Shqiptarët që kontribuojnë për vlerat e kombit
Nga Aurenc Bebja
(Francë – 23 Prill 2016)
Rastet janë të shumta ku shqiptarët falë aftësive (talentit) të tyre dhe sipas fushave të ndryshme, më bëjnë të ndjehem krenar për faktin se kontribuojnë në rritjen dhe ruajtjen e vlerave të popullit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve të tij. E kam të pamundur të mos përmend Eliza Dushkun me reportazhin e saj « Dear Albania », ose fotografin e talentuar Fadil Berishën, i cili ka fotografuar yje me famë botërore, apo yllin e popit, Rita Orën, që tashmë njihet kudo.
Nuk mund të anashkaloj gjithashtu, nobelistin në mjekësi Ferid Murad, shkrimtarin shqiptar më të njohur në botë, Ismail Kadare, shkencëtaren kozmologe Laura Mersini, aktorët James Belushi dhe Blerim Destanin, sopranon Inva Mula, kërcimtarin Tony Dovolani, futbollistin Lorik Cana, shkencëtarin Aref Mathieu, i cili sigurisht po hedh dritë mbi Kombin shqiptar, apo së fundmi edhe sportisten Majlinda Kelmendi që përveç faktit se fitoj në Kazan të Rusisë titullin kampjone e Evropës në xhudo, bëri gjithashtu që flamuri kosovar të ngrihet në vendin që e mohon më shumë, pas Serbisë, pavarësinë e Kosovës.
Në Shqipërinë postkomuniste dhe Kosovën e pavarur, Made in Albania po rritet çdo ditë, falë ambasadorëve të mësipërm, por edhe të tjerëve, të rinj, që fatmirësisht po shtohen dhe kontribuojnë të flitet akoma dhe më shumë për Kombin tonë.
Për shembull, mbrëmjen e 21 prillit, rastësisht, po dëgjoja dhe shikoja NRJ Music Francë (Televizion dhe radio prestigjoze franceze), kur papritur shfaqet një videoklip shqip. Bëhet fjalë për këngëtaren Era Istrefi, ku me këngën e saj « Bonbon » bëri që shqipja të tingullojë sadopak edhe në Francë. Pavarësisht shijeve muzikore, ky fakt më gëzoj tej mase dhe mendoj se është një sukses për tu vlerësuar.
Po ashtu, para disa ditësh, me 12 prill, Dua Lipa këndoj në emisionin prestigjoz « Grand Journal » të Canal +. Gazetarët e pranishëm vlerësuan talentin e këngëtares dhe përmendën gjithashtu origjinën e saj shqiptare. Pothuajse në të njëjtën kohë, me 11 dhe 12 prill, ARTE Francë transmetoj një reportazh në dy pjesë për Shqipërinë me titullin « L’Albanie inconnue», ku bëri një përshkrim sa të vërtetë dhe të bukur mbi vendin tonë.
Pra ka interes ose kuriozitet për ditur më shumë për shqiptarët.
Megjithatë, krenar nuk më bëjnë vetëm shqiptarët si individë por edhe si grup. Për shembull vlerësoj sjelljen shembullore të Tifozëve kuq e zi në ndeshjen miqësore Itali – Shqipëri të 19 nëntorit 2014 ashtu si dhe pjesmarrjen e Kombëtares shqiptare të futbollit në kampionatin evroprian që do të zhvillohet në Francë. Vlerësoj distancimin nga klasa politike dhe veprimtarinë e « Nisma #Thurje » ashtu si edhe veprimtarinë e « Fundjavë Ndryshe » ku personalitete të njohura i bashkangjiten për të ndihmuar njerëzit apo familjet në nevojë. Vlerësoj veprimtarinë e shoqatës « Rrënjët Shqiptare » që organizon ndër të tjera paradën përvjetore shqiptare në SH.B.A dhe shoqatën panshqiptare « Vatra » e cila mbron prej më shumë se 100 vitesh çështjen e popullit shqiptar.
Si përfundim, të gjithë këta shqiptarë*, dhe shumë e shumë të tjerë që nuk janë përmendur këtu, kontribuojnë me mënyrën e tyre në rritjen dhe ruajtjen e vlerave të Kombit tonë. Uroj që edhe klasa politike mbarë shqiptare të ndjekë këtë shembull, që e angazhon atë të privilegjojë bashkimin ndaj përçarjes, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Preshevë, Mal të Zi, Maqedoni apo Camëri.
Shqiptarët meritojnë më shumë!