Si Shullazi u shndërrua në “zyrë për zgjidhjen e konflikteve”
Nga Mentor Kikia/Unë nuk e besoj atë që Sali Berisha thotë, se Emiliano Shullazi është vartës apo epror i ministrit të brendshëm, apo edhe më lart. Kjo është politikë Shullazërie…
Por unë besoj se Emiliano Shullazi ishte një strukturë “shtetërore dhe drejtësie”, ose me saktë një strukturë paralele që ofronte shërbime dhe bënte drejtësi sipas ligjeve të botës së krimit. Dhe shteti i Shullazit nuk varej shumë nga ndryshimet politike të pushtetit dhe qeverive. Për këtë aryse ai ka vepruar legalisht nën të gjitha qeverisjet dhe për këtë arsye dënimi i tij është sot një mision shumë i vështirë.
Hetimet po zbulojnë dora- dorës se Shullazi nuk ishte thjeshtë një zhvatës apo vrasës. Jo jo, ai ishte një studio e palicencuar që zgjidhte konfliktet mes njerëzve e sipërmarrësve që, ose nuk gjenin zgjidhje tek drejtësia e shtetit, ose nuk i drejtoheshin fare shtetit sepse ishin më zi se Shullazi në punët e tyre.
Në një vend ku bizneset u kanë po aq borxhe informale njëri-tjetrit, sa ç’kanë edhe nëpër banka me letra, konfliktet zgjidhen edhe me ndihmën e të fortëve. Në një vend ku të bësh biznes nuk do të thotë vetëm të konkurosh, por edhe të vrasësh apo dëbosh konkurentin nga biznesi, sërish hyjnë në punë të fortët. Ata që sot konsiderohen si viktima të zhvatjes, në fakt, mund të jenë sa viktima aq edhe bashkëpunëtorë të Shullazit. Ata kanë ofruar shpërblime për punë që ua ka mbaruar Shullazi, pasi nuk ua ka dhënë zgjidhje shteti dhe drejtesia.
Me pak fjalë, Shullazi ka bërë drejtësi sipas mënyrës së tij, në një vend ku shteti dhe drejtësia nuk kanë funksionuar, si për të tjerët ashtu dhe për të. Ndaj dhe gjetja e dëshmitarëve për ti nxjerrë sot përballë Shullazit në gjyq do të jetë një mision i gati i pamundur.
Sepse Shullazi ka plotësuar një vakum të lënë nga shteti, duke ofruar një shërbim që këkrohej nga tregu i një ekonomie edhe informale edhe të inkriminuar.