Shqiptarët që votojnë dy herë
Bardhyl Hasanpapaj është prishtinas nga Tropoja. Ka ardhur për studime në vitin 2000 dhe tashmë e ka kthyer në vendlindje. Tropojani është asistentpedagog në Fakultetin e Drejtësisë, në universitetin publik, e ka edhe një kompani ku punëson 24 persona.
“E gjithë ajo pjesë e popullatës andej nga Tropoja, më shpesh vijnë në Kosovë, sesa në çdo pjesë të Shqipërisë, përveç Bajram Currit ku edhe ndodhen. Kosova është bërë një portë e parë nga hyjnë, e që kur është bërë autostrada, kalojnë për të shkuar në pjesë të tjera të Shqipërisë, në Tiranë e më tej”, thotë Bardhyl Hasanpapaj, asistentpedagog në Universitetin e Prishtinës për “Top Channel”.
Hasanpapaj është nën ethet e dy palë zgjedhjeve dhe ndjek dy fushata. Do të votojë edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Dy shtete, thotë tropojani, duhet të gjejnë zgjidhje për të ardhmen.
“Ka ardhur koha që ne të trajtojmë vetveten në radhë të parë shumë më seriozisht, të ndërtojmë shtetet tona brenda, e që të ketë një demokraci funksionale që bazohet në sundimin e ligjit. Sigurisht me një objektiv të qartë për integrimin në Bashkimin Europian, që vjen domosdoshërisht nga ky bashkëpunim rajonal, ku do të jete si Kosova, edhe Shqipëria”, tha më tej Bardhyli.