Shukrije, na i shpife me besnikërinë perverse
Nga Ilir Levonja/Nëpër webet shqiptare po flet vetëm Shukrija. Dëgjojeni si thotë: “Natën e publikimit të videos, Shukes iu drejtova me fjalët: Ngrije kokën lart. Do të më kesh në krah deri në vdekje”.
Kjo është Tefta Xhelili. Ose Shukrija e Shukrisë. Grua që qënke edhe nënë, krushkë apo vjehërr. Dhe nuk e di se si të ngushëllojnë këta mijra të dashur dhe besnikë të familjes që të paskan mbushur shtëpinë. Na i thuaj edhe ne. Të jemi të përgatitur. Si e qysh i thuhet tjetrit kur i shkon në kësi ziafeti. Ose edhe sa i hidhet në tabaka. Ose çfarë i çohet, duhan, para, pije apo prezervativ.
Heroina të tilla dalë bojë, si ty…, ka plot Shqipëria jonë. Por ato janë të heshtura për shkak te vesit shqiptar. Që e bëjmë në qoshe dhe e mbulojmë me hi. Ka kaq ditë që njerëzit ziejnë. Dhe me të drejtë flitet për pasoja. Qofshin këto si tek familja e të çnderumit. Qoftë edhe tek jeta e denoncueses. Dhe kësisoj vërtetohet ajo papregatija jonë sociale në raste të tilla.
Nga ana tjetër, pjesë e këtij mbulimi qosheje, janë dhe shmangiet nga problemi real social. Folja punë. Ky zanat që shkëmbehet me dhoma hotelesh. Me seks mode prej burrash me shiritin e kombit në gjoks. Me shoqëri nga ata që sigurojnë tregje droge, që ndajnë territorin e veprimit me ligjin e xhunglës. Nëse nuk e di, në xhungël influenca territoriale ndahet prej kafshëve me shurrosje. Shurra cakton kufijtë. Kështu edhe aty tek ne. Çnderosja kthehet në medalje.
Na i shpife për Zotin. Të qoftë hallall besnikëria perverse. Por mbaje për vete. Nuk e di nga ana tjetër se si do të flisje sikur e dëmtuara të ishte vajza jote. Ndonjëherë ne mendojmë se duke e mbulur pëgërën me hi. Kujtojmë se ia kemi hequr erën shtëpisë. Nuk është ashtu. Përkundrazi e kemi stazhionuar atë. Ashtu siç bëjmë me gjërat e vyera.
Dy fjalë shqiptarëve. Keni Zot apo jo? Heroina është ajo njëzetvjeçarja. Duhet ta dini se një shoqëri e kohës denoncon. Sepse ka përgjegjësi. Shikon me sy realë gremisjen e vendit. Në fakt politika jonë është e mbushur me plot Shukri. Por me pak denoncues. Madje edhe ata sapo e bëjnë këtë, kërkojnë mbrojtje publike. Kërkojnë të largohen nga vendi.
Jepini prioritet denoncimit jo fjalëve të Shukrie zezës. Pasi nderi blihet më lirë me falje. Se sa me kapitelat e vjedhura nga fondet publike. Madje do ju shkojë jeta duke investuar për qejfet, masoneritë e burrave me shiritin e kombit në gjoks. Këtyre perversëve që janë edhe baballarë, edhe gjyshër, edhe krushq. Po edhe haletë e Shqipërisë sonë.