Shteti modern dhe origjina e Institucioneve Supreme të Auditimit

Nga Bexhet Zeqiri& Sali Agaj*

Duke u kthyer prapa në kohë, shihet se gjatë zhvillimit të shtetit modern, Institucionet  Supreme të Auditimit (SAI) janë organet e qeverive sovrane që tradicionalisht kanë të bëjnë me qytetarët përmes parlamenteve apo asambleve kombëtare. Prandaj është i rëndësishëm vlerësimi i ndryshimeve se si Institucionet Supreme të Auditimit kanë kontribuar në thellimin e demokracisë duke u shtrirë te qytetarët.

Historikisht duke u marrë me buxhetet kombëtare, SAI-t kanë qenë të prirura të kufizohen në raportimin e zbulimeve të konstatuara vetëm te parlamentet dhe organet e tjera të pushtetit. Përveç publikimit të raporteve të auditimit, të cilat viheshin në dispozicion të qytetarëve si dokumente publike, ata kanë pasur një fushë të kufizuar të veprimtarisë dhe komunikimit me qytetarët. Ky orientim i ngushtë i ka lënë pak hapësirë rëndësisë së të drejtave të qytetarëve në forcimin e sundimit të ligjit dhe të komunikimit më të gjerë të SAI-t me qytetarët.

Është e rëndësishme të kujtojmë, se epërsia parlamentare ndaj një monarku jo domosdoshmërisht të shpinte te sovraniteti popullor ose – po të përdorim një fjalë më bashkëkohore – në demokraci. Ideja e sovranitetit të popullit u përhap në Europë nga Iluminizmi. Revolucionet në shkencë, filozofi, shoqëri dhe politikë që ndodhën nga mesi i shekullit të XVII – të, kulmuan me Revolucionin Francez (1789-1799). Sovraniteti popullor bazohej në vullnetin e individit, për atë se çfarë ai do të besonte dhe si të vepronte, siç do të shprehej filozofi iluminist Emanuel Kant:”Motoja e iluminizmit është ‘Guxo të dish! Të kesh guximin për të përdorur arsyen tënde.”

            Demokracia i ka rrënjët e saj në parimin e dinjitetit të barabartë të të gjitha qenieve njerëzore dhe në një kontratë vullnetare sociale ku njerëzit heqin dorë nga disa prej lirive të tyre natyrore në këmbim të mbrojtjes së lirisë së të tjerëve. Në Francë, Zhan Zhak Ruso (1712 – 1778) thoshte se natyra i kishte pajisur njerëzit me një ndjenjë të fuqishme të përbashkët, e përkufizuar si një vullnet i përgjithshëm, që shërben si bazë e qeverisjes popullore. Revolucionarët amerikanë (1775 – 1783) përgjithësisht ranë dakord dhe u angazhuan në bazë të parimit që qeveritë ishin legjitime vetëm nëse ata mbështeteshin te sovraniteti popullor – që do të thotë, sundimin e popullit.

          Auditimi shtetëror është i lidhur së pari me auditimin e shpenzimeve. Ai u zhvillua në formën e sotme kryesisht si rezultat i luftës për pushtet midis parlamentit dhe degëve ekzekutive të qeverisë. Me rënien e feudalizmit, presioni i publikut mbi mbretërit dhe princat u rrit dhe ata qenë të detyruar të këshilloheshin me taksapaguesit për vendosjen e taksave. Nën kërcënimin e luftës civile, Mbreti Xhon në Angli shpalli Manja Kartën (Magna Carta – 1215). Ajo u bë një dokument i madh i lirive civile në Angli dhe u pranua nga brezat e mëvonshëm si një pike referimi në procesin e sovranitetit të popullit. Ajo e detyronte mbretin të këshillohej me “këshillin e përbashkët të mbretërisë” për vendosjen e taksave.

