Si kontrollohen pilotët nga ana psikike?
Sa i përket shëndetit trupor, pilotët kontrollohen rregullisht. Këtë e bën edhe Lufthansa. Bëhet edhe një kontroll i dendur nëse pilotët janë përfshirë në aktivitete ekstremiste. Kontrolli psikik bëhet rrallë.
Pas marrjes së licencës së pilotit, pilotët u nënshtrohen testeve të rregullta mjekësore. Si tek të gjitha shoqëritë ajrore, ata u nënshtrohen edhe testeve psikologjike. Por vetëm para fillimit të ushtrimit të profesionit. Shefi i koncernit të Lufthansas, Carsten Spohr tha se për të përzgjedhur pilotët, koncerni i tij përdor një test aftësie, të zhvilluar në mënyrë të posaçme me Qendrën Gjermane për Fluturimet Ajrore dhe Hapësinore DLR. Ky test "pranohet në të gjithë botën", bëri të ditur ai.
Por e përditshmja gjermane, Die Welt e citon Spohr me fjalët se pas këtij testi, gjërat që bien në sy nga pikëpamja psikologjike te një pilot, vërehen nga kolegët e tij dhe raportohen. Megjithatë ekipet e pilotëve fluturojnë rrallë gjatë së bashku, në kabinë. Ata fluturojnë me ekipazhe të ndryshme dhe i ndërrojnë kolegët. Prandaj devijimet psikologjike duhet të jenë shumë të dukshme, që të vërehen menjëherë.
Lufthansa bëri të ditur se në rast problemesh shpirtërore dhe psikike pilotët mund t'i drejtohen në çdo kohë specialistëve të koncernit, të cilët i ndihmojnë ata ditën dhe natën. Para fillimit të shkollimit, kandidatët për pilotë kontrollohen edhe për marrje droge. Konsumimi i drogës më vonë mund të konstatohet vetëm njëherë në vit, në kontrollet e detyrueshme ligjore mjekësore.