Shteti im përse 300 mijë emigrantë shqiptarë humbasin pensionet në Greqi?
Nga Shpëtim Zinxhiria
Emigracioni shqiptar, komuniteti më i madh në Greqi gjendet i vetmuar dhe i harruar prej shumë vitesh nga shteti shqiptar, duke i lënë në mëshirë të fatit. Thellimi i krizës ekonomike dhe politike në Greqi, errëson perspektivën e emigrantëve në shtetin helenë. Greqia është i vetmi vend që nuk u njeh vitet e punuara të emigrantëve për marrje të pjesshëm pensioni, një padrejtësi e madhe, që një vend i BE-së, i grabit mundin dhe djersën e derdhur emigrantëve tanë, duke shkelur çdo ligj ndërkombëtarë. Shqipëria hesht! Por pyetja shtrohet se, ku shkojnë ensimat (ditët e punuara) të emigrantëve shqiptarë në Greqi, kush i përvetëson ato ? Por…
Sipas statistikave të publikuara herë pas herë mëson se 30 % e popullsisë shqiptare është në emigracion. Një shifër që për shtetin shqiptar duhej të ishte më se shqetësuese, por në fakt ndodh e kundërta. Shteti shqiptar pas 25 vjetësh emigracioni, ende nuk di saktësisht sa emigrantë ka dhe ku i ka? Nuk di akoma se si trajtohen dhe si u mbrohen të drejtat e shtetasve të tij, duke na detyruar të hedhim pyetjen : Edhe sa vite të tjera duhen vallë që shteti shqiptar të lozë rolin e tij për të mbrojtur nga padrejtësitë emigrantët e tij, në një kohë që nga 2006 me ndihmën e ndërkombëtarëve ka miratuar edhe strategjinë Kombëtare të Emigracionit, që mesa duket po qendron i mbyllur në sirtaret e indiferentizmit shqiptar.
Emigrantët çdo vit premtime dëgjojnë dhe marrëveshje për pensione nuk po shikojnë. Qindra e mijëra emigrantë vazhdojnë të përbëjnë problematikën në mes dy vendeve tona. Lejet e qëndrimit, bashkimi familjar, sigurimet shoqërore, shkollat shqipe, keqtrajtimet apo standardi i jetesës së emigrantëve shqiptarë, zhdukja e fëmijëve, apo integrimi në përgjithësi i emigrantëve, përbëjnë shqetësimin më të madh të Shqipërisë në marrëdhëniet me Greqinë. Edhe pse ndërmjet dy vendeve janë bërë 67 marrëveshje, dëshira për një fqinjësi të mirë mbetet vetëm një dëshirë. Njohja e sigurimeve shoqërore, është nga problemet më të mëdha që shqetësojnë emigrantët tanë, përballë indiferentizmit të shtetit shqiptar, një indiferentizëm që me të drejtë po indinjon sot çdo emigrantë shqiptarë. Zgjidhja e këtij problemi në rrugë juridike apo politike do të jetë një zgjidhje përfundimtare për pensionet të tyre të pleqërisë.
