Si u ngrit arma detare në Shqipëri

DOSSIER/55 vjet më parë – Si u hodhën bazat për përgatitjen e kuadrove të Flotës luftarako- detare

Nga Selman Rama

Pesëdhjetë e pesë vjet më parë, më 4 shtator 1961 në Vlorë, pikërisht ku e pati parashikuar dijetari i shquar Sami Frashëri “Shkolla e anijerisë duhet të jetë mbanë detit, tek të jenë edhe anijet e luftës, në Durrës anë Ujit të Ftohtë, anë Vlorës”, u hap për herë të parë në historinë e vendit tonë Shkolla e Lartë e Marinës, e cila fillimisht u quajt “Shkolla e Oficerëve të Flotës luftarako- detare, e më pas u emërtua Akademia detare.

Krijimi i Shkollës së Lartë të Marinës ishte domosdoshmëri, pasi vendi ynë kishte me dhjetëra anije të Flotës Luftarako – Detare; ishte fuqizuar Flota Tregtare dhe ajo e Peshkimit, për drejtimin e të cilave kërkohej para së gjithash kompletimi me kuadro të afta, me arsimin përkatës detar.

Para çlirimit, duke mos pasur shkolla detarie, përgatitja e kuadrove është bërë jashtë atdheut, si në Itali, Turqi etj. Pas çlirimit, në fillim u dërguan studentë në ish-Jugosllavi e më pas në shkollat e larta detare të ish-Bashkimit Sovjetik. Por në vitin 1960, marrëdhëniet shtetërore midis Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik u acaruan si rezultat i mosmarrëveshjeve politike midis udhëheqjeve respektive të asaj kohe.

Mbi këtë bazë, në Maj 1961, Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe çdo lloj ndihme ekonomike, përfshi këtu edhe të drejtat e studimit për studentët shqiptarë që studionin në shkollat e larta civile e ushtarake të BS.

Kështu, 70 studentë që studionin në shkollat e larta detare në Baku, Sevastopul, Riga e S.Peterburg u kthyen në atdhe, pa mbaruar studimet.

Në këto kushte, kur FLD e Flota Tregtare dhe e Peshkimit kishin një numër të konsiderueshëm anijesh, kur kantieri detare kishte filluar ndërtimin e anijeve në vend, qeveria e asaj kohe mori vendimin që të hapej Shkolla e Lartë e Marinës në Vlorë.

Periudha përgatitore

 Në Maj 1961 u emëruan kuadrot drejtuese të shkollës. Komandant shkolle u caktua Mark Plani, zëvendës komandant, Shaqir Kapexhiu, i cili faktikisht kryente detyrën e komandantit, pasi Mark Plani ishte njëkohësisht edhe Shef i Shtabit të FLD. Periudha maj-shtator 1961 shërbeu për përgatitjen e programeve, duke marrë si bazë Programin e Shkollës së Lartë të Marinës të qytetit Baku të Azerbajxhanit.

Punuan për përgatitjen e programeve kuadro me përvojë që kishin mbaruar studimet në shkollat e larta dhe akademi detare në Bashkimin Sovjetik, oficerë të talentuar dhe me cilësi të spikatura pedagogjike e ushtarake. Kështu vlen të përmendet puna e palodhur e pedagogëve të lundrimit detar: Aleko Stoli, Petrit Hysi e Mihallaq Milkani, pedagogët e armëve të nënujshme, Qemal Hysi e Ethem Mahmutaj, të artilerisë së anijeve, Bedri Hankollari, elektromekanikës e teorisë së anijeve, Tahir Hoxha e Llukan Shyti, të radiondërlidhjes e radiolokacionit, Et’hem Shkëmbi e Petrit Cukalla, të praktikës detare, Hamza Koçiu, e të tjera grupe që punuan ditë e natë nën drejtimin e zëvendës komandantit të Shkollës, Shaqir Kapexhiu, i cili kryente detyrën e komandantit deri në vitin 1964, kur në këtë detyrë emërohet kuadri me përvojë, me dy akademi detare, Aziz Hasa, i cili qëndroi në këtë detyrë deri në daljen në pension, duke dhënë një kontribut të çmuar në përgatitjen e kuadrove të Flotës.

E gjithë veprimtaria përgatitore u ndoq nga afër nga komandanti i Flotës, kundëradmirali Abdi Mati, i cili ishte themeluesi dhe udhëheqësi i merituar i Flotës Luftarako-Detare, që nga viti 1955-1974, kur doli në pension.

Ndërsa për lëndët e kulturës së përgjithshme, si matematikë, fizikë, kimi, mekanikë teorike, elektroteknike, gjuhët e huaja (anglisht, rusisht), ekonomi politike e filozofi, u punua, duke u bazuar në programet e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Me këto programe punuan kryesisht, si pedagogë të jashtëm, të caktuar nga Seksioni i Arsimit Vlorë, nën drejtimin e pedagogut me përvojë, i diplomuar për matematikë-fizikë, Astrit Isaraj.

