Shtimi i turistëve rrit prenotimet online në Shqipëri – 54.4% e dhomave në Gusht ishin të zëna
Muajt e verës kanë sjellë në vendin tonë një numër të shtuar turistësh. Disa vijnë me paketa të ofruara nga tur operatorët vendas dhe të huaj, disa vijnë në Shqipëri pa planifikuar qëndrimin, ndërsa një numër i madh zgjedh të prenotojë online dhomën ku do të qëndrojë përgjatë pushimeve.
Sipas të dhënave kompania që përpunon statistikat e “AirBNB”, gushti ka qenë muaji më i preferuar nga turistët e huaj për të fjetur në strukturat akomoduese të vendit.
Gjatë të gjithë vitit, numri i banesave që listohen në AirBNB është rritur në mënyrë konstante, duke kulmuar në 2897 struktura në fund të muajit Gusht. Nga njësitë e regjistruara në këtë aplikacion, 1823 kanë patur të paktën 1 prenotim gjatë këtij muaji.
Sipas AirDNA, raporti i netëve të zëna me netët e listuara për muajin Gusht është 54,4%. Një vit më parë ky raport ishte vetëm 48.4%, pra ka pësuar një rritje me 6 pikë përqindje.
Rritje ka patur në zënien e dhomave edhe gjatë Qershorit e Korrikut, përkatësisht me 7.5 dhe 6.2 pikë përqindje.
Më të preferuarat kanë qenë listimet që ofrojnë të gjithë banesën, apo apartamentin me qira, të cilat përbëjnë edhe ofertën më të madhe të turizmit shqiptar me 2022 struktura.
Me sukses kanë rezultuar edhe prenotimet në strukturat që ofrojnë vetëm një dhomë private, ndërsa turistët që preferojnë të shpenzojnë shumë pak për fjetjen duke ndarë dhomën me të panjohur kanë qenë shumë të paktë, me vetëm 27 prenotime.
Gjatë tre muajve të verës, nga një shumatore prej 8018 listimesh, kanë qenë të zënë për të paktën një natë 4089 prej tyre. Raporti i netëve të qëndrimit për të gjithë verën ishte 47.8%, në rritje me 5.1% nga vera e vitit 2016.
/SCAN