Faktikisht me shtetin fqinjë helen janë zhvilluar edhe dy takime të nivelit ministror, si dhe tre takime në nivel specialistesh, ku e fundit më 2008 ka qenë me Institucionin e Sigurimeve Shoqërore Shqiptare. Për mbrojtjen sociale të emigranteve shqiptare është organizuar në Tiranë Konferenca rajonale Ministrore, ku është shprehur gatishmëria për bashkëpunim e legjislacionit në fushën e sigurimeve shoqërore, por siç dihet deri më sot vetëm premtime ka pasur. Premtime lidhur me zgjidhjen e këtij problemi jetik ka pasur edhe nga Partia Socialiste nga kreu i saj Edi Rama, gjatë shpalosjes të platformës së kësaj strukture në fushatën elektorale të 2013. Sot në qeverisje socialistët e ka lënë në harresë këtë edhe pse premtimi ishte për 100 ditët e para të qeverisë Rama
-1.Shteti shqiptar nguron të prekë këtë problem…
Kriza ekonomike ka bërë që emigrantët e dy “atdheve: dhe të jenë pa asnjë “atdhe”, pasi janë të detyruar tashmë t’i kthejnë sytë nga Shqipëria, por të pasiguruar jo për faj të tyre. Për faj të politikës reciproke, rreth 300 mijë emigrantë humbasin pensionet e tyre njëherë e përgjithmonë, kjo edhe me dijeninë e shtetit shqiptar, që nguron të prekë këtë problem kaq delikat. Hipokrizia e politikës shqiptare, përrallat për sigurimet shoqërore të emigrantëve tanë kudo ndodhur është mbarimi i lirisë qytetare, për të besuar pushtetin por edhe mbarë vetë shtetin. Ky pushtet me vullnetin politik gjithmonë ka luajtur çdo lloj bixhozi në kurriz të emigracionit shqiptar. Rreth 180 mijë emigrantë shqiptarë janë kthyer përfundimisht në Atdhe, duke humbur gjithçka që u takon ne bazë të ligjeve ndërkombëtare, por… Instituti i Sigurimeve Shoqërore, zgjedh rrugën më të lehtë në kurriz të emigrantëve. Po e njëjta gjë ndodhi edhe me drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë në një takim që u mbajt në ambientet e ambasadës sonë në Athinë më 2008, të cilët në vend që të kërkonin Greqisë njohjen e viteve të punës emigrantëve tanë, kërkonin nga emigrantët që këta të bënin sigurimin vullnetar pranë këtij institucioni shtetëror. Një praktik tepër e dënueshme, që i detyronin emigrantët që të siguroheshin edhe në sigurimet shoqërore shqiptare, në një kohë kur duhej ngritur zëri nga ky dikaster apo institucion shtetëror për njohje pensioni nga homologët grek. Po si gjithnjë u zgjodh rruga më e lehtë dhe më e pa ndershme në kurriz të emigrantëve…
Mosnjohja e viteve të punës një korrupsion shtetëror
Ky fenomen në aspektin social përbën korrupsion të veçantë në mohimin e mosnjohjes së viteve të punës të emigrantëve tanë. Dhe ky problem social sa vjen dhe po bëhet çështje dite, duke mos gjetur asnjë rrugë dalje. Shumë vite të tjera duhet të presin emigrantët shqiptarë për njohjen e viteve të punës, pasi kushtet ekonomike të këtij vendi nuk lejojnë asnjë mundësi reale, përballë përrallave dogmatike të politikës shqiptare. Si vendi ynë ashtu edhe Greqia nuk janë të gatshëm ekonomikisht të ulen për të firmosur marrëveshjen dypalëshe, pasi si njëra palë, ashtu edhe tjetra kanë detyrimet reciproke përball emigrantëve shqiptarë. Mbas shumë dekadash imigrimi Greqia nga ana e saj bëri marrëveshjen reciproke me Australinë vitin që shkoi… Askush nga qeveria shqiptare nuk është ulur për të biseduar për këtë fenomen delikat që pas 20 vjetëve të emigrimit do të sjellë për emigrantët e sotëm një cunam të vërtetë.