Në saj të kësaj pune u bë e mundur që me 4 shtator 1961 të hapet Shkolla e Lartë e Marinës, datë, e cila njihet si dita e krijimit të Shkollës së Lartë të Marinës. Kështu u shtua edhe një institucion i lartë arsimor në vendin tonë.

 

Nga shkolla e marinës janë diplomuar mbi 1000 kuadro

Studentët e parë ishin ato që nuk arritën të mbaronin studimet në ish- Bashkimin Sovjetik, të ndarë në tre kurse: 18 studentë në kursin e parë, 37 në kursin e dytë, 15 studentë në kursin e tretë (bazuar kjo sipas viteve kur kishin ndërprerë studimet). Komandant i kurseve u caktua Sami Sinanaj.

Në shtator të vitit 1962 vijnë studentët e parë nga Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe nga shkollat e mesme të përgjithshme të vendit.

Grupi i parë përbëhej prej 24 studentësh (20 për FLD e 4 për Flotën Tregtare). Po kështu u vazhdua edhe më tej me një numër  mesatar 20-25 studentë në vite.

Gjatë viteve të funksionimit të këtij institucioni arsimor u bënë vazhdimisht përpjekje për perfeksionimin e programeve, pajisjen me kabinete mësimore, laboratorë, literaturë bashkëkohore, duke plotësuar të gjitha kushtet për përgatitje sipas standardeve të kohës.

Nga Shkolla e Lartë e Marinës janë diplomuar mbi 1000 kuadro, duke plotësuar më së miri nevojat për Flotën Luftarake, Flotën Tregtare dhe të Peshkimit. Kjo shkollë arriti të ngulisë tek studentët e saj ndjenjën e përgjegjësisë e të profesionalizmit, që ata do të kishin në punën e tyre gjatë shërbimit në anije.

Kuadrot e dala nga Shkolla e Lartë e Marinës janë shtylla vertebrale e detarisë shqiptare, mjeshtër të artit të lundrimit e të përdorimit taktik të armëve e mjeteve teknike të anijeve luftarake.

Aftësitë lundruese e drejtuese janë manifestuar më së miri në drejtimin e anijeve ushtarake e tregtare.

Në krye të reparteve e nënreparteve të FLD do të ishin pikërisht kuadro që kanë mbaruar këtë shkollë. Gjithashtu ata që ishin kontingjent i Ministrisë së Transporteve kanë drejtuar me kompetencë anijet transoqeanike me tonazh 12-16 mijë tonë si “Vlora”, “Tirana”, “Arberia”, “Shkodra” etj., në lundrime të gjata deri në Kinën e largët e Amerikën Latine, duke treguar nivele të larta profesionale.

Kuadrot e dala nga kjo shkollë do t’i gjesh në drejtimin e kapitenarive të porteve, Shëngjin, Durrës, Vlorë e Sarandë, duke drejtuar më së miri këto institucione. Pra, si në drejtim të zbatimit të detyrave të mbrojtjes së hapësirës detare, ashtu edhe në transportin detar e peshkim, kuadrot që kanë mbaruar këtë shkollë meritojnë respektin e duhur.

Pas viteve ‘90-të, kur vendi ynë u hap me botën, kuadrot e dala nga kjo shkollë janë prezantuar nga ana profesionale, të aftë e në një nivel me kolegët e tyre të flotave të Perëndimit. Kjo është manifestuar në dhjetëra stërvitje të përbashkëta të Flotës Shqiptare, me flotat e vendeve të NATO-s, si ato të flotave italiane, greke e amerikane.

Viti i mbrapshtë 1997, kur i gjithë vendi u përfshi, nga një valë trazirash, turma njerëzish të irrituara, të prirur nga vandalë sulmuan në mënyrë barbare edhe Shkollën e Marinës, duke grabitur e shkatërruar çdo gjë, nga orenditë e klasave, kabinetet e laboratorët e duke djegur edhe bibliotekën. Kjo ishte një katastrofë e paparë ndaj një institucioni arsimor.

Pas vendosjes së stabilitetit, personeli pedagogjik punoi për ringritjen e shkollës. Ndihmë të madhe dhanë disa vende të NATO-s ( Turqia, për ngritjen e kabinetit të gjuhëve të huaja, SHBA për ngritjen e kabineteve të Rojës Bregdetare).

Mbas vitit 1998, krahas Shkollës së Lartë të Marinës u hapën pranë Universitetit “Ismail Qemali” dega e navigacionit dhe inxhinierisë navale duke nxjerrë kuadro të larta për Flotën Tregtare.

Vatra që diplomoi breza të tërë kuadrosh – Shkolla e Lartë e Marinës, tashmë nuk funksionon. Por kjo nuk mund të mbyllë historikun dhe lavdinë e Shkollës së Lartë të Marinës. Brezat që kanë mbaruar këtë shkollë do ta kujtojnë në vazhdimësi e do të shprehin mirënjohje për tërë pedagogët e këtij institucioni arsimor, për punën e bërë për përgatitjen e kuadrove të lartë të detarisë shqiptare.

  • Ish- student i Shkollës së Lartë të Marinës dhe kuadër i reparteve të saj

 

SHKARKO APP