           Brenda të ardhurave të mbledhura nga taksat mbreti ishte akoma sovran. Auditimi publik mbi shpenzimet e shtetit del shumë më vonë. Beteja për të pasur kontroll parlamentar mbi shpenzimet vazhdoi me shekuj. Ajo arriti kulmin me revolucionin e 1688 dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit e v. 1789, e hartuar në fazën e hershme të Revolucionit Francez, i cili i bëri jehonë ideve të Iluminizmit dhe paralajmëroi demokracinë. Përmes stuhisë së revolucionit, demokracia u ngjiz jo si një formë e qeverisjes, por si një status i shoqërisë në të cilën njerëzit, të udhëzuar nga ligjet, zbatonin atë çfarë mund të bënin më mirë dhe delegonin atë që nuk mund të bënin. Pas zigzageve  dhe kthesave dramatike, në Francë u pranua një kontratë vullnetare shoqërore, si bazë legjitime për ligjin dhe autoritetin e qeverisë.

          Kur Parlamenti mori kontrollin e shpenzimeve, ky kontroll ishte i formës ku të gjitha zërat nga të ardhurat e shtetit duhet të ishin të specifikuara sipas destinacioneve. Revolucioni Francez çoi ne heqjen e monarkisë dhe fisnikërisë, kështu Parlamenti mori kontrollin e plotë të shpenzimeve shtetërore. Këto zhvillime patën ndikim të madh në pjesët e tjera të botës, për shembull, në SHBA., në debatet midis Aleksandër Hamiltonit dhe Tomas Xhefersonit, fitorja e Kongresit bëri që ky i fundit të merrte kompetencat mbi shpenzimet dhe te ardhurat.

Institucioni i auditimit shtetëror evoluoi përkrah këtyre zhvillimeve. Legjislativi kërkonte një verifikim të pavarur të llogarive dhe veprimeve të ekzekutivit për të vlerësuar në se ai kishte qëndruar brenda kuadrit të autorizuar. Kështu që auditimi shtetëror u zhvillua si një armë e legjislativit. Vetëm në vitin 1866 kur u ngrit për herë të parë në Angli, një Zyrë Auditimi për të audituar llogaritë e qeverisë, krahasuar me planin e buxhetit. Kontrollorit të Përgjithshëm iu dha pak pavarësi. Ai caktohej nga ekzekutivi, por me t’u caktuar mund të lëvizej vetëm nga Parlamenti; presupozohej që Kontrollori i Përgjithshëm të luante një rol jetik në procesin e transparencës. Parlamenti autorizonte ekzekutivin të mblidhte taksat dhe të bënte shpenzime. Kontrollori i Përgjithshëm autorizohej të auditonte llogaritë dhe t’i raportonte Parlamentit mbi mbledhjen dhe shpenzimet e parave nga ekzekutivi.

Kushtetutat e 191 vendeve përcaktojnë marrëdhëniet midis SAI-ve dhe Parlamentit/ Asamblesë Kombëtare në secilin prej këtyre vendeve. Pavarësia e SAI-ve parashikohet jo vetëm në kushtetutë, por edhe në ligjet përkatëse si dhe garanton një shkallë të lartë të iniciativës dhe autonomisë, madje edhe kur ata veprojnë si një agjent i parlamentit dhe kryejnë auditime bazuar në udhëzimet e tij. Raportet e SAI-ve mbi dobishmërinë dhe saktësinë e llogarive buxhetore, i japin siguri kombit se burimet e miratuara nga përfaqësuesit e tyre, janë përdorur për qëllimet e përcaktuara.

