që diskriminojnë kulturën dhe historinë shqiptare, që orientojnë biznese vetëm në vendbanimet maqedonase etj. Ende….ende….

Por, të mërkurën në Bruksel nuk u bisedua për këto “cikërrima”, sepse atje kemi një hall më të madh – si të pajtojmë Gruevskin me Zaevin. Këtë hall ka edhe diplomacia europiane, madje ajo caktoi edhe një ndërmjetës të posaçëm, i cili edhe kohën e tij të lirë dedikuar familjes, po e konsumon në gjetjen e lodrave sa më të përshtatshme për të pajtuar fëmijët e lazdruar të Shkupit. E kuptojmë këtë hall, sepse vetëm kur qan fëmija, ne bëhemi të prekshëm, sensitivë, reagues për ta kthyer vajin në buzëqeshje. Dhe vetëm kur fëmija qetësohet, ne mund t’ia fusim gjumë. Zatën e keni pa në çfarë përgjumje ndërkombëtare kemi futur gjithë botën ne shqiptarët e Maqedonisë. Sepse ne nuk i kemi hallet që i ka Gruevski e Zaevi, pra nuk bëhemi marroq të qajmë arsye e paarsye… Ne, përpos që diskriminohemi “ngapak” institucionalisht dhe sistematikisht, nuk kemi halle të tjera. Ne, që na kahet nana tuj shku në kurbet për të mbajtur familjet dhe një pjesë të arkës së shtetit, nuk kemi ndonjë diskriminim tjetër. Ne, që thyejmë duar e këmbë tuj votu politikanë të korruptuar, për t’i instaluar më fuqishëm në sistemin perfekt të zhvatjes dhe haramballshëkut, nuk kemi arsye baco të qahemi.

Në Maqedoni qajnë vetëm ata që iu mungon demokracia, por ka shumë zemërgjerë e bujarë që u ndihmojnë atyre të pajtohen. Këta zemërgjerët e bujarët, që rastësisht flasin shqip, janë në paqë me pseudondërgjegjen e tyre, sepse përfaqësojnë një masë të madhe njerëzish që as nuk qajnë, as nuk protestojnë, as nuk rrahin policë, as nuk thyejnë xhamat e ndërtesës qeveritare.

Brukseli dhe shqiptarët ndodhen në një distancë bukur të madhe, por atë e kemi më afër se kurdoherë me paradoksalitetin e qasjes ndaj problemeve në Maqedoni, në kohën kur pikërisht në Bruksel, në një sallë tjetër, po rrafshohen dallimet historike në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Është po i njëjti Bruksel që në njërën anë po pajton popuj në mes vedi (Kosovën dhe Serbinë) dhe në anën tjetër po e pajton një popull (maqedonas) me vetveten. Zaevi dhe Gruevski shkuan në Bruksel për të rrafshuar dallimet e perceptueshme për politikën dhe demokracinë, pra të pajtohen në mes vedi, kurse Aliu dhe Menduhi udhëtuan atje për ta parë veten në pasqyrë se sa të mjerë janë kur dallimet e tyre nuk mund t’i rrafshojë as interesi i përbashkët kombëtar.
Kush mund t’i zëvendësojë ata???

SHKARKO APP