Si po reformohet sistemi i trazuar i drejtësisë shqiptare

Nga Andi Dobrushi-Pothuajse të gjithë vëzhguesit e pavarur, janë në një mendje se sistemi i drejtësisë në Shqipëri, ka nevojë për një rishikim thelbësor. Sistemi vuan nga korrupsioni i përhapur, mangësitë profesionale dhe vështirësitë strukturore. Besimi i qytetarëve mbi zbatimin e ligjit nga gjykatat, është shumë i ulët, qoftë edhe me standardet e demokracive të reja. E gjithë kjo paraqet një sfidë të madhe për shtetin e së drejtës dhe klasa politike shqiptare duket se është dakord me nevojën e reformimit të sektorit të drejtësisë, por jo domosdoshmërisht për mënyrën e realizimit të tij.

Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, mbetet nga aktorët e parë lokalë që ka identifikuar  nevojën për ndryshime të thella në Kushtetutën aktuale të vendit. Këto ndryshime duhet të sigurojnë, mes përparësive të tjera, një sistem gjyqësor që të jetë i pavarur nga politika dhe llogaridhënës ndaj publikut. Procesi i gjerë i konsultimeve që zhvilluam, prodhoi një udhërrëfyes  gjithëpërfshirës për reformat kushtetuese.

Bashkimi Evropian rriti trysninë për të shpejtuar miratimin e reformave, për përmirësimin e Kushtetutës dhe rivendosjen e besimit të publikut ndaj sistemit. Në nëntor të vitit 2014, Kuvendi i Shqipërisë mandatoi një komision të posaçëm, për të përgatitur propozime për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Komisioni ishte i ngarkuar me tri detyra: Të ndërmarrë në një analizë të plotë sistemin e drejtësisë; të përgatisë një dokument strategjik që përshkruan objektivat kryesore të reformës; dhe një draft-paketë gjithëpërfshirëse masash legjislative, përfshirë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të zbatuar reformat. Komisioni vijon të ndihmohet nga një panel ekspertësh të nivelit të lartë, një sekretariat teknik dhe disa këshilltarë të jashtëm, përfshirë ekspertë ndërkombëtarë. Mandati fillestar i komisionit është zgjatur deri në fund të qershorit 2016.

Në fund të shtatorit 2015, grupi i ekspertëve prezantoi një projekt-paketë të ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë dërguar për shqyrtim në Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës. Komisioni i Venecias dha reagime paraprake në dhjetorin e kaluar dhe pritet të publikojë raportin e tij përfundimtar, deri në marsin e këtij viti. Çdo ndryshim kushtetues i miratuar, do të kërkojë legjislacion zbatues.

Janë bërë përpjekje për të siguruar një proces politikisht gjithëpërfshirës, që nga fillimi i tij. Opozita, e udhëhequr nga Partia Demokratike megjithëse mbështet, në parim, nevojën për reforma, fillimisht nuk pranoi të marrë pjesë në punën e komisionit të posaçëm, për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me mekanizmin e votimit të komisionit. U ndërmjetësua një kompromis verën e kaluar, por ende mbeten një numër i rëndësishëm dallimesh mes opinioneve të dy palëve. Sidoqoftë, të gjitha partitë kryesore janë zotuar të pranojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në të njëjtën kohë, ka pasur përfshirje të konsiderueshme ndërkombëtare, gjatë gjithë procesit të reformës deri më sot. Dy subjekte ndërkombëtare kanë qenë veçanërisht aktive: Projekti i Bashkimit Evropian EURALIUS, i cili është duke ofruar asistencë teknike për procesin e reformës dhe misioni lokal i SHBA-ve për Programin e Trajnimit për Zhvillimin  e Prokurorisë së Huaj, i cili punon për të forcuar sistemet e drejtësisë ndërkombëtare. Disa ekspertë të EURALIUS dhe SHBA-ve, kanë bashkëdrejtuar apo marrë pjesë plotësisht si anëtarë në grupet kryesore të punës dhe kanë luajtur përgjithësisht një rol të rëndësishëm këshillues në këtë proces.

Shtrirja dhe thellimi i reformave sektoriale, madje edhe vetëm në paketën kushtetuese, prekin çdo nivel të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë. Ato ristrukturojnë marrëdhëniet e tyre me pushtetet politike dhe një sërë subjektesh të reja të pavarura. Propozimet kryesore mund të përmblidhen si më poshtë:

Gjykata e Lartë do të transformohet në një gjykatë karriere që vendos çështje ligji (jo fakti), ndërsa emërimet  dhe shkarkimet e gjyqtarëve të lartë, do të bëhen nga një trupë jopolitike (Këshilli i Lartë Gjyqësor).

Autonomia e prokurorëve vendorë, do të rritet dhe roli aktual dominant i Prokurorit të Përgjithshëm do të reduktohet në favor të një organi vetëqeverisës, me një shumicë të zgjedhur nga ana e prokurorëve të vendit.

Do të krijohet një sistem i ri disiplinor për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe struktura të veçanta kundër korrupsionit, me gjykata, prokurorë dhe hetues të përkushtuar dhe me kompetenca të shtuara.

Për të zgjidhur krizën e tanishme të integritetit, është propozuar një mekanizëm i jashtëzakonshëm për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të çdo niveli, nga gjykatat e rrethit në Gjykatën Kushtetuese. Rivlerësimi do të mbulojë verifikimin e çështjeve të aftësisë profesionale, deklaratave të pasurisë, si dhe lidhjet e mundshme me krimin e organizuar. Procesi, i cili pritet të zhvillohet mes 2016-ës dhe 2019-ës, konsiderohet një nga aspektet më delikate të reformave të propozuara, ligjërisht dhe politikisht.

Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” ka qenë financuesi kryesor i të gjithë procesit të reformës, përfshirë punën e ekspertëve të nivelit të lartë dhe të infrastrukturës së tyre mbështetëse, portalin online dhe pjesën më të madhe të veprimtarive, për të mbledhur reagimin e publikut. Kjo mbështetje ka qenë tërësisht jopartiake; përveç ekspertëve të emëruar zyrtarisht në komisionin e posaçëm, ne kemi mbështetur edhe angazhimin e ekspertëve të Partisë Demokratike dhe atyre të emëruar nga ministri i Drejtësisë (i cili përfaqëson Lëvizjen Socialiste për Integrim, partner në koalicionin qeverisës).

Përfshirja sa më e gjerë e publikut, ka qenë përparësia së cilës i kemi përkushtuar burime dhe energji të konsiderueshme. Në tri raundet e konsultimeve, publiku është informuar në lidhje me çdo fazë të procesit të reformës deri më sot (mbi analizën, vizionin strategjik dhe projekt-amendamentet kushtetuese). Këto kanë përfshirë dhjetëra takime me palët e interesuara për sistemin e drejtësisë, grupet e shoqërisë civile dhe publikun e gjerë. Këto grupe kanë pasur mundësinë të dërgojnë mendime mbi draft-dokumentet kryesore, si dhe të gjejnë informacione shtesë në faqen e dedikuar të internetit.

Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” është i vetëdijshëm se duhet të bëhet edhe më shumë për të informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë publikun, në lidhje me aspekte të ndryshme të procesit të reformës. Kjo është arsyeja pse po ndërmarrim hapa për të identifikuar boshllëqet dhe për të ofruar në mënyra të reja më efikase, informacion dhe të dhëna të kërkuara nga publiku.

Drejtor Ekzekutiv – Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

SHKARKO APP