Çdo vit, Parlamenti/Asambleja Kombëtare miraton buxhetin për ekzekutivin, për vjeljen e të ardhurave dhe mbulimin e shpenzimeve në administrimin e veprimtarisë shtetërore. Ekzekutivit i jepen edhe kompetencat e huamarrjes, brenda kufijve të përcaktuar nga parlamenti. Në fund të vitit fiskal, Ekzekutivi është i detyruar të japë llogari në Parlament/Asamblenë kombëtare rreth administrimit të buxhetit. Meqenëse Parlamenti autorizon buxhetin dhe nuk ka kohë e ekspertizë të mjaftueshme të verifikojë llogaritë e paraqitura nga ekzekutivi, është Institucioni Suprem i Auditimit që mandatohet nga Kushtetuta për të audituar llogaritë dhe t’i raportojë organeve shtetërore dhe qytetarëve në përgjithësi zbulimet e rezultuara. SAI-t gjithashtu ndërmarrin auditime të performancës për të informuar aktorët – qeverinë, parlamentin dhe qytetarët në lidhje me – ekonomicitetin, efikasitetin dhe efektivitetin me të cilin janë zbatuar projektet. Auditime të tilla i krijojnë qeverisë mundësinë, për të përmirësuar punën.

Kontrolli i Lartë i Shtetit si institucion modern i auditimit të jashtëm në vendin tonë, me filozofinë e re të punës audituese ka synuar zbatimin rigoroz të standardeve profesionale të fushës (ISSAI), duke realizuar shkëputjen perfundimtare të KLSH nga  tradita shumëvjeçare  e një strukture të orientuar nga inspektimi financiar, në një trupë auditimi që kërkon shtimin e vlerës së parasë publike të shpenzuar për investime dhe shërbime ndaj qytetarëve.

          Përpjekjet për të arritur standarde më të larta të përgjegjshmërisë i japin KLSH-së, autoritetin moral që të vlerësojë pritshmëritë në subjektet e audituara. Veprimtaria e KLSH-së tregon se ky institucion punon fort për tá kthyer përgjegjshmërinë në një nga tiparet e tij më të theksuara, këto përpjekje e bëjnë një hallkë kryesore në zinxhirin e përgjegjshmërisë publike; dobishmëria e punës së institucionit për vitin 2015, provon se për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH-së janë kërkuar për t’u zhdëmtuar 168.2 leke ose pesë herë më shumë se në vitet 2010 – 2011 të marra së bashku.

      Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ofron një kuadër mbështetës për institucionet audituese për të nxitur zhvillimin dhe shkëmbimin e njohurive, përmirësimin e auditimit qeveritar në të gjithë botën dhe rritjen e kapaciteteve profesionale. sot pozita dhe pjesëmarrja e KLSH-së si anëtar i kësaj organizate, është rritur ndjeshëm duke kontribuar me inpute në këtë organizatë dhe po ashtu me vënien në jetë të praktikave më të mira të vendeve anëtare.

       Lufta kundër korrupsionit, në të cilën KLSH dhe institucionet e tjera shtetërore duhet të angazhohen si dhe pritshmëritë e opinionit të gjerë publik në lidhje me punën e KLSh-së në këtë drejtim, kanë parashtruar kërkesën e kryerjes së kësaj lufte në vazhdimësi, pa kompromis dhe ndaj çdo institucioni apo nëpunësi të infektuar prej virusit të korrupsionit. Numri i kallëzimeve penale të denoncuara në organin e prokurorisë gjatë harkut kohor te tre viteve 2012-2015 është rreth 3.1 herë më shumë se kallëzimet penale të kryera në katër vitet së bashku 2008-2011 ndërsa numri i personave të kallëzuar penalisht rezulton rreth 4 here më i lartë.

         Duke vepruar në emër të interesave të publikut, KLSh ka ndërmarrë hapa që t’i përgjigjet siç duhet sfidave të kërkuara nga qytetarët, pritshmërive të përfaqësuesve të popullit dhe risqeve të ndryshimeve të mjedisit ku ushtrojnë aktivitetin subjektet e auditimit, duke mbetur gjithnjë një institucion model për të gjithë sektorin publik (ISSAI 12), ku në përmbushjen e misionit KLSh ka një rol specifik “t’i thotë të vërtetën pushtetit dhe t’ju thotë të vërtetën qytetarëve”, duke ndikuar pozitivisht në qeverisjen demokratike në shkallë vendi.

 *Auditues, KLSH

SHKARKO APP