Shtëpitë më të shtrenjta, rritet kosto e ndërtimit

Pas një rënieje të çmimeve të shitjes së shtëpive gjatë kohëve të fundit, po vihet re një trend i rritjes së tyre. Dhe kjo, falë rritjes së kostos së ndërtimit. Dukuri kjo që konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilit Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) ka pësuar një rritje të re të tij, e cila edhe pse duhet pranuar që është modeste, shoqërohet në fakt me një rritje të çmimeve të banesave në tërësinë e tyre. Kështu, sipas INSTAT-it, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar 2014, indeksi i kushtimit në ndërtim (për banesa) arriti në nivelin prej 102.3% kundrejt tremujorit të parë 2011. “Në tremujorin e katërt 2014 ndryshimi vjetor i këtij indeksi është 0.1%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, rritja më e madhe vërehet te grupi “Shpenzime për paga” me 1.6% duke u ndjekur nga grupi “Shpenzime materiale” me 0.9%”, citojnë konkretisht ekspertët e INSTAT-it. Duke shtuar sakaq se brenda këtij grupi, rritja më e madhe vërehet në nëngrupet “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale hidro-sanitare” me nivelin prej 1.0% secila. “Në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, ulja më e madhe vjetore vërehet në grupin “Shpenzime makinerie” me nivelin prej 1.3%. Në tremujorin e katërt 2014 ndryshimi tremujor i indeksit është 0.2%. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime materiale” është rritur me 0.3% krahasuar me tremujorin e tretë 2014. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e kanë nëngrupet “Materiale hidro-sanitare” dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” respektivisht me 0.6% dhe 0.3%”, sqarojnë më tej ekspertët e INSTAT-it. Duke përfunduar se krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, indeksi i grupit “Shpenzime për paga” u rrit me nivelin prej 0.2%. Dhe se indekset e grupeve “Shpenzime transporti” dhe “Shpenzime makinerie” u ulën me nivelin prej 0.1% secili, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

SHKARKO APP