Emigracioni shqiptar përfundon atje ku nisi rrugën e emigrimit
Më në fund emigracioni shqiptar përfundon përsëri atje ku nisi rrugën e emigrimit para 20 vjetësh. Emigrantët kthehen ndoshta të indinjuar, por mbi të gjitha të mallëngjyer. Dikur kthimi i tyre në mënyrë vullnetare dukej një skenar filmi, sot është kthyer në një realitet i pakthyeshëm. Nga dita në ditë grupe emigrantësh shqiptarë, të detyruar, po i drejtohen përfundimisht vendit të tyre të lindjes me mënyra nga më të ndryshme. Ikja nga Greqia përbën rendin e ditës. Kushtet e legalizimit, ndërprerja e kontratave të punës me pronarin, gjendja e rëndë ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve, i kanë lodhur së tepërmi emigrantët. Dikur punonin me ëndrrën për të mbledhur para, për një të ardhme sa më të mire, ndërsa sot jeta e tyre varet nga këto të mbledhura, por mbi të gjitha duke humbur vitet e punuara në Greqi, një padrejtësi që u bëhet nga shteti grek…
500 mijë emigrantë paguajnë nga xhepi sigurimet shoqërore (IKA)
Një ndër katër të siguruar në (IKA) është emigrant ekonomik në një kohë kur shteti grek akoma nuk u njeh emigrantëve shqiptarë për pension vitet e punuara në Greqi. Po, sipas të dhënave zyrtare (IKA), nga 1.900.000 punëtorë të siguruar në të, mbi 500.000 janë emigrantë ekonomik. Nga këta 243.033, ose 25% janë emigrantë shqiptarë. Politika dhe presionet e ndryshme kanë ndikuar që numri i madh i emigrantëve të huaj të siguruar në sigurimet shoqërore (IKA), të japë një “frymëmarrje” më të gjerë dhe arkat e saj të mbushen në një masë të madhe nga mundi, djersa dhe gjaku i emigrantëve, për të paguar pensionet e grekëve. Karakteristikë është fakti se emigrantët, të cilët aktualisht paguajnë shuma të mëdha në siguracionet në (IKA), nuk do të përfitojnë në një të ardhme të afërt pensionin, sepse janë ende në moshë të re, por edhe për faktin se kuadri ligjor grek nuk parashikon një gjë të tillë. Nga të ardhurat e emigrantëve në sistemin e sigurimeve, Greqia ka një përfitim prej 1% të Produktit të Përgjithshëm Kombëtar. Nga studimet e sindikatave të përgjithshme greke rezulton se, nga të ardhurat në (IKA) paguhen pensionet e të gjithë pensionistëve të Greqisë, atëherë vetëm nga të ardhurat e emigrantëve në sistemin e sigurimeve, shteti grek do të kishte një përfitim prej 1% të Produktit të Përgjithshëm Kombëtar. Pra, kjo është arsyeja që ky vend nuk legalizon një herë e përgjithmonë emigrantët njëlloj si vendet e tjera europiane. Pasi ligji në themel të tij është ndërtuar mbi interesin e vlerës së parasë, të zhvatë sa të mundë…
Në Greqi ligji parashikon pensione vetëm për shtetasit e huaj ( emigrantë) që vijnë nga vendet anëtare të BE-së. Gjithashtu, specialistët kanë vlerësuar se mbas dhjetë vjetësh 25% e popullsisë së Greqisë do ta përbëjnë emigrantët e huaj. Gjithashtu, duhet theksuar se sipas të gjithave studimeve të Sindikatave të Përgjithshme Greke, rezulton se hyrja e emigrantëve ekonominë greke nuk është shoqëruar me pasoja të rënda në tregun e punës, përkundrazi. Emigrantët ekonomik siç dihet punësohen në ato vende pune, të cilat nuk preferohen më prej vendasve dhe në një farë mënyre ka ndikuar që ekonomia greke të mos kishte probleme serioze, por përkundrazi emigrantët luajtën një rol pozitiv…Mesazhi është i qartë edhe sa dekada të tjera duhet të kalojnë për të ndërgjegjësuar shtetin shqiptar, për të kuptuar një herë e përgjithmonë se pensioni merret në vendin qe jeton dhe punon. Edhe sa kohë duhet të kalojë qe qeveria shqiptarë të kuptojë që kontributi i emigrantëve të kudondodhur në sigurimet shoqërore shqiptare përbën një shkelje të ligjit, dhe një vjedhje haptazi që u bëhet këtij komuniteti?/Shekulli/