Sigurimet e papaguara, do falen 80% të gjobave
Të gjithë subjektet juridike dhe fizike të cilët rezultojnë se nuk kanë paguar vitet e fundit kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe që e përmbushin këtë detyrim brenda datës 30 prill 2015, do të përfitojnë faljen e gjobave përkatëse deri në masën prej 80%. Ky është thelbi i një projektligji të posaçëm të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të djeshme, konfirmuar për publikun përmes një dalje publike edhe nga vetë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Ku sipas tij, ligji në fjalë fal në masën 80% gjobat e gjeneruara si rezultat i mosdeklarimit në afat të detyrimit tatimor të kontributit, qoftë për sigurimet shëndetësore, qoftë për sigurimet shoqërore. Një masë lehtësuese kjo që ndërmerret nga qeveria për këtë kategori, pas asaj të faljes së gjobave elektorale apo asaj të kamatëvonesave të energjisë elektrike. Një vendim mjaft i rëndësishëm ky nga i cili përfitojnë 59.411 subjekte në rang vendi, të cilat deri më tani rezulton se i kanë krijuar një gropë buxhetit të shtetit për zërin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, deri në nivelin prej 100 milionë dollarësh, konfirmuar së fundmi publikisht edhe nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, apo edhe vetë kryeministri Edi Rama. Ndërkaq, ministri Ahmetaj ka sqaruar dje se bëri me dije se sipërmarrësit do të përfitojnë nga kjo falje, vetëm nëse do të paguajnë detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore deri në 30 prill 2015. "Falja e gjobave prej 80% të masës së tyre do të bëhet vetëm nëse janë paguar kontributet e tjera brenda datës 30 prill 2015. Nga ky lehtësim i drejt për drejtë përfitojnë 59.411 subjekte", tha saktësisht Ahmetaj.Teksa e argumentoi këtë vendim si një lehtësi që i ofron qeveria sipërmarrjes private, por edhe për të garantuar sipas tij, pagesën e sigurimeve për shumë të punësuar.
AHMETAJ
"Falja e gjobave prej 80% të masës së tyre do të bëhet vetëm nëse janë paguar kontributet e tjera brenda datës 30 prill 2015. Nga ky lehtësim i drejt për drejtë përfitojnë 59.411 subjekte", tha dje ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj.