Si të trukohemi kur jemi në plazh apo në ditët e nxehta të verës
Një pamje të freskët dhe të kuruar në det
Të kishe një fytyrë perfekte dhe të fshihje me truk edhe defektet më të vogla të lëkurës në plazh apo në ditët e nxehta, deri para ca kohësh nuk ishte shumë e lehtë. Gjithmonë ishte rreziku i daljes së rimelit nëpër fytyrë apo fondotina që rridhte nëpër faqe dhe kjo për faj të djersës apo notit në det. Por tashmë, të rejat e fundit të kozmetikës e bëjnë tualetin më preçiz edhe nën rrezet e diellit, dhe madje arrin të kujdeset për lëkurën edhe gjatë kohës që jemi në plazh, duke pasur një fytyrë të përsosur.
Edhe pse gjatë ekspozimit në rrezet më të nxehta të diellit idealja është të kemi një fytyrë sa më të pastër e të patrukuar, kompanitë e kozmetikës, gjatë viteve të fundit kanë nxjerrjë linja të produkteve “ad hoc” për plazh, me linja kozmetike kundër djersës apo që u rezistojnë edhe larjes në det. Ato përmbajnë filtra solarë që na mbrojnë nga rrezet ultraviolet. Mund të zgjidhen ngjyra që ne preferojmë, por ideja më e mirë është të zgjidhen nuancat që na shkojnë me ngjyrën e lëkurës, për një efekt natyral dhe të thjeshtë.
Hapi i parë është që të pastrojmë fytyrën për të bërë trukun dhe këtë duhet ta bëjmë me produktet e përshtatshme hidratuese. Më pas vendosja e fondotinës në fytyrë duhet të jetë një produkt që është bërë enkas për kohën që shkojmë në plazh, në gjendje për t’i rezistuar të nxehtit. Ajo duhet zgjedhur gjithashtu që të përmbajë filtrat e duhur solarë, e përshtatshme për lëkurën tonë, dhe që përhapet në mënyrë uniforme. E mira është që të evitohen produktet me yndyrë: të këshillueshme janë lëngjet lehtësisht të aplikueshme në fytyrë.
Ndërsa për sytë, duhet të përdoren produkte kundër ujit, për të shmangur efektin “sypanda” pas notit të parë që bëni në det. E mira është që të kemi një pamje sa më natyrale, me një hije sysh jo shumë të ekzagjeruar: një rozë e lehtë, bezhë apo ngjyrë ari për t’i dhënë dritë shikimit dhe pa e rënduar atë. Lapsi duhet evituar, sepse nuk qëndron mirë gjatë kontaktit me ujin apo me diellin dhe për ta zëvendësuar një rimel i mirë kundër ujit, për t’u dhënë volum qerpikëve pa e rënduar pamjen.
Për buzët duhet të zgjedhim një shkëlqyes me një faktor të mirë mbrojtës, sepse buzët janë shumë delikate dhe mund të digjen lehtë. Gjithmonë duhet të ndjekim këtë rregull: nëse në pamjen tonë kemi një tualet të thjeshtë dhe natyral, për buzët mund të zgjedhim një nuancë më të ndezur dhe e kundërta, nëse kemi të theksuar sytë, te buzët duhet të vendosim një tonalitet të lehtë.
Dhe në fund, për të mos harruar, janë manikyri dhe pedikyri: këtë vit në modë janë ngjyrat e ndezura, me një dizajn me fantazi apo dhe pak ekstravagante.