Shuplakë gjyqtarit pse i nxori të kuq në Greqi, më pas arratiset maleve
Futbolli në Greqi shënon çmendurinë e radhës. Kriza ekonomike që ka mbërthyer shtetin helen që prej vitit 2008 ka dhënë pasoja edhe në futboll, aq sa ndonjëherë duken edhe në të rënda se incidentet e zakonshme që shënohen në fushat tona. Pamjet e një ndeshje në kategoritë inferiore të Greqisë dhurojnë më tepër “show”, se loja në fushë. Incidenti në fjalë ka ndodhur në një takim mes dy skuadrave Coronis dhe Inka në ishullin e Kretës, ku një lojtar nuk e ka pritur aspak mirë kartonin e kuq. Si kundërpërgjigje, futbollisti i ka dhënë një shuplakë gjyqtarit dhe kaq ka mjaftuar që takimi të degjenerojë në kaos. Arbitri vendosi që t’i drejtohet dhomave të zhveshjes dhe nga aty ka telefonuar policinë për shkak rrëmujës së krijuar. Ende pa mbërritur forcat e policisë, lojtari që u bë shkak për sherrin dhe goditi gjyqtarin me shuplakë, ndërrohet me të shpejtë dhe merr arratinë në male për t’i shpëtuar prangave. Futbollisti është shpallur në kërkim, por nuk sqarohet nëse gjyqtari vendosi ta padiste atë apo jo, me mbërritjen e policisë.