Sistem aplikimi online për licencën e vlerësuesit të pasurive të paluajtshme

Ministria e Zhvillimit Urban është e angazhuar në procesin e licencimit të profesionistëve të fushës, si dhe në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe lehtësimit të procedurave të aplikimit për vlerësuesit e pasurive të paluajtshme. Ne synojmë që këtë angazhim ta kryejmë në mënyrë sa më efektive dhe transparente, duke u bërë ndihmesë për profesionistët. Angazhimi ynë në këtë drejtim, na ka bërë të mësojmë më shumë, mbi sfidat e ushtrimit të profesionit.

Në situatën aktuale ekonomike, roli i vlerësuesit të pasurive të paluajtshme, merr një rëndësi të veçantë, duke qenë se, mbi ekspertizën e tij bazohen shumë veprime ekonomike, që nga shit-blerjet, kreditë bankare, e deri tek çështjet gjyqësore, apo shpronësimet për efekt të projekteve publike. Ne mbështesim të gjitha inciativat dhe angazhimet e institucioneve akademike dhe të shoqatës së vlerësuesve të pasurive të paluajtshme që, nëpërmjet programeve të edukimit të vazhdueshëm, sipas nevojave përkatëse, synojnë zhvillim e vazhdueshëm profesional të profesionistëve.

Ministria e Zhvillimit Urban duke vlerësuar nevojën e tregut dhe për me tepër duke vlerësuar ekspertizën dhe profilet e UBT-se kërkoi bashkëpunimin dhe angazhimin e këtij institucioni për krijimin e një programi trajnues pasuniversitar për vlerësuesit e pasurive të paluajtshme për tokat bujqësore. Personalisht dhe stafi i MZHU-së gjetëm gatishmërinë dhe bashkëpunim të shkëlqyer te stafit drejtues te UBT-se. Për të zgjidhur këtë problematikë MZHU bëri përmirësimet e duhura në rregulloren për vlerësuesit e pasurive të paluajtshme. Kjo rregullore është, tashmë, në fuqi që prej 12.10.2016. Gjithashtu, siç jemi në dijeni, grupi i parë i vlerësuesve për këtë fushë, ka kryer kursin përkatës pranë Universitetit Bujqësor dhe vazhdon kursi i dytë në këtë fushë.

Një tjetër risi që vjen me rregulloren e re është vlerësimi i makinerive dhe pajisjeve të trupëzuara (linja prodhimi nëpër fabrika dhe linja teknologjike, nëpër ndërtesa si p.sh. ashensorë, etj), të cilat trajtohen si pasuri të paluajtshme dhe janë, gjithashtu, asete të rëndësishme ekonomike.

Duke vlerësuar bashkëpunim e deritanishëm me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetin Politeknik të Tiranës, ekspertizën dhe angazhimin e këtij institucioni për krijimin e nj programi trajnues pasuniversitar për vlerësuesit e pasurive të paluajtshme në këtë fushë, shpresojmë që së shpejti, të fillojë kursi për të plotësuar nevojat e tregut në këtë fushë.

Ministria e Zhvillimit Urban në kuadër të lehtësimit dhe transparencës së procesit të licencimit për gjithë aplikuesit e rinj, realizoi një sistem informatik që mundëson aplikimin dhe ndjekjen on-linë të gjithë procesit të licencimit të vlerësuesve të pasurive të paluajtshme, si dhe është në proces për licencimin profesional në fushën e studim e projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrje e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim.

Për aplikimin e licencave të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, ky sistem është funksional dhe që nga janari 2017, aplikimet do të bëhen vetëm nëpërmjet këtij sistemi. Objektivi është lehtësimi i procedurave të aplikimit, që sjell edhe lehtësimin e aksesit në informacion, shmangien e kontakteve të panevojshme me qytetarët, duke shmangur në këtë formë dhe hapësirat për aktivitet korruptiv, lehtësimin në administrimin e çdo procedure dhe dokumentacioni apo kursimin e kohës, si për aplikantët, ashtu dhe për punonjësit.

SHKARKO APP